I aksidentoi motrën, e qëllon me thikë
TIRANE - Një shtetas turk, 39 vjeç dhe një i ri nga Tirana kanë mbetur të plagosur rëndë me thikë, pasi kanë përplasur me makinë një vajzë. Ngjarja ndodhi tek rreth-rrotullimi i sheshit “Rilindja” në Tiranë, rreth orës 21:30. Mësohet se të plagosurit janë, turku Umit Biçen dhe Oltion Kola. Makina tip “Volsvagen Sharon”, me targë TR 1054 R, e drejtuar nga shtetasi turk, ka përplasur këmbësoren, Denisa Z, 24 vjeç, e cila po kthehej në shtëpi, tek pallatet “Komfort”, tek rruga e Durrësit. Në këtë moment automjeti që vinte nga rruga e Durrësit, në drejtim të Sheshit “Rilindja” edhe pse ka frenuar, ka përplasur lehtë vajzën që po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Drejtuesi dhe pasagjeri i mjetit kanë zbritur menjëherë, për të biseduar me kalimtaren, nëse ishte plagosur dhe kishte nevojë për ta dërguar në spital. Por pas aksidentit mes tyre dhe vajzës së dëmtuar ka nisur një debat, ku nuk kanë munguar edhe fyerjen mes tyre. Aq sa vajza i ka telefonuar vëllait të saj, Krenar Pali, i cili ka dalë shumë shpejt nga shtëpia që ndodhej pranë vendit të ngjarjes dhe ka shkuar për t’u sqaruar me personat, që sipas motrës së tij po e kërcënonin. I riu ka marrë edhe një thikë me vete, me të cilën ka qëlluar autorët e aksidentit. Pasi ka debatuar edhe vetë fillimisht me Umit Biçen dhe Oltion Kolën, 21-vjeçari dyshohet se i ka qëlluar me thikë duke i plagosur rëndë. Më pas është larguar bashke me motrën, për t’u arrestuar më pas me akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Dy personat e plagosur janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur procedim penal edhe për shtetasin turk, me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.