E Diel, 1 Nëntor 2026

Hysni Kapo në OKB: Incidenti, provokacion i grekëve dhe anglezëve

 

Artur Meçollari

Ngjarja e 22 tetorit 1946, ndezi stuhinë e përballjes së ashpër midis Tiranës dhe Londrës. Reagimi i parë erdhi nga pala e dëmtuar. E revoltuar nga incidenti i Korfuzit, Britania e Madhe nga njëra anë pranonte se kishte vepruar pa pëlqimin e autoriteteve shqiptare dhe nga ana tjetër justifikohej se operacionet e saj për pastrimin e minave ishin reflektim i detyruar ndaj një situate urgjente për sigurinë e lundrimit.Në distancën kohore midis goditjes me artileri nga bateritë bregdetare shqiptare të H.M.S. Orion dhe H.M.S. Superb më 15 maj 1946 dhe rënies në mina të H.M.S. Saumarez dhe H.M.S. Volage më 22 tetor 1946, vendi ynë vëzhgonte me kujdes trafikun detar në Kanalin e Korfuzit. Për Britanikët ekzistonte bindja se askush nuk mund të vendoste minat pa bashkëpunimin e Qeverisë së Shqipërisë ose dijeninë e saj. Më 9 dhjetor 1946, Qeveria Britanike i dërgoi Qeverisë së Shqipërisë një notë verbale të detajuar, duke përmendur të gjitha raportet e ndërsjellta qysh prej vitit 1944, si dhe problematikën e tyre. Nota i kërkonte Qeverisë së Shqipërisë të kërkonte falje për sulmet e paprovokuara të 15 majit 1946 dhe 22 tetorit 1946, si dhe të garantonte se nuk do të kishte përsëritje të “akteve të paligjshme” dhe humbje të jetës njerëzore, plagosje ose dëmtime nga sulme të tilla. Shqipërisë iu bë e qartë, se nëse brenda 15 ditësh Qeveria e Britanisë nuk do të merrte një përgjigje të kënaqshme, çështja do të shkonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si përgjigje Qeveria e Shqipërisë më 21 dhjetor 1946 i shprehu keqardhjen e saj Qeverisë së Britanisë së Madhe mbi incidentin e ndodhur më 22 tetor 1946, por mohoi përgjegjësinë për hedhjen e minave. Qeveria e Shqipërisë në përgjigjen e saj theksonte se “minat mund e ishin vendosur nga ata të cilët nuk dëshironin të shikonin rivendosjen e marrëdhënieve të mira midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe”, duke aluduar se kjo mund të ishte një punë e grekëve, pasi shumë nga anijet tregtare të tyre kishin lundruar në Kanalin e Korfuzit, duke hyrë edhe në detin territorial shqiptar, pavarësisht nga protestat e Qeverisë se Shqipërisë.
DENONCIMI I LONDRËS NË OKB
Ishte 10 janari i vitit 1947 kur Britania e Madhe, e pakënaqur nga përgjigja e autoriteteve shqiptare, i paraqiti çështjen  Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke i shprehur përgjegjësinë e Shqipërisë për Incidentin e Kanalit të Korfuzit. Menjëherë Këshilli i Sigurimit të OKB-së e mori denoncimin në një mbledhje të veçantë. Në këtë seancë vendi ynë u përfaqësua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Hysni Kapo, i cili mori fjalën në datën 17 shkurt 1947 dhe e konsideroi incidentin e datës 22 tetor 1946 si një “provokacion” të organizuar nga Grekët dhe Britanikët, me qëllim spostimin nga axhenda e Këshillit të Sigurimit anëtarësimin e Shqipërisë në OKB.  Për këtë Hysni Kapo u kujtoi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se Shqipëria kishte paraqitur kërkesën për anëtarësim në datën 29 tetor 1946 dhe ende nuk ishte vënë në rendin e ditës. Ndërkaq, Hysni Kapo në fjalën e tij përmendi një numër provokacionesh detare të organizuara nga Marina Greke dhe ajo Britanike përpara datës 15 maj 1946. “Qeveria Britanike, u shpreh numri dy i diplomacisë shqiptare,   ka qenë në dijeni të qëndrimit armiqësor të Qeverisë Greke karshi Shqipërisë dhe të provokacioneve të përsëritura të saj kundër vendit nga toka, deti dhe ajri. Në këto rrethana, për të evituar çdo incident të padëshiruar, anijet angleze duhet të kishin treguar flamurët e tyre dhe t’u përgjigjeshin shenjave paralajmëruese të Forcave Bregdetare shqiptare, sidomos kur anijet, siç deklaroi vetë Qeveria Britanike për rastin e 15 majit, nuk kishin qëllim armiqësor ose provokativ. Më 18 shkurt 1947, Ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, Alexander