E Shtunë, 31 Tetor 2026

I arrestuari në konflikt prej 15 vitesh me Ben Qimen

Historia e përplasjes mes dy rivalëve të egër që prej vitit 1994 deri sot

Selami Hasani ka regjistruar tashmë një konflikt 15-vjeçar me një tjetër emër të njohur në Fier, Arben Isufin. Herët, në fund të viteve ‘80 dhe në fillimvitet ’90, Hasani dhe Isufi kanë qenë pjesë e të njëjtit grup shoqëror në Fier. Nga ana e tij Arben Isufi e ka kaluar fëmijërinë dhe pjesën më të madhe të jetës në lagjen “Sheq i Madh”, në një bashkësi shtëpish përdhese ku fqinjë kishte xhaxhallarët e tij. Asokohe ai ka qenë shpeshherë i skeduar si “huligan” pikërisht falë shoqërisë së tij me një grup djemsh që u quajtën si “grupi i Selit”, që drejtohej nga i arrestuari i djeshëm Selami Hasani. Ky i fundit do të kthehej vite më vonë në një nga kundërshtarët më të egër dhe më të betuar të tij. Në mesin e viteve ’90, në grupin e Selit do të nisnin dhe mosmarrëveshjet e para, të cilat më shumë se për arsye financiare, flitet se u nxitën nga thashethemet që qarkullonin. Nga njëra anë Arben Isufi dhe, në anën tjetër, tre djem të fisit Koçia.
Pozicionimi
Në këtë kohë Selami Hasani (Seli), i cili kishte një ndikim të fortë në grup, nuk u pozicionua, por në mënyrë të beftë, vëllai i tij, Vladimiri, së bashku me disa përfaqësues të fisit Koçia, ekzekutuan në një bilardo, fare pranë shtëpisë së Isufit, të atin e tij, Enver Isufin. I ati i Arbenit njihej si më i respektuari dhe më i kujdesshmi ndër vëllezërit e tij dhe shpeshherë kishte qenë vendimtar në mbylljen e ngatërresave të së kaluarës. Vrasja e Enver Isufit në vitin 1994 ishte një “rrufe në qiell të hapur” pasi ai nuk kishte kurrfarë lidhje me mosmarrëveshjet që lindën mes grupit ku bënte pjesë i biri. Megjithatë, natën e vrasjes së Enver Isufit u ekzekutua dhe shoferi i taksisë që e kishte çuar Vladimir Hasanin në vendin e vrasjes, ndonëse shoferi nuk kishte dijeni se ç’do të ndodhte. Vrasja e babait të Arben Isufit “shpalli” armiqësinë dhe hasmërinë direkte mes tij dhe fisit të Hasanëve, që deri në vitin 1997 gëzonin reputacionin e të “paprekshmëve”. Nga viti 1994 deri në vitin 1997 Arben Isufi ka jetuar më shumë në Itali dhe gjetkë, ndërsa viti 1997 do ta gjente në një gjendje të mirë financiare dhe me një grup shokësh shumë të madh dhe të besuar.
Goditja
Në vitin 1998, në qendër të qytetit, ekzekutohet në makinën e tij Vladimir Hasani, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait të vdekur nga leucemia. Dy vite më vonë u ekzekutua në Tiranë Pirro Koçiu, i cili konsiderohej dhe si “strumbullari” i konfliktit mes Arben Isufit dhe fisit të Hasanëve në Fier. Arben Isufi u akuzua një vit më parë për këtë vrasje, por gjykata e gjeti krejt të paprovuar këtë vendim të prokurorisë. Madje, një qime floku e gjetur në vendin ku u vra Koçiu, për të cilën prokuroria pretendonte se i përkiste Isufit, e futi prokurorinë në një qerthull skandali sepse doli se përgjigjja e analizave të ADN-së (që vinte nga një laborator në Angli), kishin mbërritur në Tiranë përpara se prova të nisej në Angli. Pas Pirro Koçiut u ekzekutua në Spanjë dhe kushëriri i tij, Shpëtim Koçiu, pronar i hotel “DEA” në Sarandë, megjithatë, edhe sot nuk ka një akuzë për këtë vrasje. Më pas, po në mes të qytetit të Fierit, ekzekutohet Julian Isufi dhe plagosen dy persona që ishin në një fuoristradë me të. Julian Isufi ishte djali i xhaxhait të Arbenit dhe njeriu më i besuar i tij. Në këtë aksident gjeti vdekjen edhe një kambist, që ishte fare rastësisht aty. Pikërisht për këtë vrasje gjykata ka dënuar Selami Hasanin, i cili u arrestua dje në mëngjes.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›