E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu padi Ina Ramës e Sokol Stojanit: Publikuan të dhëna sekrete

 

Trazhgim Sokolaj

Fatmir Mediu padit Kryeprokuroren Ina Rama me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, gjatë nxjerrjes dhe publikimit të materialeve sekrete nga dosja penale e tragjedisë së Gërdecit. Lajmi u bë publik dje nga avokatët mbrojtës të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ata akuzuan Prokuroren e Përgjithshme se ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke bërë publike në një konferencë shtypi, detaje e të dhëna sekrete të dosjes “Gërdeci”. Sipas avokatëve të Mediut, kallëzimi penal ndaj Ina Ramës, i cili mban datën 23 mars 2009 dhe firmën e ish-ministrit të Mbrojtjes, është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës. Bashkëngjitur me kallëzimin për ndjekje penale ndaj Kryeprokurores, në organin e akuzës janë dorëzuar në cilësinë e provave materiale edhe regjistrime filmike të konferencës së shtypit të datës 25 prill 2008, të mbajtur nga Ina Rama në prani të prokurorëve të çështjes “Gërdeci”, në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Duke e konsideruar kërkesën e drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Mediut, si një akt procedurial të dosjes i cili përmban sekrete të hetimit, avokatët e Mediut thanë se me shpërndarjen dhe publikimin e këtij materiali, Kryeprokurorja ka shkelur nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenin 6, pika 2 të ligjit nr.8737, datë 12 shkurt 2001, i ndryshuar, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Në kallëzim, kryeprokurorja Ina Rama akuzohet se në bashkëpunim me grupin e prokurorëve të dosjes “Gërdeci” ka konsumuar elementët e veprave penale “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “shpërdorim detyre”. “Për të realizuar qëllimin e saj kriminal dhe diskretitimin publik të z.Fatmir Mediu dhe për të krijuar një opinion të pavërtetë në publik rreth tragjedisë së ndodhur në Gërdec, ajo, gjatë leximit të kërkesës për heqje të imunitetit, ka publikuar në mënyrë të qëllimshme dhe të paligjshme përmbajtjen e akteve proceduriale të dosjes hetimore përkatëse”, tha Ardian Visha, njëri nga avokatët mbrojtës të ish-ministrit Mediu.   
Kallëzim kryehetuesit të “Gërdecit”
Kallëzimi penal i avokatëve të ish-ministrit Mediu i adrestohet edhe Drejtorit të Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani, i cili ka kryesuar hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme akuzohet në kallëzimin e bërë nga Mediu për komunikimin e tij elektronik nëpërmjet mesazheve telefonike (SMS) me gazetarët e pranishëm në emisionin “Opinion” në televizionin “Klan” të datës 19 mars 2009. “Gjatë ndërprerjeve të emisionit në fjalë dhe pas tij, nga gazetarët e panelit kam konstatuar dërgimin në aparatet përkatës celularë të mbi 10 SMS-ve, nga numri telefonik i regjistruar në emër të Sokol Stojanit”, thuhet në kallëzimin e firmosur nga deputeti Fatmir Mediu. “Për sa kohë teksti i dërguar përmban sugjerime për pyetje ndaj meje, pa i hyrë subjektivisht fyerjeve të mundshme të përmbajtura në to, gjykoj se nëpërmjet realizimit të veprimit të paligjshëm të mësipërm, për më tepër në kushtet kur për një vit rresht refuzuan të realizojnë pyetjen time institucionale, prokurori Sokol Stojani ka konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet më tej në kallëzimin e Mediut. Sipas tij, “prokurori Stojani nëpërmjet ndërhyrjes me anë të të tretëve, në një emision mediatik publik, për më tepër kur “puna” e tij hetimore ka përfunduar dhe dosja ka kaluar në gjykatë, ka synuar diskretitimin tim publik, për shkak të abuzimit keqdashës dhe jo transparent të të dhënave që ai disponon për shkak të funksionit të tij të deritanishëm”.

