Dy hajdutë shqiptarë, arratisje nga burgu austriak me mjetet e kuzhinës
Dy hajdutë profesionistë, të aftë për të hyrë në apartamente, kanë rezultuar po kaq profesionistë edhe për arratisjen nga një burg i sigurisë së lartë në Austri. Kjo është historia e dy shqiptarëve, që prej tri ditësh janë kryelajmi i të gjitha edicioneve informative në shtetin austriak, pasi në këtë vend rrallëherë ndodhin arratisje prej burgjeve, aq më pak prej burgjeve të sigurisë së lartë. Prej 72 orësh, tashmë në edicionet informative të mediave austriake qarkullojnë fotot e dy shqiptareve, Kastriot Dushi, 37 vjeç dhe Kastriot Elezi, 39 vjeç, të cilët janë arratisur tri ditë më parë nga burgu i sigurisë së lartë në zonën e Eisenstadt në Austri. Arratisja e tyre, bazuar deri më tani mbi hetimet e kryera nga policia, është realizuar me mjaft mençuri e strategji të mirëmenduar. Dy shqiptarët kanë arritur t’u shmangen rojeve të burgut, duke përdorur mjetet e kuzhinës. Me këto mjete rrethanore të kuzhinës ata kanë mundur të shpërthejnë kaskën e ventilatorëve dhe nëpërmjet kanaleve të hapura për ventilimin kanë mundur të kalojnë mes mureve të burgut, pa i diktuar askush. Dy shqiptarët kanë bërë çdo gjë shumë shpejt, ndërsa kur kontrollorët e burgut kanë kuptuar atë që kishte ndodhur, ka qenë tepër vonë, pasi dy hajdutët kishin fituar lirinë. Diametri i madh i ventilatorëve të ajrimit ua ka bërë atyre më të lehtë rrugëtimin përmes mureve të burgut. Policia austriake dyshon se pas arratisjes nga ambientet e burgut, dy shqiptarët janë pritur nga një person i tretë, i implikuar në arratisje, për t’u larguar me një makinë drejt një vendi ende të panjohur për autoritetet. Policia austriake ka shpallur në të gjitha mediat fotot e dy të shumëkërkuarve shqiptarë, ndërsa deri më tani hetuesit nuk kanë asnjë të dhënë mbi personin e tretë që ka ndihmuar dy të arratisurit dhe i ka pritur përtej murit qendror rrethues të burgut. Fotot e dy shqiptarëve të arratisur u janë shpërndarë dhe policive të shteteve fqinje me Austrinë, pasi normalisht të arratisurit nga burgu gjëja e parë që synojnë është arratisja në një tjetër shtet. Kastriot Dushi dhe Kastriot Elezi, të dënuar pas disa vjedhjeve të kryera në Austri, ishin në listën e ekstradimit për në Shqipëri, proces që pritej të bëhej gjatë muajve të ardhshëm. Tashmë ndaj tyre nuk rëndojnë më vetëm dënimet për vjedhje, por edhe akuzat për arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit.