Milionat e çmendura vënë në lëvizje UEFA-n
Merkato dhe milionat e çmendura që po qarkullojnë në transferimin e lojtarëve kanë vënë në lëvizje UEFA-n dhe presidentin e saj Mishel Platini, që edhe një herë është shprehur kundër operacioneve, që ai i ka cilëasuar jashtë çdo logjike. Numri një i qeverisë europiane të futbollit ka reaguar në kohën kur rusët e Anzhi janë gati të shpenzojë 100 milionë euro për blerjen e sulmuesit kamerunas, Samuel Eto’o, ndërsa skuadra të tjera si Mançester Siti apo Paris SG me paratë e freskëta nga padronët sheikë kanë marrë në skuadër talente si Serxho Aguero apo Havier Pastore. “Kjo situatë vazhdon të bëhet shqetësuese dhe nuk e ndihmon aspak të ardhmen e futbollit. Disa operacione janë jashtë çdo logjike financiare dhe po prishin balancat në merkato”, ka bërë të ditur Platini, që më i ka mëshuar edhe një herë projektit të iniciuar nga vetë ai për një “Fair-Play" financiar. Sipas numrit një të qeverisë europiane të futbollit një komision i krijuar rishtas, në UEFA, do të kontrollojë me imtësi buxhetin e klubeve dhe do të vendosë masa të ashpra disiplinore për ato skuadra që kanë bilance negative. “Ne jemi të vendosur për të çuar deri në fund projektin tonë. Klubet nuk mund të shpenzojnë më shumë se sa fitojnë gjatë një sezoni. Duke nisur nga sezoni i ardhshëm do të ketë penalizime për klubet me bilanc negativ’, ka përfunduar Platini.