E Diel, 1 Nëntor 2026

I arratisuri nga burgu i Trikalas, grabitje në banesën e Argita Malltezit

fatos sylajSipas medias greke, që ka cituar burime të policisë vendase, një prej të arratisurve nga burgu i Trikalas, ka qenë implikuar në grabitjen e banesës së Argita Malltezit, vajzës së kryeministrit Sali Berisha, në Tiranë.

Siç bën të ditur e përjavshmja greke, Real News, grabitja kishte ndodhur më 22 tetor 2005 dhe policia shqiptare kishte identifikuar shenjat e gishtërinjve të dy personave, njëri prej tyre, gjithmonë sipas gazetës greke, ishte Fatos Sylaj, i datëlindjes 1982, i cili para tre muajsh u arratis me dhjetë bashkatdhetarë të tjerë të tij nga burgu i Trikalas në Greqi.

Real News jep detaje për vjedhjen e ndodhur në vitin 2005 në banesën e çiftit Malltezi, ku sipas citimeve të policisë greke, hajdutët kishin hyrë nga pjesa e mbrapme dhe thuhet, u morën sasi të konsiderueshme parash dhe bizhuteri.

Ndërsa vazhdojnë pa asnjë rezultat kërkimet e policisë për gjetjen e Marjan Kolës dhe Ilir Kupit, dy të arratisur të tjerë nga burgu i Trikalas, për Fatos Sylajn burimet e policisë greke thonë se ai është ndarë nga të tjerët që nga momenti i arratisjes dhe tashmë ndodhet në Kosovë.

Sipas policisë, Sylaj akuzohet për të paktën 30 grabitje me armë në Korfuz, Igumenica dhe zona të tjera të Greqisë perëndimore./Tribuna/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›