E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, grabitet filiali i bankës, arrestohet roja



Etleva Delia

Grabitet me armë filiali i Bankës Kombëtare Tregtare tek rruga “Myslym Shyri” në Tiranë. Dje në orët e mbrëmjes, policia arrestoi me akuzën shpërdorim detyre, rojen e filialit të grabitur, shtetasin Asllan Spahia. Ai ishte paraqitur në bankë dje në mëngjes dhe ishte larguar nga vendi i shërbimit rreth 10 minuta para grabitjes. Policia po heton mundësinë e bashkëpunimit të tij me autorët. Dy persona të maskuar dhe të armatosur dyshohet se kanë arritur të vjedhin 5 milionë lekë të vjetra duke kërcënuar arkëtaren. Personat që kanë kryer grabitjen, kanë pritur momentin kur filiali i bankës sapo është hapur, rreth orës 08:40 të mëngjesit të djeshëm. Ata kanë përfituar edhe nga mungesa e rojës së sigurisë, i cili ende nuk kishte shkuar në punë të paktën siç thotë policia. Sipas informacionit zyrtar të policisë së Tiranës, autorët e grabitjes kanë qenë me maska dhe duke përfituar nga pakujdesia e punonjësit të sigurimit të bankës, i cili në momentin e vjedhjes nuk ka qenë në vendin e planëzuar me shërbim, kanë realizuar vjedhjen. Një prej personave të maskuar është futur brenda dhe tjetri ka qëndruar te dera e jashtme për të kontrolluar situatën. Të dy kanë qenë të armatosur dhe njëri ka urdhëruar arkëtaren duke i drejtuar armën, që t’i fuste në çantën e tij të gjitha paratë që ndodheshin në kasë. Pasi kanë marrë paratë, që dyshohet të jetë një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetra, dy grabitësit janë larguar nëpër rrugicat që lidhin rrugën “Myslym Shyri me rrugën e Kavajës, duke fshehur gjurmët. Pas ngjarjes Policia e Tiranës ka marrë masa në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, si dhe me Punonjësit e Sigurimit të Brendshëm të Bankave, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit bankar. Për këtë ngjarje policia ofron një shpërblimin prej 10 milionë lekësh të vjetra duke garantuar ruajtjen e anonimatin dhe ka vënë në dispozicion numrat e telefonit 129 (pa pagesë) dhe 069 41 04 111. Banka Kombëtare Tregtare, nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke sqaruar se për shkak të masave të sigurisë që aplikohen në agjencitë e kësaj banke, nuk ka pasur të dëmtuar qoftë edhe nga klientët qoftë edhe nga punonjësit e bankës duke shtuar se nuk ka pasur as edhe dëmtime materiale. Sipas BKT, e gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe materialet filmike u janë vënë në dispozicion forcave të policisë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›