Cadogan prezantoi në Këshillin e Sigurimit çështjen kundër Shqipërisë lidhur me Incidentin e Kanalit të Korfuzit. Sipas Cadogan-it, provat direkte tregonin se minat ishin vendosur me qëllim, kohët e fundit dhe fshehurazi, në kundërshtim me Nenin 2 dhe 3 të Konventës së Hagës VIII të Vitit 1907, e cila ndalon hedhjen e minave fshehurazi, dhe ky veprim në çdo rast përbën krim kundër njerëzimit. Po sipas Cadogan-it kishte fakte indirekte për përgjegjësinë e Shqipërisë, pasi pak kohë përpara incidentit ajo kishte shpallur pretendime të tepruara për ushtrimin e kontrollit të trafikut detar në Kanalin e Korfuzit, dhe se në disa raste ka treguar  mbikëqyrje të kujdesshme mbi trafikun detar dhe ky trafik ka qenë edhe objekt i zjarrit me artileri. Britania e Madhe e karakterizonte Qeverinë e Shqipërisë si “një kërcënim serioz dhe thyerëse të sigurisë dhe paqes ndërkombëtare, duke treguar mospërfillje kriminale ndaj së drejtës së kalimit paqësor ndaj çdo kombësie gjatë përdorimit të rrugëkalimeve ndërkombëtare”. Në 24 shkurt 1947, Përfaqësuesi i Misionit të Australisë në OKB Paul Hasluck i propozoi Këshillit të Sigurimit të krijonte një nënkomitet për hetimin e incidentit, për shkak të provave të kundërshtueshme mbi origjinën e fushës me mina. Nuk ishte e sigurt nëse Këshilli i Sigurimit në seancë plenare mund të vepronte me procedurë të përshpejtuar dhe të ngrinte një nënkomitet hetimor, i cili t’i jepte mundësinë Këshillit të Sigurimit që pa sforco dhe me një procedurë normale të merrte vendimin. Bashkimi Sovjetik e kundërshtoi propozimin e Australisë, duke deklaruar se Britania e Madhe kishte bërë akuza të pabazuara dhe të padrejta, të cilat binin në kundërshtim me Nenin 35 të Kartës së OKB-së, dhe se Britania e Madhe nuk po vepronte në përputhje me këtë kartë. Më 27 shkurt 1947, pas abstenimit të Bashkimit Sovjetik, Polonisë dhe Sirisë, Këshilli i Sigurimit me tetë vota pro adaptoi propozimin e Australisë, dhe vendosi që Nënkomiteti Hetimor i ngritur për këtë qëllim, të raportonte në Këshillin e Sigurimit më 10 mars 1947. Kryesinë e Nënkomitetit e mori Kolumbia, dhe Nënkryesinë, me insistimin e Bashkimit Sovjetik e mori Polonia në vend të Sirisë. Më 11 mars 1947, Misioni i Australisë në OKB raportoi në takimin e fundit të Nënkomitetit. Delegacioni i raportoi Nënkomitetit se kishte  shpresa që ata mund të pranonin një raport të mbështetur nga Kolumbia dhe Australia, edhe nëse jo nga Polonia, me qëllim që Këshilli i Sigurimit të arrinte një vendim lidhur me pretendimet e Britanisë së Madhe, se dëmi ishte shkaktuar nga fusha me mina të padeklaruara, dhe se këto fusha ishin vendosur kohët e fundit nga Shqipëria ose me dijeninë e saj. Në përfundim, paragrafi i cili rekomandonte Këshillin e Sigurimit u formulua si me poshtë:  “Kemi qenë në kontakt të ngushtë me Delegacionin e Britanisë së Madhe, dhe ky raport lë rrugë të hapur për zgjidhje dhe mund të pranohet nga ata. Ka mundësi që Bashkimi Sovjetik të vendosë veton për rezolutën e Britanisë së Madhe, dhe propozimi i bërë nga Kolumbia është që çështja të shkojë në gjyq. Polonia e cila fillimisht ishte dakord që çështja të shkonte në gjyq, tani mbështet idenë që palët të negociojnë me njëra-tjetrën në përputhje me Nenin 32 të Kartës së OKB-së”. Mbretëria  e Bashkuar ishe një nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe e kaloi çështjen e Incidentit të Kanalit të Korfuzit për zgjidhje në Këshillin e Sigurimit në përputhje me Nenin 34 të Kartës së OKB-së. Po në përputhje me Nenin 27(3) të Kartës së OKB-së, Britania e Madhe nuk mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të datës 9 prill 1947, kur rezoluta mbi Incidentin e Kanalit të Korfuzit u hodh për votim. Rezoluta e OKB-së e 9 prillit 1947, mbështetur mbi rekomandimet e Nënkomitetit Hetimor, në përputhje me Nenin 33 (2) të Kartës së OKB-së vendosi në Takimin e 127-të me 8 vota pro dhe 2 abstenime u formulua