Integrimi, Topalli: Pa votën e opozitës, Shqipëria pengohet

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli i ka bërë thirrje opozitës që të votojë ligjet, të cilat janë të rëndësishme për integrimin e vendit. Në fjalën e saj në Parlament, kryetarja Topalli theksoi se pa votën e opozitës Shqipëria mund të pengohet.
“Sot është një ditë e veçantë. Kanë mbetur rreth 20 ditë nga publikimi i raport/progresit. Sot ndoshta është shansi i fundit. Para kemi agjendën e KE-së, kjo agjendë është këtu që raporti të jetë pozitiv, ligjet e agjendës kërkojnë 84 vota. Statusi varet nga opozita, pa votën pro tuajën, Shqipëria mund të pengohet”, u shpreh Topalli.
Ndër të tjera ajo theksoi se tri javë më parë, kreu opozitës, Edi Rama tha se do votonin, por tri ditë më parë tha që ligjet të hiqen nga agjenda, nuk do të votojnë.
“Ne duhet të punojmë bashkë dhe kjo është e mundur. Vijmë nga parti dhe zona të ndryshme por jemi shqiptarë. Le të jemi të ndershëm me veten. Si politikane, ju ftoj të votoni ligjet që keni përpara. Sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga kjo sallë. Sot ndoshta është dita e fundit për marrjen e statusit. Ne duam të punojmë bashkë, ne sot duhet të votojmë bashkë”, u shpreh ndër të tjera kryetarja e Parlamentit. Kuvendi shtyu për seancën tjetër miratimin e 5 ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend.