Hyseni mbron diplomacinë kosovare
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni i tha BBC-së se mosnjohja e gjerë e pavarësisë nga vendet arabe, ishte pasojë e ndikimit rus në këtë rajon dhe jo e diplomacisë së dobët kosovare.Z. Hyseni e bëri këtë deklaratë në prag të një vizite në Xhedah, në Arabinë Saudite, ku ai pritet të kërkojë njohje të pavarësisë nga shtetet arabe anëatre të Konferencës Islamike.
Pavarësia e Kosovës, e shpallur në muajin shkurt, shtatë muaj më pas është njohur nga 46 shtete dhe ka më shumë se dy muaj, që njohjet thuajse janë ndërprerë.
Në këtë kuadër njohjet më të pakëta kanë ardhur nga bota arabe, përkatësisht nga vendet anëtare të Konferencës Islamike.
Në një intervistë dhënë BBC-së, Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Islamike, Ekmeledin Ihsanoglu, tha se Kosova duhet të bëjë diplomaci më aktive për t'ju shpjeguar vendeve islamike dhe arabe se pse Kosova meriton pavarësinë.
'Luftë diplomatike'
Analistët thonë se mosnjohja e Kosovës kjo është pasojë e një diplomacie pothuajse agresive të Rusisë kundër njohjes së pavarësisë dhe e ndikimit që ka Rusia në botën arabe.
Në opinionin e brendshëm të Kosovës thuhet se kjo është edhe pasojë e dështimit të politikës së jashtme të Kosovës.
Opozita ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Jashtëm për shkak të 'dështimit' në botën arabe.
Zoti Hyseni, me gjasë edhe i shtrë edhe nga presionet e brendshme, është nisur për në Xheda të Arabisë Saudite, për të kërkuar një mbështetje më të madhe të shteteve arabe, anëtare të Konferencës islamike.
Në prag të vizitës, ai tha se ishte pothuajse e papërgjegjëshmë të deklaroje se mosnjohja e pavarësisë nga bota arabe nga ishte pasojë e dështimit të politikës së jashtme të Kosovës.
Z. Hyseni tha se ka një përplasje të diplomacive për Kosovën.
Kjo 'luftë diplomatike', shtoi ai, po e përcjell Kosovën që nga fillimi.
"Kosova po vepron në kushte shumë të limituara, ndërkaq në anën tjetër ka një diplomaci agresive ruse dhe serbe".
Sinjale pozitive
Ministri Hyseni ka thënë sa ka disa sinjale për njohje të reja të Kosovës edhe nga vendet fqinje, edhe nga vendet anëtare të Konferencës Islamike.
Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Islamike, Ekmeledin Ihsanoglu, në intervistën dhënë BBC-së tha se njohja e pavarësisë së Kosovës ishte një çështje që u takonte secilit shtet arab.
Autoritetet në Kosovë kishin thënë se Kosova do të bëhej anëtare e Kombeve të Bashkuar këtë muaj dhe se deri në shtator, Kosovën do ta kishin njohur më shumë se 100 shtete.
Presidenti i Kosovës dhe ministri i saj i Jashtëm, javën që vjen shkojnë në New York, për të qëndruar pranë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila i zhvillon punimet gjatë gjithë pjesës së dytë të shtatorit.