S’ka me Anglinë

Carlo Ancelotti ka shprehur synimin e tij të rigjejë angazhim dhe pranoi adhurimin e tij për Premierligën angleze. Italiani i shkarkuar nga Chelsea në maj, vetëm një vit pasi fitoi titullin në ligë dhe kupën, ende jeton afër qendrës stërvitore të gjigantit londinez në Cobham dhe vazhdimisht përcjell ndeshjet e kampionatit anglez.
“E dua Londrën. E dua Anglinë. E dua futbollin në Angli. Kulturën e futbollit. Atmosferën në stadiume. Natyra garuese e Premierligës”, tha ai për Daily Mail. “Aktualisht, Anglia është shteti më i mirë në botë për futboll. Në Spanjë janë dy ekipe, nuk ka konkurrencë të njëjtë në kampionatin e tyre. Këtu është më ndryshe. Ka shumë ekipe të mira dhe më duhet t’i falënderohem Chelseas që më ofroi rastin të jem këtu”, shtoi ai. Ancelotti nuk është i hidhëruar me ish skuadrën e tij.
“Nëse nuk do të vija në Chelsea, nëse Chelsea nuk do të më kërkonte, nuk do ta shijoja atë përvojë. Nuk do të dija atë që di tani”, theksoi ai. Ish trajneri i Milanit spekulohej me rikthim në Serie A si zëvendësues i Gianpiero Gasperinit në Inter, por tashmë atë rol e mori Claudio Ranieri, një tjetër ish trajner i Chelseas. Ancelotti mohoi se është zotuar të merr një vit pushim nga futbolli.
“Nuk kam thënë se do të qëndroj jashtë për një vit. Kam thënë se nuk kam frikë të pushoj për një vit, të mundohem të gjej zgjidhje që më mundëson të mbetem në futbollin anglez. Nëse mund të gjej zgjidhjen e duhur, klubin e duhur, do të jem shumë i lumtur. E kam mbajtur veten të zënë duke punuar për një televizion italian në ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Do të shkoj në Manchester United dhe Real Madrid për të përcjelë stërvitjet e tyre. Jam trajner që 15 vite dhe kam ende mundësi të mësojë diçka të re”, vazhdoi ai.
Rreth largimit të tij nga Stamford Bridge, që erdhi menjëherë pas disfatës në xhiron e fundit në Everton, Ancelotti tha se mori menjëherë lajmin për lirimin nga detyrat ende pa u larguar nga Goodison Park. “Cili do të ishte kuptimi i pritjes? Nëse ata kishin diçka për të më thënë, do të preferoja ta dija menjëherë. Deri në fund e dija se e ardhmja ime varet nga rezultatet. Kam shpresuar se do të mbetem. Por, kur drejtori ekzekutiv Ron Gourlay m’u afrua pas konferencës për shtyp në Everton dhe më tha se duhet të bisedojë me mua, e dija se çka ishte vendosur”, tregoi Ancelotti.
Mirëpo, ai ka zili se është Andre Villas-Boas e jo ai vetë që tani drejton Chelsean. “Mendoja se mund të mbetem më gjatë në Chelsea. Kam shpresuar kështu, sepse ndihesha shumë mirë atje. Nuk isha i lumtur që u largova nga klubi dhe t’i lë ata njerëz. Kisha marrëdhënie të mira me futbollistët. Besoja se mund të arrinim edhe më tepër sukses. Por, ky është futboll dhe e dija se mund të ndodhte gjithçka”, përfundoi Ancelotti.