E Diel, 1 Nëntor 2026

I arrestuari për abuzime kalon hipertension në qeli

Një prej tre të arrestuarve në OSSH-në e Fierit për abuzime në vendosjen e sahateve matës ka lënë qelinë e burgut për disa orë, pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Mësohet se në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Fier, Pajtim Halili ka kaluar hipertension e për pasojë është detyruar të marrë mjekim të menjëhershëm. Sipas burimeve policore fierake mësohet se rreth orës 12:00, të mesditës së diel, i ndaluari Përparim Halili ka kërkuar prezencën e punonjësit roje në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë. Kolegu i tij i dhomës i ka treguar gardianit se është sëmurë. Menjëherë është thirrur ambulanca e spitalit rajonal, e cila nuk ka vonuar që të mbërrijë në vendin e ngjarjes. I futur në ambulancë dhe i shoqëruar me policë, si dhe me një eskortë me mjete policie, i sëmuri është drejtuar për në urgjencën e spitalit Fier. Në urgjencë, i ndaluari Halili është vizituar dhe mjeku i gatshëm, pasi ka kryer veprimet e para të vizitës ka konstatuar një hipertension tek i ndaluari. "Tensioni i tij i lartë kishte shkuar në 28, gjë që mund t‘i shkaktonte çarje venash dhe hemorragji cerebrale, pohuan për "Shqip" bluzat e bardha të spitalit rajonal Fier. Për afro tre orë, i ndaluari Halili ka qëndruar nën vëzhgimin e rreptë të mjekëve të urgjencës, ndërkohë që, pasi është përmirësuar gjendja e tij shëndetësore, është ridërguar në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Fierit. Në spital janë paraqitur edhe familjarë të Halilit, të cilët ishin informuar se ai ishte shtruar në spital. Ata, pasi është vizituar dhe është përmirësuar disi i arrestuari, janë lejuar që ta takojnë të ndaluarin në dhomën e urgjencës, ku merrte mjekimin. Pajtim Halili është arrestuar së bashku me dy kolegët e tij, Gertian Bilero dhe Roland Saliu, dy ditë më parë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, të hënën pritet që të tre të arrestuarit të përballen me togat e zeza, të cilat do të vendosin për masën e sigurisë ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›