E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ashpër me Jakupin

Jakup Krasniqi nuk pajtohet me EULEX’in për imunitetin e deputetëve që janë nën hetime. Ai thotë se Kuvendi nuk ka të drejtë të detyrojë Qeverinë që këtë çështje ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Krasniqi preferon që Qeveria vetë të merret me këtë punë. Pieter Feith vlerëson se kërkesa e EULEX’it për Parlamentin është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. Nga Express më 13 korrik 2011 në ora 07:19

Çështja e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që janë nën hetime është komplikuar edhe më shumë. Të gjitha institucionet hezitojnë të merren me këtë.

Misioni i BE’së ka kërkuar të sqarohet imuniteti i deputetëve në kohën kur kishte provuar të lëshojë një fletarrestim për deputetin Fatmir Limaj, para disa muajsh, pas arrestimit të një grupi të pjesëtarëve të UÇK’së.

Para disa ditësh, Shefi i Misionit të EULEX’it, Xavier Bout de Marnhac, i ka dërguar një letër kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, nga i cili ka kërkuar që Parlamenti të autorizojë Qeverinë që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë se në cilat raste imuniteti mbron deputetët.

“EULEX’i i ka shkruar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve nga arrestimi. EULEX’i mbështet pikëpamjen e prokurorit të shtetit që duhet të ketë sqarime rreth çështjes e imunitetit. Kjo do të jetë në dobi të të gjithëve”, ka thënë për Express, Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX’it.

Ai bëri të ditur se “letra kërkon nga Kryetari të ftojë Kuvendin për të nxjerrë një rezolutë në të cilën do t’i kërkohet Qeverisë për të referuar çështjen e imunitetit në Gjykatën Kushtetuese për një vendim përfundimtar”.

Zëdhënësi i EULEX’it thotë se “Kuvendi është vendi i duhur për këto diskutime, pasi që kjo çështje ndikon drejtpërdrejt te deputetët”.

Për këtë letër ka folur të martën edhe Shefi i ICO’së, Pieter Feith.
“Mendoj se kjo kërkesë është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se ai nuk ka marrë asnjë letër për imunitetin e deputetëve. “Qeveria nuk përzihet në autoritetin e Parlamentit të Republikës së Kosovës. Pushtetet janë të ndara”, ka shtuar ai.
Mirëpo, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi vlerëson se Kuvendi nuk është adresa e duhur për të referuar këtë çështje. Në mbledhjen e djeshme, ai i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë së Parlamentit me një draft-letër të cilën e ka hartuar si përgjigje ndaj kërkesës së Shefit të EULEX’it.

Krasniqi ka thënë se nuk është përgjegjësi e Kuvendit që të merret me çështjen e imunitetit. Andaj, ai i ka sugjeruar EULEX’it që bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Qeveria vetë mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

“Në rastin konkret, do të ishte normale që Qeveria e cila ka shprehur interes për një rezolutë të tillë, ta paraqesë këtë iniciativë në Kuvend dhe Kryesia e Kuvendit do ta trajtojë atë sipas Rregullores së Kuvendit”, thuhet në letrën e Krasniqit, të cituar nga mediat lokale.

Në këtë letër, Krasniqi thekson se nuk ka nevojë të miratohet një rezolutë në Kuvend, kur Qeveria me Kushtetutë i ka të përcaktuara të drejtat e saj në këtë drejtim, ka raportuar Europa e Lirë.

“Është shqetësuese të vërejmë që Qeveria kërkon një akt jodetyrues si rezoluta që të ushtrojë një funksion të saj kushtetues. Nëse do të ishte nevoja e një rezolute të Kuvendit për ta vënë në lëvizje Qeverinë që kjo e fundit ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuta do ta kishte përcaktuar një gjë të tillë. Për mendimin tonë, një rezolutë e tillë do të ishte në vetvete një akt antikushtetues, sepse do të shkelte të drejtën e Qeverisë për ta përdorur paragrafin 10 të nenit 93 në lirinë dhe diskrecionin e saj të plotë”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Kjo letër nuk është përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka vlerësuar se nuk ka nevojë t’i njihet EULEX’it kjo e drejtë që e ka kërkuar.

Anëtari i Kryesisë së Parlamentit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka deklaruar se sa i përket imunitetit, nuk ka shumë kundërthënie mes Ligjit për përgjegjësinë e deputetit dhe Kushtetutës së Kosovës, ngase sipas tij, këto dokumente e specifikojnë shumë mirë deri ku e përfshin fusha e imunitetit të deputetit.

“Nëse është për korrupsion, le ta thotë Prokuroria e Kosovës për cilin person po flisni, sepse ne nuk po e dimë. Këtu po thonë çështja e imunitetit të deputetëve të Kosovës. Na shpjegoni për cilin deputet e keni fjalën dhe na shpjegoni për çka po dyshohet ai. Atëherë, kjo punë diskutohet dhe hiqet imuniteti, nuk ka kurrfarë problemi”, ka thënë Konjufca.

Në orët e vona të mbrëmjes, Kuvendi ka sqaruar se “nuk i është dërguar letër EULEX-it, por është prezantuar vetëm një letër- draft, e cila ka qenë vetëm për Kryesinë”.

Reagimi i Dellit
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell ka reaguar ashpër ndaj refuzimit të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi për të kërkuar heqjen e imunitetit të disa deputetëve që janë nën hetime.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, të martën, Ambasadori Dell tha se me këtë qëndrim, kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, “ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij”.

Ai tha se përderisa zoti Krasniqi “nuk dëshmon ndjenjë më të lartë të përgjegjësisë për të zgjidhur shumë probleme që ka pasur deri tash, do të jetë e pamundur për Shtetet e Bashkuara që të vazhdojnë të punojnë me të si partner”.

“Zëri i Amerikës” ka njoftuar se intervista e plotë me Ambasadorin Dell do të emitohet të mërkurën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›