E Diel, 1 Nëntor 2026

I arrestuari mohon autorësinë e vrasjes në Malësi të Madhe

SHKODER – E ka mohuar dhe në sallën e gjyqit akuzën për vrasjen e dyfishtë në Malësi të Madhe 35-vjeçari Ardian Narkaj.

“Nuk i kam vrarë unë Tonin dhe Gjergjin”, kanë qenë fjalët e të arrestuar për ngjarjen e ndodhur mesnatën e 7 majit në fshatin e largët, Bratosh. Ai është përballuar me togat e zeza për të mësuar masën e sigurisë, pasi policia e arrestoi si të dyshuarin e vetëm për autorësin e vrasjes së Ton Ulajt dhe Gjergj Shotajt, dy bashkëfshatarë të tij. Prokurorja e kësaj çështjeje, Edlira Cufi ka pohuar të kundërtën e Narkajt duke pohuar se 35-vjeçari është  personi që ka lidhje me vrasjen dhe dyshohet si autor i saj. Pas deklarimeve të saj prokurorja ka kërkuar shpalljen të ligjshëm të arrestimit të Narkajt nga policia si dhe masën e sigurisë arrest me burg pa afat. Ndërsa avokati mbrojtës, Bashkim Muslia ka kërkuar nga trupi gjykues që të vendoset si masë sigurie “arrest në shtëpi”, duke mohuar akuzën për vrasje të dyfishtë. Pasi ka dëgjuar të dy palët, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Valbona Duraj vendosi lënien në qeli të Ardian Narkajt, deri në fund të hetimeve. Ai është arrestuar me akuzën e “vrasjes me rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Sipas burimeve te policisë ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit mes autorit të krimit dhe dy viktimave. Nga verifikimi i vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 18 copë gëzhoja model 56, 6 copë gëzhoja model 54, si dhe një armë zjarri automatike. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit të dyshuar Ardjan Narkaj nga uniformat blu, është bërë e mundur gjetja e armëve, me të cilat mendohet se është realizuar krimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›