Kallëzimi, pas dërgimit të “Gërdecit” në Gjykatë
TIRANE – Avokati mbrojtës i Mediut, Ardian Visha tha dje se aktet e dosjes “Gërdeci” përbëjnë sekret edhe pas dërgimit të fashikullit për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Në fakt padia ndaj Ina Ramës dhe kreut të grupit hetimor të dosjes “Gërdeci”, vjen vetëm 11 ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme dërgoi dosjen në gjykatë ku ish-ministri Mediu është i pandehur së bashku me 27 zyrtarë të tjerë të dikasterit të Mbrojtjes, shtabit të Përgjithshëm dhe Ushtrisë. “Z.Mediu i paraqiti sot këto kallëzime penale dhe jo më përpara, për të shmangur çdo lloj dyshimi se ai po ushtronte presion mbi Prokurorinë e Përgjithshme, pasi hetimet kanë përfunduar dhe dosja përkatëse është dërguar në gjykatën kompetente dhe për më tepër sikurse rezulton nga materialet e dosjes, nuk ka asnjë vendim të Prokurorisë për të publikuar dhe për të zbuluar të dhëna nga aktet e hetimit”, tha avokati i ish-ministrit Mediu.

Ina Rama e Stojani pa imunitet

Trazhgim Sokolaj

Kallëzimi penal i ish-ministrit të Mbroj-tjes, Fatmir Mediu, duket se provokon një situatë në konflikt interesi ndaj Prokurores së Përgji-thshme, Ina Rama dhe drejtorit të Hetimit, Sokol Stojani. Ligji i konsideron ata si zyrtarët më të lartë të Prokurorisë jo vetëm në aspektin administrativ. Sipas të njëjtit ligji, në Republikën e Shqipërisë urdhri i prokurorit më të lartë është i detyrueshëm për prokurorin më të ulët. Një përcaktim i tillë, në rastin kur Prokuroria e Tiranës vendos të fillojë procedimin penal për të kallëzuarit, situata e konfliktit të interesit duket e pranishme. Megjithatë i njëjti ligj duket se përmban një zgjidhje edhe për situata të tilla pa shumë precedentë në historinë e prokurorisë shqiptare. Pas ndryshimeve të vitit 2008 në ligjin e Prokurorisë, Kryeprokurorja Ina Rama dhe prokurori Sokol Stojani nuk gëzojnë asnjë imunitet ndaj hetimit penal që mund t’i adresohet. Në nenin e ligjit të Prokurorisë me titull “Shmangia e konfliktit të interesit”, në pikën e parë të tij, parashikohet se “Drejtuesit të prokurorisë së rrethit gjyqësor, drejtuesit të prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, prokurorit të Apelit, prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme apo prokurorit të Përgjithshëm, kur gjendet në një çështje penale në rastet e parashikuara në nenet 16 e 17, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, i ndalohet t’i japë urdhra dhe udhëzime, me shkrim, prokurorit të çështjes apo të ndikojë në çdo mënyrë tjetër”. Kjo pikë e ligjit duket se zgjidh edhe situatën e konfliktit të interesit për dy zyrtarët më të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët me ligj nuk kanë asnjë mundësi të ndikojnë në hetimin që zhvillohet nga vartësit e tyre. Në ndihmë për zgjidhjen e kësaj situate, vjen pika e tretë e nenit për konfliktin e interesit, ku thuhet se “në rastin kur prokurorit të Përgjithshëm i kërkohet nxjerrja e një urdhri apo dhënia e një udhëzimi në një procedim, në të cilin ai është në konflikt interesi, atëherë ai deklaron, me shkrim, gjendjen e konfliktit të interesit dhe njofton prokurorin, që i ka kërkuar nxjerrjen e urdhrit apo dhënien e udhëzimit. Në këtë rast, urdhri apo udhëzimi nxirret nga prokurori më i vjetër në detyrë, drejtor në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme”. Në këto kushte, dy zyrtarët më të lartë të organit të hetimit në Shqipëri duket se mund të hetohen në të njëjtat kushte si të gjithë qytetarët e tjerë, edhe pse ndodhen në majën e piramidës së Prokurorisë. Sipas procedurës penale, Prokuroria e Tiranës duhet të marrë në shqyrtim materialet dhe provat që përmbajnë kallëzimet e bëra nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pas shqyrtimit të këtyre materialeve, Prokuroria e Tiranës mund të bëjë verifikime shtesë dhe në rast se konstaton se në veprimet e të kallëzuarve ka vepër penale, atëherë vendos fillimin e procedimit penal. Nëse çështja vjen në këtë situatë, duket se gjen zbatim pika 1/1 e nenit 26 të ligjit për Prokurorinë, ku thuhet se “Prokurori pezullohet nga ushtrimi i detyrës, kur ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se pesë vjet”. Në rast të kundërt, kur Prokuroria e Tiranës konstaton se në veprimet e të kallëzuarve nuk ka vepër penale, atëherë ajo vendos të mos fillojë procedim penal. Megjithatë ky nuk është shpëtimi për dy zyrtarët më të lartë të Prokurorisë, pasi vendimi i vartësve të tyre mund të ankimohet në Gjykatë nga deputeti Mediu, ndërsa togat e zeza, të cilat qëndrojnë mbi palët në proces, mund të urdhërojnë hapjen e hetimeve.

