E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Sot duhet të niste puna për integrimin

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi theksoi se opozita po pengon reformat dhe se sot duhet të niste puna për integrimin e vendit. Në fjalën e tij në Parlament, Patozi deklaroi se maxhoranca është e hapur për të shqyrtuar çështjet, që janë në programet e punës në kuvend.

“Integrimi për ne mbetet kryeçështja kombëtare. Sot opozita humbi shansin për të treguar vullentin politik. Por kjo seancë e pati një vlerë, u faktoi të gjithëve se ku qëndroi problemi. Kemi hasur në negociata të reja. Ne zotërinj të opozitës ua themi qartë e pastër: Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me integrimin. Nëse ju e konsideroni tender, nëse mendoni se bashkëpunimi juaj duhet të marrë në këmbim pushtetesh, gaboheni rëndë. Pavarësisht kësaj historie të pakëndshme, ne nuk kemi ndërmend të humbasim durimin”, u shpreh Patozi.

Ndër të tjera ai theksoi se sot politika shqiptare ka një tjetër mundësi, dhe le të shtyhen për pak më vonë në kalendarin e kuvendit, kodet e tjera, që opozita pretendon se duhet të rikalojnë në komisione.
 

“Dhe të votojmë Kodin Rrugor, që nuk ka nevojë të rivotohet. Nuk besoj se ata socialistët që ngritën dorën atje e bënë këtë për një ligj rromapërdoma. Do të ishte një gjest i mirëpritur që keni ndërmend të bashkëpunoni për integrimin. Rama thotë se beteja e PS-së këtë javë do të përqendrohet tek plehrat. Për ne, me pak vullnet do të mjaftonte një javë për të përmbushur shumicën e detyrimeve”, theksoi ndër të tjera ai.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›