E Diel, 1 Nëntor 2026

I alkoolizuar dhe i braktisur nga gruaja shtyn nënën, godet motrën me sopatë

29/03/2005  Mjekët i heqin shpretkën të dëmtuarës, prangoset agresori

POGRADEC- Një 45-vjeçar ka masakruar të motrën me sopatë, duke e plagosur rëndë, por më pas ka përfunduar vetë në prangat e policisë. Hasan Sinenllari i ndodhur nën avujt e alkoolit, ka shkuar pranë krevatit ku flinte e motra, e divorcuar prej disa vitesh dhe e ka qëlluar atë më sëpatë, duke e lënë të plagosur rëndë, aq sa mjekët e spitalit të qytetit të Pogradecit kanë qenë të detyruar që t’i heqin shpretkën motrës së tij, Saberka Sinenllari. Burime të policisë lokale kanë thënë dje për gazetën “Metropol” se, krimi më i fundit brenda familjes në zonën e komisariatit të tyre ka ndodhur në të gdhirë të ditës së djeshme. Të njëjtat burime saktësuan se, Saberka, 35-vjeçare, nënë e një djali, është qëlluar më sëpatë nga vëllai i saj 45-vjeçar, Hasan Sinenllari dhe, sipas hetimeve të para, autori i ngjarjes, tashmë i arrestuar, e ka kryer krimin në gjendje të dehur.

Plagosja

Pak pas mesnatës së të dielës, 45-vjeçari Hasan Sinenllari, baba i tre fëmijëve, i divorcuar dhe ky si e motra, është rikthyer në shtëpi pas disa orësh të kaluara duke konsumuar alkool. Sipas dëshmive të familjarëve dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes të bërë më pas nga policia, ai është futur me një sëpatë në dhomën ku flinte e ëma dhe e motra. Nëna e tyre 75-vjeçare, Kimetja, e ka ndier të birin që ka ardhur në shtëpi dhe është ngritur menjëherë nga krevati për të parë se çfarë donte apo mund të kishte nevojë. Sipas hetimeve, Hasani e ka shtyrë nënën disa metra dhe më pas, me pjesën e pasme të sëpatës, ka qëlluar disa herë mbi trupin e motrës së tij. 35-vjeçarja ka marrë goditje të rënda, sidomos në pjesën e barkut. Ajo është dërguar me urgjencë në spitalin e Pogradecit, ku dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, që ka zgjatur disa orë. Sipas burimeve policore, mësohet se Saberka Sinellarit i është hequr shpretka, për shkak të dëmtimit nga goditja me sopatë. Bluzat e bardha që kanë ndjekur gjendjen e pacientes 35-vjeçare, kanë thënë se përveç dëmtimit të parikuperueshëm të shpretkës, gruaja vuan dhe nga një pleumoni të rëndë, që i ka bllokuar njërën mushkëri, duke e komplikuar më tepër gjendjen e saj.

Motivi

Autori i krimit të ndodhur mëngjesin e djeshëm kishte disa kohë që ishte kthyer në një konsumator të rregullt të alkoolit. Para disa kohësh, 45-vjeçari që plagosi rëndë dje të motrën me sopatë, ishte divorcuar nga gruaja e tij, e cila, pasi ka shitur shtëpinë ishte larguar në drejtim të Greqisë së bashku me tre fëmijet e tyre. Ky ka qenë dhe shkaku që Hasani është bërë një konsumator i rregullt i alkoolit. Sipas të afërmëve, ai kthehej çdo natë i dehur në shtëpi. Pas divorcit të Hasanit, situata në familje ka qenë gjithnjë e tensionuar. Hasan Sinellari para se të rikthehej, po ashtu si e motra pranë familjes së tij atërore, kishte jetuar për vite me radhë në Lushnjë, nga ishte me origjinë ish-bashkëshortja e tij. Po sipas të njëjtave burime zyrtare të policisë, mësohet se shtetësja Saberka Sinellari, e plagosur nga vëllai në orët e para të ditës së djeshme, ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj nga Elbasani, që prej rreth 14 vitesh. Nga martesa e saj e palumtuar dhe e mbyllur me divorc në gjykatë, ajo ishte kthyer pranë familjes së saj në Pogradec së bashku me djalin e saj, Arturin. Sipas asaj çka kanë deklaruar dje të afërmit për grupin e hetimit, mësohet se 35-vjeçarja mblidhte çdo ditë kanaçe pranë vendeve të grumbullimit të plehrave dhe i shiste së bashku me djalin per të siguruar bukën e përditshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›