Skela: Kombëtarja me karakter të fortë
Ervin Skela, "truri" i mesfushës kuqezi, ka deklaruar për "Sportin shqiptar" se kjo kombëtare është me karakter të fortë. Ky mendim i vlonjatit vjen menjëherë pas dy ndeshjeve të para, kur është krijuar një përshtypje për ekipin kombëtar, të drejtuar nga Ari Han. Sipas fantazistit, tashmë Shqipëria është gati për të marrë maksimalen edhe në ndeshjet jashtë fushe, duke filluar nga ajo e radhës me Hungarinë, më 11 tetor. Edhe pse është herët për të folur në lidhje me këtë përballje, Ervin Skelën është optimist, teksa shikon një të ardhme pozitive. Megjithatë, për fantazistin ndeshjet duhen marrë një e nga një. "Në fillim të eliminatoreve thamë që duhet të përqendrohemi shumë te kundërshtari i radhës dhe ia arritëm. Objektivin për këto dy ndeshje, ku morëm katër pikë, e realizuam, dhe për këtë jemi të kënaqur. Edhe pse duhet një muaj nga ndeshja e radhës me Hungarinë, personalisht mezi e pres ditën e grumbullimit. Shikoj me kënaqësi të madhe që grupi është kristalizuar shumë mirë dhe të gjithë çunat kanë një karakter shumë të fortë. Jemi me të vërtetë një grup i mirë futbollistësh, që besoj se të bindin për një vazhdimësi pozitive. Ne si lojtarët më të vjetër, duhet të ndihmojmë të rinjtë. Gradualisht ata po e tregojnë veten e tyre dhe për këtë i komplimentoj,"- tregon Skela. Futbollisti nuk ka kohë për ta gëzuar këtë moment të mirë me kombëtaren, teksa dje u nis menjëherë drejt Gjermanisë. Të shtunën, ekipi tij, Energia Kotbus, ka një ndeshje të vështirë jashtë fushe me Verder Bremenin dhe Skelës i duhet të jetë në 100%. Ndërkohë, si një artist i vërtetë, kur ka topin, mesfushori duket gati i pazëvendësueshëm në kombëtare, ndërkohë që mendimet e tij para ndeshjes me Suedinë dhe Maltën, kanë rezultuar të drejta.
"E kisha thënë edhe më parë, që ndeshjet ndaj të tillë kundërshtarëve si Malta, janë gjithmonë të vështira. Kjo, sidomos me mënyrën e lojës që ne bëjmë. Humbëm disa raste dhe, kur ndodh diçka e tillë, krijohet edhe njëfarë mosbesimi. Gjatë lojës pyet veten se si ka mundësi. Por ndërkohë minutat kalojnë dhe gjithçka bëhet më e vështirë,"- kujton Skela nga fitorja 3-0 e Shqipërisë me Maltën, një rezultat që e ngjiti ekipin në krye të grupit 1, me katër pikë. Për këtë të fundit, mesfushori nuk do të ndalet, por thekson se ndaj Maltës duhet të shënoheshin më shumë gola.
"Sikur na çliroi goli i Bogdanit, por nuk duhet t'ia falim vetes ato raste të pastra që humbëm gjatë lojës, sidomos në pjesën e dytë. Krijuam goxha dhe duhet të shënonim më shumë, por gjithsesi fitorja ishte plotësisht e merituar,"- përfundon 31-vjeçari. Në fund, Skela flet edhe për ekipin e tij. "Të gjithë futbollistët tani duhet të shkojnë në klubet e tyre, për të bërë mirë punën aty. Kotbusi nuk e ka nisur mirë Bundesligën, por kjo s'na shqetëson shumë. Sezonin e kaluar ishim më keq dhe asnjë nuk e besonte që qëndruam në Bundesligë. Jemi një ekip "i vogël", por futbolli ka treguar që suksesi arrihet falë lojës në grup."