U ra dielli kresë
Nusja e Fitim Kastratit ka mundur ta ëndërrojë një kohë të gjatë ditën e dasmës së saj, e veshur me dimi e jelek. Por ajo ndoshta kurrë nuk e ka menduar se ditën e parë si nuse, në shtëpinë e burrit, kur sytë e të gjitha grave të fisit do të jenë të drejtuara kah ajo, do t’i binte të fiktë. Momentet e bukura të jetës ajo nuk i përjetoi fare, pasi në sy të grave të mëhallës, disa minuta pasi iu hoq duvaku, asaj i ra të fiktë. Për çudinë e të gjithëve, nusja nuk ishte e vetmja “viktimë”.
Gratë e alivanosura
Bashkë me nusen, për spital u bënë edhe shumë gra të tjera të pranishme në aheng. Familja Kastrati jeton në Lagjen e Kuvajtit në Podujevë. Të dielën, djali i tyre, Fitimi u martua, ndërsa të hënën po festohej ajo që njihet si “dita e grave”. Por, rreth 50 gra dhe vajza u sëmurën përnjëherë, duke përfshirë edhe nusen. Askush nuk di të shpjegojë shkaqet e sëmundjes, edhe pse në fillim dyshohej për helmim. Por kjo u demantua nga mjekët që i kontrolluan pacientet, të cilat në hallakamë u bartën shpejt e shpejt me vetura. Përderisa mjekët atë që ka ndodhur e quajnë “krizë psikogjene”, gratë e lagjes ku ndodhi ngjarja, një ditë më vonë, pasi janë qetësuar, besojnë se dikush u bëri magji. Madje njëra nga to, vajzën e vet e ka dërguar te një “hoxhenicë” për të shikuar se çka ka ndodhur. Sipas gruas, e cila foli për Express, “hoxhenica” i ka thënë se vajza e saj është prekur nga magjia e zezë, që dikush e ka hedhur në dasmë. “Ajo më tha ‘mirë paskit pshtu, se ka mujtë me kanë edhe ma keq’”, tregon gruaja. “M’kanë lëshu këmbët, asnjë hap nuk mundem ta bëj”, thotë Rina Mehmeti, teksa qëndron e shtrirë në shtrat. Ajo të hënën ishte e pranishme në dasmë dhe thotë se në një moment i ka rënë të fikët. Para saj ishte alivanosur nusja e sapoardhur, si dhe motra e dhëndrit. Por banesa e familjes Kastrati, ku një ditë më parë ka pasur dasmë, të martën ishte e mbyllur me dry.
Shpëtimi te hoxha
Fqinjët e tyre tregojnë se të gjithë kanë dalë nga shtëpia, pasi nusja dhe vajza e tyre u sëmurën. “Nuk janë kthyer, sepse nuk po guxojnë me nejtë këtu. Nusen e kanë dërgua te një hoxhë në Gjilan, e i ka thanë se ka pasë magji”, thotë fqinja e parë e familjes Kastrati. Por jo të gjitha gratë i kanë lëshuar banesat ku jetojnë. Hyra Hetemi dhe vajza e saj, Blerta janë dy nga të prekurat nga “sëmundja” e papritur. Hyra tregon për Express se së pari është sëmurë vajza, e më pas edhe ajo. “Së pari u rrëzu vajza, e më vonë edhe unë”. Ndërsa Blerta, vajza e saj, tregon për simptomat e para të asaj që banorët e përshkruajnë si diçka “të tmerrshme”. “Ia nisi me m’u nxanë fryma, diçka m’shtërngojke n’fyt, kisha marramendje, dhimbje në gjoks, sytë më djegshin”, tregon Blerta Hetemi. Pasi kishte marrë një injeksion për qetësim, ajo ishte liruar në shtëpi. Ndërkaq nëna e saj, Hyra, është sëmurur më vonë. Ajo tregon se si të gjithë njerëzit janë rrëzuar njëri pas tjetrit. Skenat që ka parë, ajo thotë t’ia kenë kujtuar helmimet e nxënësve në vitin 1990. “Sikur atëherë ma çojke mallin. Çikat i kapshin flokët e veta. S’dishim çka u ba”.
Mjekët: Dielli iu ka rënë kresë
Derisa gratë mendojnë se dikush u bëri magji dhe shumica e të sëmurëve kanë kërkuar ndihmë nga hoxhallarët, burrat e lagjes nuk besojnë aq fort në këto rrëfime. Por ata, në anën tjetër, nuk kanë ndonjë shpjegim se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.
Megjithëkëtë, dyshimin e banorëve të Lagjes së Kuvajtit ua kanë hequr mjekët e Qendrës Klinike Universitare. Pas trajtimit të dhjetëra grave në QKU, mjekët konfirmojnë se ato nuk kanë qenë të helmuara. Sipas specialistëve shëndetësorë, asnjë prej atyre që kanë kërkuar ndihmë nuk ka pasur shenja helmimi, por kanë pësuar krizë psikogjene. Shukrie Statovci, psikiatre në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, ka bërë të ditur se pas ndihmës ambulantore, pacientet janë lëshuar në shtëpi. Sipas saj, rastet e tilla mund të jenë rezultat i temperaturave të larta dhe lodhjes.
“Nga ahengu familjar në Podujevë kanë ardhur disa paciente, të cilat kanë manifestuar atë që ne në gjuhën tonë e quajmë krizë psikogjene, e cila mund të jetë rezultat i temperaturave të larta. Mund të jenë rezultat i lodhjes, por rëndësia qëndron në atë se çfarë tiparesh ka personaliteti i njeriut, të cilin e bëjnë për të reaguar në mënyra të tilla”, ka thënë Statovci.