si vijon : “Këshilli i Sigurimit duke marrë në konsideratë deklarimet e përfaqësueseve të Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, lidhur me kundërshtinë midis tyre për incidentin e datës 22 tetor 1946 në Ngushticën e Korfuzit, në të cilin dy anije britanike u dëmtuan nga minat, dhe si rezultat pati humbje të jetëve njerëzore dhe të lënduar nga ekuipazhet, rekomandon që Qeveria e Britanisë së Madhe dhe e Shqipërisë duhet menjëherë të paraqesin kundërshtinë e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në përputhje me dispozitat e Statusit të Gjykatës”. Për sa i përket Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Sigurimit, e shqyrtoj çështjen pavarësisht se Shqipëria nuk ishte anëtare e OKB-së.  Mbi këtë çështje Presidenti i Këshillit të Sigurimit u deklarua se “përderisa Shqipëria nuk është anëtare e OKB-së ajo nuk ka detyrimin të paraqitet përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.  Megjithatë, përderisa ajo i pranon detyrimet njësoj si anëtaret e tjerë të OKB-së, ashtu siç shprehet edhe në ftesën e Këshillit të Sigurimit për të marrë pjesë në diskutimin e çështjes, Shqipëria është tashmë si çdo anëtar i OKB-së e detyruar të përmbushi dispozitat si të Kartës se OKB-së edhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
ANGLIA PADI NË HAGË
Britania e Madhe depozitoi padinë e saj të njëanshme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dokument i firmosur nga përfaqësuesi i saj Ë.E.Beckett, në datën 30 shtator 1947. Edhe pse padia u kundërshtua nga Shqipëria, u pranua për gjykim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 25 mars 1947. Shqipëria e argumentonte kundërpadinë e saj, për mos pranim padie, me argumentin se  “Britania e Madhe përpara se të paraqiste çështjen në Gjykatë, në përputhje me Rezolutën e OKB-së të datës 9 prill 1947 duhet të arrinte një marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë, për kushtet në të cilat palët të prezantonin atë në Gjykatë”. Në datën 2 gusht 1947, Ambasadori Shqiptar në Paris Behar Shtylla, i dërgoi një letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, letër të cilën e dorëzoi personalisht Përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjyq, Kahraman Ylli në datën 23 gusht 1947. Në letër thuhej se veprimi Britanisë së Madhe për të paraqitur çështjen në Gjykatë në mënyrë të njëanshme, konsiderohet “i parregullt”, dhe në “mospërputhje” me Rezolutën e OKB-së të datës 9 prill 1947. Në po të njëjtën letër, Qeveria e Shqipërisë emëronte përfaqësuesin e saj në gjyq, i cili ishte Kahraman Ylli, si adresë e të cilit do të përdorej adresa e Përfaqësisë së Republikës Federative të Jugosllavisë në Hagë. Në datën 3 korrik 1947, Presidenti i Gjykatës José Gustavo Guerrero lëshoi një urdhër në të cilin caktonte 1 tetor 1947, si datë të paraqitjes së provave të Britanisë së Madhe dhe datën 10 dhjetor 1947 për paraqitjen e kundërprovave të Qeverisë së Shqipërisë.  Britania e Madhe i dorëzoi provat në datën 1 tetor 1947, me anë të të cilave sqaronte incidentin e datës 22 tetor 1946. Në materialin me kundërprovat e saj, të cilat Qeveria e Shqipërisë i dorëzoi në datën 9 dhjetor 1947, paraqiste kundërshtitë paraprake, duke interpretuar padinë e Britanisë së Madhe “të papranueshme”.  Argumentet e Qeverisë së Shqipërisë mbështeteshin kryesisht në Rezolutën e OKB-së të datës 9 prill 1947. Kundërshtitë paraprake iu dorëzuan Mbretërisë së Bashkuar në datën 10 dhjetor 1947. Nëpërmjet një urdhri të lëshuar nga Presidenti i Gjykatës José Gustavo Guerrero,  të datës 10 dhjetor 1947, iu kërkua Mbretërisë së Bashkuar që deri në datën 20 janar 1948 të paraqiste pranë kësaj Gjykate argumentet kundër kundërshtive paraprake të Qeverisë së Shqipërisë. Ky dokument u dorëzua në datën 19 janar 1947 nga pala britanike, në të cilin Britania e Madhe i kërkonte Gjykatës “të mospranonte kundërshtinë paraprake të Qeverisë së Shqipërisë”.
vijon nesër...

