E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e postës në Mollas, pranga përgjegjësit

 
Policia arreston përgjegjësin e Albpostës, Shkëlqim Frakulli: Iu gjetën në shtëpi 4 milionë lekë nga paratë e pensionistëve
 
Hetimet: Paratë ishin marrë pjesë- pjesë dhe në fund u simulua një vjedhje. Të dyshuarit, pjesë e administratës
ELBASAN- Një ditë pas konstatimit të vjedhjes së postës në Mollas të Elbasanit, nga e arka e të cilës u zhdukën 60 milionë lekë, policia ka ekzekutuar arrestimin e parë. Prangosja është bërë pas vendimit të prokurorisë së rrethit gjyqësor në Elbasan, për ndalimin e një prej personave të dyshuar për vjedhjen e bujshme të Albpostës, Shkëlqim Frakulli. Sipas burimeve zyrtare të policisë, të dhënat e hetimeve të para lidhur me grabitjen kanë nxjerrë përgjegjës Frakullin. "Ai është përgjegjës për shpërndarjen e parave të pensionistëve dhe u ndalua, pasi akuzohet se ka vjedhur në intervale kohore të ndryshme rreth 60 milionë lekë të vjetra",- thonë burimet policore, që sqarojnë se priten edhe dy ndalime të tjera, por pa dhënë detaje rreth identitetit të të akuzuarve. Të gjithë, punonjës të administratës, të cilët pas përvetësimit të parave nga arka, simuluan një vjedhje, që nuk iu rezultoi ashtu si e kishin menduar.
Ndalimi
Masa e ndalimit ndaj Frakullit, është vendosur në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, pasi janë siguruar paraprakisht provat që e implikojnë në këtë vjedhje. E qartë tashmë është një gjë. Në këtë grabitje, sipas provave të mbledhura, përfshihen punonjësit e administratës. Mësohet se gjatë ndërhyrjes së policisë dhe grumbullimit të provave në fund të arkës së Albpostës janë gjetur 1.5 milionë lekë të vjetra. Po kështu gjatë kontrolleve në banesën e Frakullit janë gjetur 4 milionë lekë të vjetra, të cilat dyshohet se i përkasin shumës së madhe të zhdukur nga arka e Mollasit.
Kundërshtimi
Burime nga policia bëjnë të ditur se ende Frakulli nuk ka pranuar asnjë akuzë. Ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me grabitjen e bërë në arkën e degës së Albpostës në Mollas. Por, sipas grupit hetimor, ndaj tij ekzistojnë prova që e implikojnë. Po kështu janë pjesë e hetimit edhe dy të dyshuar të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur nga policia. Sipas të dhënave të grumbulluara nga grupi hetimor dyshimet për formën e vjedhjes kanë mbuluar vetë punonjësit e filialit të Albpostës në komunën Mollas, mbi 30 km larg qytetit të Elbasanit.
Vjedhja, pjesë-pjesë
Shuma prej 60 milionë lekësh, që mëngjesin e së mërkurës rezultoi e zhdukur nga arka nuk është rrëmbyer e gjitha njëherësh. Mësohet se paratë janë larguar pjesë-pjesë nga arka dhe dy ditë më parë është simuluar një vjedhje, por jo shumë e studiuar. Kjo, sepse policia nuk e ka pasur fare të vështirë ta zbulojë, madje të vërë në pranga edhe një nga të dyshuarit. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e sasisë tjetër të parave, pasi në arkë duhet të ishte një shumë e konsiderueshme.Aktualisht rreth 1200 pensionistë dhe punonjës të administratës nuk kanë mundur të marrin paratë këtë fundviti për shkak të kësaj vjedhjeje.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›