E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA arreston “Selin e malit” në Fier, rivalin e vjetër të Ben Qimes

Selami Hasani u arrestua në orët a para të mëngjesit të djeshëm në shtëpi

Forcat speciale “RENEA” arrestuan mëngjesin e djeshëm në Fier Selami Hasanin, i njohur ndryshe me nofkën “Seli i malit”, i cili është një prej emrave më të njohur dhe më të vjetër të nëntokës së “të fortëve” në këtë qytet. I shumëkërkuari Selami Hasani, i cili është dënuar për vrasjen në vitin 2003 të nipit të Ben Qimes, u arrestua dje herët në mëngjes, në një operacion special të policisë. Mësohet se i shumëkërkuari tentoi të arratisej nga shtëpia ku gjendej i fshehur, por për shkak të rrethimit policor dështoi dhe u dorëzua më tej pa bërë rezistencë. Operacioni i koduar “Parukieri” u krye nga forcat speciale “RENEA”, në bashkëpunim me forcat policore lokale, bën të ditur një burim zyrtar i Drejtorisë së Policisë së Fierit. Nga ana e strukturave të policisë ishte marrë informacioni se shtetasi në kërkim, Selami Hasani, fshihej në banesën e tij. “Në momentin që po ndërhyhej në banesë, personi në kërkim, Selami Hasani, tentoi të largohej nga pjesa e pasme e banesës, por nuk ka mundur të largohej dhe është arrestuar nga forcat e policore”, - konfirmoi policia.
“Parukieri”
Burime policore bëjnë të ditur se Selami Hasani prej disa muajsh ishte stacionuar në qytet pas rikthimit në Shqipëri duke u treguar shumë i vëmendshëm gjatë lëvizjeve të tij jo vetëm për shkak se kërkohej nga policia, por edhe sepse ai rezulton se ka ende “hesape” të pambyllura me rivalët e tij. Selami Hasani njihej në Fier me nofkën “Seli i malit”, pasi ai ishte spikatur si një kapobandë në fund të viteve ‘80 në zonën e quajtur Mali i çamëve në Fier, një lagje e njohur, që ndodhet në skajin jugperëndimor të qytetit dhe që përbëhet nga një numër i madh vilash luksoze (dikur shtëpi përdhese) të vendosura në një kodër, në majën e së cilës ndodhet kompleksi tregtar “Kusçamaja”, që është në pronësi të familjes së Selami Hasanit. Kodifikimi që forcat policore i bënë aksionit për kapjen e Selami Hasanit duket se nuk është i rastësishëm, pasi prej disa javësh policia kishte informacione se i shumëkërkuari, në daljet e pakta në qytet, dilte i maskuar me kujdes.
Operacioni
Në momentin e kapjes atij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy pistoleta, nga të cilat njëra, “TT” me 13 copë fishekë dhe një “Zastava” (Magnup) me 14 copë fishekë. 43-vjeçari, akuzohet për vrasjen e dy personave dhe plagosjen rëndë të një të treti, në një ngjarje të ndodhur gjashtë vjet më parë në qytetin e vendbanimit. Bëhet fjalë për ekzekutimin në mes të qytetit të të riut Julian Isufi, nipi i Ben Qimes, siç njihet Arben Isufi, më 25 mars 2002. Viktima gjendej së bashku me shokun e tij, Bledar Kastrati, i cili u plagos rëndë në këtë ngjarje. Po ashtu humbi jetën edhe kambisti Esat Tare, kurse u plagos dhe kalimtari Taip Sulaj. Gjithçka ndodhi në momentet kur dy të rinjtë po këmbenin një shumë të hollash në tregun e kambistëve të qytetit. Krimi u krye nga Selami Hasani, në bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha. Policia tha atëherë se ngjarja erdhi për shkak të hasmërive të vjetra mes familjeve Hasani dhe Isufi dhe pak kohë më vonë Selami Hasani u dënua, më 3 nëntor 2004, me vendim të Gjykatës së Rrethit Fier, me 25 vjet heqje lirie.

H. Hasani

13 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›