Kronika e incidenteve

 Në 6 korrik 1945, dy anije pa flamur, u futën në ujërat shqiptare, qëlluan me mitraloz mbi Kepin e Qefalit dhe grabitën varkën e Xhemal Sadikut bashkë me pronarin, duke e çuar në Korfuz.
 Në 17 korrik 1945 tri anije greke qëlluan me mitraloz molin e Sarandës.
 Në 1 shtator 1945 një anije greke  qëlloi me top fshatin Mursi, Konispol.
 Në 2 shtator 1945 një anije hyri në ujërat shqiptare, Vivar dhe qëlloi për
15 minuta me mitraloz.
 Më 27 tetor 1945 kaloi në ujërat shqiptare një flotilje greke
 Më 2 mars 1946 dy anije greke u futën në zonën shqiptare dhe hapën zjarr.

Çfarë shprehej në Vendimin e Hagës të 25 marsit 1948

Trupi Gjykues në përbërje të të cilit ishin, President José Gustavo Guerrero, Gjyqtarë Alejandro Álvarez, Green Hackworth,  Bohdan Ëiniarski, Milovan Zorièiæ, Charles de Visscher, Sir Arnold Duncan McNair, Helge Klaestad, Abdul Badawi Pasha, Sergei Krylov, John Read, Hsu Mo, Philadelpho Azevedo,  Gjyqtar ad hoc Dr. Igor Daxner dhe  Sekretar M. Hambro, u mblodh në seancë publike në datat 26-28 shkurt, 1-2, dhe 5 mars 1948, me objekt padinë e Republikës së Shqipërisë për mospranimin e padisë së Britanisë së Madhe lidhur me Incidentin e Kanalit te Korfuzit.
Pala Britanike përfaqësohej nga W.E.Beckett, Këshilltar Ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Sir Hartley Shawcross, Prokuror i Përgjithshëm, Dr. H. Lauterpacht Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Cambridge, C.H.M. Waldock  Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, R.O. Ëilberfpre, J. Mervyn Jones, dhe M. E. Reed, Zyrtar në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. 
Ndërkaq, pala shqiptare përfaqësohej nga Kahraman Ylli, Përfaqësues Zyrtar në Gjyq,  Ivo Lapenna Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Pragës dhe Vladimir Vochoè Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Zagrebit.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dëgjoi në seancë publike të dyja palët me procedurë të rregullt dhe me 15 vota pro dhe një kundër, vendosi për të hedhur poshtë kundërpadinë paraprake të Qeverisë së  Shqipërisë të datës 9 dhjetor 1947. Ky vendim figuron i zbardhur më 25 mars 1948. Lidhur me këtë vendim pati kundërshti, kryesisht nga Gjyqtari ad hoc Dr. Igor Daxner, i cili mbështeste idenë se Rezoluta e OKB-së e datës 9 maj 1947 rekomandonte padi jo të njëanshëm nga palët në Gjykatë. Më 25 mars 1948, të dyja palët përfunduan një Marrëveshje të Veçantë, të cilën për palën shqiptare e firmosi Kahraman Ylli, Përfaqësues i Shqipërisë në Gjyq dhe i Ngarkuari me Punë në Paris dhe për palën britanike Ë.E. Beckett, Asistent Ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Marrëveshja e Veçantë i kërkonte Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që në gjykimin e saj t’i përgjigjej pyetjeve të mëposhtme:
1. A është Shqipëria përgjegjëse në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në ujërat shqiptare, dhe a ka detyrimin të paguaj kompensim për dëmet e shkaktuara?
2. Sipas së drejtës ndërkombëtare, a ka dhunuar Britania e Madhe sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet veprimeve të Marinës së saj në ujërat e Shqipërisë, së pari në datën e shpërthimit më 22 Tetor 1946 dhe së dyti në 12 dhe 13 nëntor 1946 dhe a ka ndonjë detyrim për të përmbushur?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›