E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni takon Shahin, kërkon ndihmë te arabët

Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Kuvendit të Turqisë, Mehmet Ali Shahin.
Ministri Hyseni, siç raportojnë mediat turke, e ka falënderuar kryeparlamentarin turk për mbështetjen dhe njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës. Ai ka theksuar se Kosovën e kanë njohur deri tani 62 vende, duke vënë në pah se rritja e njohjeve nga shtetet e tjera është jetike.
Sipas mediave turke, ministri i Jashtëm i Kosovës ka kërkuar nga Turqia të intensifikojë ndikimin e vet për njohjen e shtetit të Kosovës, veçanërisht te vendet arabe. Hyseni, gjithashtu, u ka bërë thirrje biznesmenëve turq që të investojnë në Kosovë.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari turk, Shahin, ka theksuar se Turqia e ka monitoruar nga afër procesin e pavarësisë dhe ka ofruar mbështetje. Sipas tij, populli turk që jeton në Kosovë ka një rol të rëndësishëm dhe është urë lidhëse ndërmjet Turqisë dhe Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›