Vrasja në qendër të Tiranës, fotot zbulojnë autorin 13 vjet pas krimit
TIRANE – Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim dosjen në ngarkim të Gëzim Ndreut, të akuzuar për “vrasje me paramendim” në qershor të vitit 1997. I akuzuar për vrasjen e Besian Bercanit, Ndreu është identifikuar si autor i ngjarjes nëpërmjet fotografive prej motrës së viktimës. Ndërkohë që dosja hetimore në ngarkim të tij është pezulluar dy herë radhazi në vitin 1997 dhe në vitin 2006 për mos identifikim të autorit dhe aktet janë rikthyer në polici. Sipas Prokurorisë, vrasja ka ndodhur për shkak të grabitjes së një varëseje floriri të të akuzuarit, që kushtonte 60 mijë lekë. Dosja në ngarkim të Gëzim Ndreut është depozituar pak ditë më parë në gjykatë. Shortit elektronik i Gjykatës së Kryeqytetit ka përzgjedhur gjyqtarin Petrit çomo si shqyrtues të saj. Referuar kërkesës për gjykim, vrasja për të cilën akuzohet Gëzim Ndreu është shënuar në 4 qershor të vitit 1997 në një lokal lojërash fare pranë qendrës së Tiranës. Sipas organit pak ditë para ngjarjes Ndreu ishte konfliktuar dhe ishte rrahur fizikisht nga një grup prej katër personash, një prej të cilëve edhe viktima Bercani. Pasi ka nisur hetimet pas ngjarjes,Prokuroria i ka pezulluar ato në korrik të vitit 1997. Ndërkohë që autori nuk është identifikuar as në rihapjen e hetimeve për 4 muaj në vitin 2006, çka ka çuar sërish në pezullimin e dosjes. Gjatë hetimeve, Prokuroria ka marrë deklarimet e mbi 10 personave, të pranishëm në lokalin ku ndodhi ngjarja. Sipas deklarimeve të tyre, pas sherrit që Gëzim Ndreu kishte bërë me viktimën dhe disa shokë të tij para ngjarjes, ai ishte kthyer në lokal. Aty ka folur me bodigardin të cilit i ka thënë që tre personat që e kanë rrahur i kanë marrë varësen e floririt dhe se do t’i vriste personat që e kishin rrahur. Pasi janë marrë deklarimet e dëshmitarëve okularë të ngjarjes prokurorisë i është pohuar nga motra e viktimës, se ajo mund ta identifikonte autorin në një fotografi. Me një vendim gjykate, prokuroria ka zhvilluar kontroll fizik në banesën e Gëzim Ndreut dhe ka marrë disa foto të tij. Në përballjen me fotot e periudhës së viteve 1997 motra e viktimës ka identifikuar Ndreun. Përballje me fotografitë është bërë edhe me një nga dëshmitarët okularë në ngjarje. ar.ba