Hysi: Luftëtari është i vendosur për suksesin e tretë
Trajneri Mustafa Hysi beson se ekipi i tij do ta kalojë edhe Skraparin, që respektohet për vlerat që ka paraqitur
Në Gjirokastër luhet nesër një takim mjaft interesant, pasi Luftëtari me 6 pikë pret Skraparin me 4. Pra, do të ndeshen dy ekipe, që ende nuk e kanë shijuar hidhërimin e humbjes. Është e qartë se këto dy ekipe nuk do jenë «dehur» me raki Skrapari nga sukseset e arritura dhe kësisoj do të luftojnë me të gjitha forcat për të forcuar pozitat në renditje.
Luftëtari, me objektivin që ka deklaruar për kthim në superiore, e ka shumë të qartë se në asnjë mënyrë nuk duhet të humbasë pikë në fushën e tij. Këtë sezon ky ekip disponon disa golashënues, sikundër janë Nora, Raboshta, Braho, Pjetrani dhe Mersini, i cili po tregohet më befasuesi. Po ashtu, është edhe Kermezo dhe mund të dalin të tjerë nga ata që do të aktivizohen, sepse i kanë aftësitë për të shënuar.
Hysi Trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, për ndeshjen e nesërme shprehet: «Këtë kampionat, me masat që u morën, u ndërtua si asnjëherë tjetër në 4 sezonet e fundit një ekip me objektiv plotësisht të kthjellët për ngjitjen në superiore. Dhe në këtë kuadër kemi bërë dy hapat e para ashtu si duhet, por, sikundër është e qartë, duhen plot të tjera për të arritur suksesin.
Do të bëjmë gjithë përpjekjet, aq më tepër që luajmë në shtëpi, për të fituar edhe me Skraparin, edhe pse ai vjen i karikuar, pasi ndeshjet e para në fushën e tij i ka kapërcyer me sukses, madje me pretendentë si Elbasani dhe Besëlidhja. Do të aktivizojmë lojtarët me formën më të mirë, që besoj se do të luajnë me grintën e kërkuar dhe do të arrijmë fitoren.
Ndeshja nuk është e lehtë, sepse të gjithë ekipet, veçanërisht deri në momentin që ndërgjegjësohen për pozicionimin e tyre përfundimtar, luftojnë me të gjitha forcat për të justifikuar punën dhe investimet që kanë bërë. Nuk e fshehim se e respektojmë Skraparin për vlerat e paraqitura, por Luftëtari ka më shumë të tilla.»
