E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-të refuzojnë deportimin e dëshmitarit të vrasjes së Azem Hajdarit

Rustem Neza, dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit, përfundimisht do të qëndrojë në SHBA

Zyra e Emigracionit në Shtetet e Bashkuara vendosi të mbajë në SHBA azilantin shqiptar Rustem Neza, për të cilin deri në këtë moment ishte vendosur deportimi në Shqipëri. Avokati i tij, Xhon Gibson, tha se një gjykatë në SHBA rrëzoi urdhrin për deportimin e tij pas një incidenti që ndodhi me Nezën në SHBA në vitin 2007, kur Zyra për Emigracionin vendosi deportimin e tij. Gjatë kohës që agjentët po ekzekutonin urdhrin për deportimin e Nezës në Shqipëri, Neza nisi të shfaqte shenja ankthi në aeroport dhe agjentët pezulluan dërgimin e tij. E ka quajtur veten si një nga dëshmitarët e vrasjes të cilësuar si vrasja e shekullit. "Nëse kthehem në Shqipëri do të më vrasin, pasi unë jam dëshmitar në vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari", - pohonte emigranti shqiptar në SHBA, Rustem Neza. Sipas një gazete të përditshme, "The Dallas Morning News", Rustem Neza, një refugjat shqiptar që ka bërtitur me zë të lartë gjatë deportimit kur piloti në Dallas ka refuzuar që ta lërë atë në bord sepse shpresonte se Zyrës së Emigracionit do t'i ndryshonte mendja dhe do t'i jepte atij një shans për të qëndruar në këtë vend.
Avokati
Avokati i Nezës, Xhon Gibson, ka kërkuar në vitin 2007 që klientit të tij t'i rihapet edhe njëherë çështja në Departamentin e Emigracionit në SHBA, pasi gjendja e klientit të tij nuk është e mirë. "Neza, 32 vjeç, është i sigurt për vdekjen e tij nëse do të rikthehet në Shqipëri, pasi ai është dëshmitar dhe është në dijeni për vrasjen politike të vitit 1998 në Shqipëri, një shtet në Europë me 3.6 milionë, i cili ka dalë nga komunizmi në vitin 1990", - argumentonte avokati i emigrantit, Gibson, në vitin 2007.
Kërkimi i azilit
"Rikthimi i tij në Shqipëri është një mënyrë 100 për qind që ai do të ekzekutohet", - pohon vëllai i Rustemit, Xhemal Neza, 34 vjeç. Ky i fundit tregon se "vëllai im është dëshmitar i vrasjes së aktivistit Azem Hajdari". Ndërkohë, vëllai më i madh i familjes Neza, vullnetar i liderit të demokracisë, Hajdari, ka fituar azilin politik në Amerikë. "Rustem Neza është përpjekur që të fitojë azilin politik para se ai të mbërrinte në aeroportin “Miami International” në janar të 2001-shit. Por ai ka përdorur një pasaportë italiane për t'u futur në SHBA", - tregon vëllai i tij. Avokati i emigrantit, Gibson, gjithashtu ka paraqitur në vitin 2007 prova për peticionin e një polici shqiptar, i cili punonte për Partinë Socialiste, ndërkohë që ka ndjekur Rustem Nezën, vëllanë e tij dhe kushëririn, sepse ata dinin rreth vrasjes. Më pas avokati ka kërkuar që të ndalohet menjëherë deportimi i Rustem Nezës, gruas dhe djalit të tij. Është një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të cilët kanë fituar azil politik në Amerikë. Nëse do t’i marrim vit për vit, ata janë rritur në numër. Sipas së përditshmes "The Dallas Morning News", vitin e fundit në SHBA kanë marrë azil politik 26 113 persona, mes tyre janë 548 shqiptarë.

Përfaqësitë ndërkombëtare shprehin solidaritetin ndaj krerëve të Policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ngushëllohet nga partnerët ndërkombëtarë për rënien në detyrë të katër oficerëve të Policisë; Fatos Xhani, Saimir Duçkallari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari, të cilët u vranë nga Dritan Dajti gjatë operacionit për kapjen e tij javën e kaluar në Durrës. Prençi ka marrë një mesazh ngushëllimi nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, John L. Withers, i cili i shprehu kreut të Policisë ngushëllimet më të sinqerta për familjet e katër oficerëve që ranë krye të detyrës. “Vdekja e 4 oficerëve të përkushtuar të Policisë dëshmon rëndësinë e madhe të punës së tyre dhe na sjell në kujtesë çmimin e tmerrshëm që kërkon zbatimi i kësaj detyre”. Një tjetër mesazh ngushëllimi Prençit i ka mbërritur nga sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Roland K. Noble. “Është përherë e trishtueshme të mësosh vdekjen e kolegëve tanë në bashkësinë ndërkombëtare të Policisë, sidomos në raste të tilla ku oficerët vendosën sigurinë e publikut mbi jetët e tyre. Më lejoni t'ju përcjell ngushëllimet e përzemërta në emër të gjithë punonjësve të Zyrës Qendrore të Sekretariatit të Përgjithshëm për humbjen e katër oficerëve”, - thuhet në mesazhin e zotit Noble. Ndërsa në mesazhin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, OSBE, shefi i saj, Robert Bosh, ka përcjellë ndjenjat e solidaritetit dhe respektit më të thellë për Policinë e Shtetit dhe familjet e katër oficerëve. Mesazhe ngushëllimi kanë mbërritur dhe nga Zyra Ndërlidhëse Policore Italiane e Interforcës në Shqipëri, nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë dhe Delegacioni Italian i Ekspertëve, ku shprehet dhe një herë dhimbja njerëzorë për humbjen e atër oficerëve dhe solidariteti për çdo formë të mundshme bashkëpunimi, në luftën kundër krimit.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›