E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos kalimtaren 45-vjeçare, “arratiset” shoferi



Një 45-vjeçare është përplasur nga një automjet, i cili u largua nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë as ndihmën e parë. Aksidenti ndodhi në superstradën Rrëshen-Kalimash të rrethit Mirditë, në vendin e quajtur fshati Mashterkor, të komunës Orosh, kur një mjet tip “Benz” me targa të huaja ka përplasur 45-vjeçaren Dava Luka, banuese në fshatin Mashterkor. Mjeti i aksidentit u largua me shpejtësi ndërsa ndihma e parë të dëmtuarës iu dha nga kalimtarët e rastit, të cilët e transportuan atë drejt spitalit të Rrëshenit nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje, bëri të ditur se po punohet për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të mjetit.

Përmet, 23-vjeçari tenton të vrasë fqinjin, policia e arreston në kufi

Konflikti për pronat për pak sa nuk i ka marrë jetën një shtetasi 47 vjeç nga fshati Kutal i Përmetit. Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti njoftojnë se rreth orës 08:30 të mëngjesit të ditës së djeshme, Erjon Goxhaj, 23 vjeç ka tentuar të vrasë me mjete të forta bashkëfshatarin e tij pas një konflikti për çështje pronësie. Sipas policisë, 47-vjeçari si pasojë e goditjes ka marrë plagë në kokë dhe është transportuar menjëherë në Spitalin e Përmetit, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas kryerjes së veprës penale autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Rreth orës 15:00, specialistët e Seksionit Kundër Krimit ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me forcat e Policisë Kufitare, kanë bërë të mundur arrestimin e këtij shtetasi në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa po tentonte të kalonte për në shtetin grek pasi dispononte pasaportë dhe vizë të rregullt.

Vjedhin një makinë, në pranga dy të rinjtë
Dy moshatarë janë arrestuar dje pasi akuzohen se kanë vjedhur një automjet. Skënder Çela, 25 vjeç dhe Artan Laçi, 25 vjeç, banues në Laç, të dy të dënuar më parë për vjedhje, u arrestuan nga efektivat e komisariatit të policisë sepse dje, në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur automjetin tip “Benz”, me targa TR 2873 D, në pronësi të një qytetari. Në momentin e kapjes nga shërbimet e policisë, dy të rinjtë kanë tentuar t’u shmangen punonjësve të policisë, duke braktisur më pas automjetin e vjedhur. Por policët sërish kanë mundur të kapin autorët e dyshuar ku i kanë shoqëruar atë në komisarit. Pasi u morën në pyetje, moshatarëve iu komunikua masa e arrestit për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim dhe të “kundërshtimit të punonjësve të rendit publik”.

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›