I arrestuari për trafik, kërkohet ekstradimi nga SHBA
Sipas FBI-së, 21-vjeçari shkodran i përfshirë në një grup që merrej me trafik mjetesh motorike
Shkodër-I ndaluari nga policia e Shkodrës, 21-vjeçari Besmir Boshnjaku, mësohet se do të përballet me vlerësimin e masës së arrestit në gjykatën e Shkodrës. Burimet policore bëjnë me dije se FBI dhe autoritetet amerikane kanë bërë gati kërkesën për ekstradimin e tij. Burime nga policia e Shkodrës sqarojnë se ndalimi i Boshnjakut, është bërë pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar nga Byroja Federale e Hetimit në SHBA. Sipas informacioneve të sjella nga policia amerikane, ai ka emigruar në SHBA së bashku me familjen e tij në vitin 1998, me anë të lotarisë amerikane. Atje, me kalimin e viteve ai dyshohet se është përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikimin e mjeteve motorike të vjedhura, në Nju Jork. Sipas hetimeve të FBI-së, ky grup i përbërë nga disa persona qarkullonte rreth 1 milion $, të siguruar nga aktiviteti i tyre kriminal. Së bashku me të tjerë, 21-vjeçari është ndaluar nga autoritetet e policisë amerikane në muajin korrik të këtij viti, por më pas është lënë i lirë kundrejt vënies së një shume tëkonsiderueshme garancie pasurore, ndërsa ka pasur detyrim për paraqitje pranë autoriteteve të hetimit. Këtë ai nuk e ka bërë dhe është larguar nga SHBA-ja me itinerarin Nju Jork-Athinë e më pas ka ardhur në Tiranë, e në vendlindjen e tij në Shkodër. Në kërkesën që motivon shpalljen në kërkim ndërkombëtar të 21-vjeçarit shkodran, shpjegohet se largimi i tij dhe mosparaqitja pranë FBI-së konsiderohet në SHBA, si një shkelje e rëndë e ligjit federal, dhe kjo ka bërë që kërkesa për ndalimin e tij, t'i përcillet të gjitha vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë. Pas ndalimit të bërë nga policia e Shkodrës, të riut i janë marrë shenjat e gishtërinjve dhe është bërë krahasimi i tyre me ato të sjella nga FBI, ku ka rezultuar se bëhej fjalë për të njëjtin person. Mësohet se vetë i ndaluari ka pohuar se ai nuk është i përfshirë në ndonjë trafik mjetesh as në ndonjë vepër penale në SHBA, apo kudo tjetër dhe për këtë është lënë i lirë nga gjykata amerikane. Pritet ardhja zyrtare e kërkesës për ekstradim të 21-vjeçarit, ndërsa deri atëherë do jetë gjykata e Shkodrës ajo që do vendosë masën e sigurisë ndaj tij.