Neni 3/ç i ligjit, konflikti i interesit

Shmangia e konfliktit të interesit
1. Drejtuesit të prokurorisë së rrethit gjyqësor, drejtuesit të prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, prokurorit të Apelit, prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme apo prokurorit të
Përgjithshëm, kur gjendet në një çështje penale në rastet e parashikuara në nenet 16 e 17, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale (hetohet ai apo një i afërm), i ndalohet t’i japë urdhra dhe udhëzime, me shkrim, prokurorit të çështjes apo të ndikojë në çdo mënyrë tjetër.

2. Në këtë rast drejtuesi në konflikt interesi njofton, me shkrim, prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm, kryesisht ose me kërkesë vendos me shkrim për përjashtimin e drejtuesit në konflikt interesi nga procedura e dhënies së urdhrave dhe udhëzimeve. Në këtë vendim, prokurori i Përgjithshëm cakton nëse dhe në ç’pjesë kanë vlerë veprimet e kryera në bazë të urdhrave dhe udhëzimeve të dhëna më parë nga drejtuesi në konflikt interesi.

3. Në rastin kur prokurorit të Përgjithshëm i kërkohet nxjerrja e një urdhri apo dhënia e një udhëzimi në një procedim, në të cilin ai është në konflikt interesi, atëherë ai deklaron, me shkrim, gjendjen e konfliktit të interesit dhe njofton prokurorin, që i ka kërkuar nxjerrjen e urdhrit apo dhënien e udhëzimit. Në këtë rast, urdhri apo udhëzimi nxirret nga prokurori më i vjetër në detyrë, drejtor në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Fevziu: Avokati i Mediut të specifikojë emrin e gazetarit

Drejtuesi i emisionit “Opinion” në TV Klan, Blendi Fevziu, ka reaguar dje pas deklaratës së avokatit mbrojtës të Fatmir Mediut, se gjatë emisionit të së enjtes prokurori Sokol Stojani u ka dërguar sms gazetarëve të panelit. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Fevziu tha se atij nuk i kanë dërguar mesazhe gjatë atij emisioni, ndërkohë që ftoi avokatët e Mediut të specifikojnë emrin e gazetarit, i cili sipas tyre ka marrë mesazhe telefonike nga Stojani. “Nuk kam dijeni që ndonjë prokuror të më ketë çuar mesazhe në emisionin ku ka qenë i ftuar ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Unë personalisht nuk kam kontakte me prokurorët dhe sms që vijnë nga teleshikuesit në numrin e afishuar në emisionin ‘Opinion’ nuk janë të identifikuar me emër. Ftoj përfaqësuesit ligjorë të zotit Mediu që të specifikojnë emrin e gazetarit, të cilit sipas tyre i kanë çuar mesazhe prokurorët gjatë emisionit”, tha mbrëmë Fevziu. Të enjten e kaluar, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, foli në emisionin “Opinion” lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ku akuzoi Prokurorinë për deklaratat ndaj tij, sipas të cilave ka anashkaluar ushtarakët. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pranoi gjatë intervistës se ka refuzuar kërkesën e Kryeministrit Berisha për të shkarkuar ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari. Kreu i republikanëve tha se kreu i Ekzekutivit i kishte kërkuar atij shkarkimin e Pinarit, nisur nga mendimi që kishte për të. “Është e vërtetë dhe ka insistuar për shkarkimin e Ylli Pinarit. Ju i dini marrëdhëniet e mia me Forcat e Armatosura, më thoni kë ushtarak kam shkarkuar unë si ministër i Mbrojtjes. Së pari, ushtaraku ka një status, që nuk është si çdo marrëdhënie tjetër. Ylli Pinari është me gradën major. Arsyeja e kryeministrit ishte që të shkarkohet Pinari për shkak të opinionit që kishte kryeministri për të. Por kryeministri nuk e dinte që kishte raporte me Delijorgjin”, tha Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›