E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi kërkon këndelljen në Gjakovë

Vëllaznimi dhe Hysi do të përballen të dielën në kryendeshjen e xhiros së gjashtë të Superligës. Pas serisë së rezultateve negative, kampioni në fuqi kërkon këndelljen në Gjakovë. Por, kuqezinjtë synim të vetëm kanë fitoren. Nga Moral Pozhegu më 25 shtator 2011 në ora 10:21

Vëllaznimi dhe Hysi do të përballen sot në Gjakovë, në kryendeshjen e xhiros së gjashtë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Të dyja skuadrat vijnë pas dështimeve në shtëpi, kështu që imperativ i tyre gjithsesi do të jetë rezultati pozitiv.

Gjakovarët janë të vetëdijshëm se do të kenë punë të vështirë, pasi që e presin kampionin aktual, i cili ka pësuar dy humbje rresht dhe që nuk ka më vend për ‘kiksa’.

“E dimë se Hysi ka ekip të mirë dhe se dy humbjet e fundit të këtij ekipi nuk janë rezultat real i lojës që ka bërë. Të dyja ekipet jemi të ‘lënduara’ pas rezultateve të fundit. Natyrisht, ata nuk dëshirojnë ta pësojnë humbjen e tretë rresht, por edhe ne i duam tri pikë në shtëpi”, deklaroi për Express trajneri i kuqezinjve, Skënder Shëngyli, i cili e paralajmëroi skuadrën e tij që të ketë kujdes nga sulmi i skuadrës llapjane, i cili është arma më e fortë e ekipit nga Merdara.

Në anën tjetër, bardhezinjtë janë përgatitur maksimalisht për këtë duel dhe do t’i hyjnë sfidës me Vëllaznimin të motivuar. Ata do të shkojnë në Gjakovë për ta nxjerrë një rezultat pozitiv, që nënkupton se edhe me një barazim eventual nuk do të mbeteshin keq.

“Jemi të vetëdijshëm se Vëllaznimi ka skuadër të fortë, pasi ka bërë disa përforcime të rëndësishme gjatë verës. Nuk do të jetë lehtë për ne, por do të mundohemi të kthehemi nga Gjakova me një rezultat pozitiv. E dimë se do të luajmë para shikuesve të shumtë, të cilët do të mundohemi t’i kënaqim me lojë të mirë. Do të angazhohemi maksimalisht. Për ne edhe barazimi do të ishte rezultat i favorshëm, por do t’i kërkojmë të tria pikët”, tha trajneri i Hysit, Fadil Ademi.

Në përballjet tjera, Drita do ta kërkojë fitoren e radhës ndaj Lepencit, njëjtë si Trepça ’89 në ballafaqim me KEK-un e dobësuar.

Superliga – Xhiroja e 6-të

E diel
Drita – Lepenci
Trepça 89 – KEK-u
Vëllaznimi – Hysi
Këto ndeshje fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›