Loja me Basescun
Një haker, i cili dyshohet të jetë me origjinë serbe, gati sa nuk prodhoi skandal diplomatik ndërmjet Shqipërisë e Rumanisë.
Për të kuptuar se cila është e vërteta, në lidhje me rastin u përfshin edhe diplomatët e të dy vendeve.
Lajmi i publikuar nga portali italian në internet, “JulieNews”, citonte presidentin rumun, Traian Basescu të ketë deklaruar se “Rumania nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, pasi ajo nuk është arritur nëpërmjet një marrëveshjeje dypalëshe mes Prishtinës dhe Beogradit. Ajo është shpallur nëpërmjet një akti të njëanshëm nga shqiptarët, që janë të gjithë plehra dhe jashtëqitje, si jevgjit”.
Kjo deklaratë e cila, nëse do të ishte e vërtetë, do të përbënte një skandal të rëndë diplomatik, vuri në lëvizje gjatë tërë ditës së martë ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ambasadën e Shqipërisë në Bukuresht e atë të Rumanisë në Tiranë.
Por pas disa orë verifikimesh, Ministria e Jashtme e Shqipërisë zyrtarisht ka deklaruar se përfaqësia diplomatike rumune ka konfirmuar se faqja e internetit e kësaj agjencie lajmesh është sulmuar nga një haker që dyshohet të jetë serb, i cili ka infiltruar lajmin.
Basescu nuk ka pasur asnjë takim dhe askund nuk ka mbajtur qëndrim të tillë, ka sqaruar stafi diplomatik i Bukureshtit, ndërkohë që në orët e pasdites të së martës, lajmi nga portali italian i lajmeve është fshirë.
Sa i përket mundësisë së dhënies së një deklarate të tillë, duket se jo të gjithë janë bindur se presidenti Basescu i ka thënë ato fjalë, pavarësisht se ai ka qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës.
Marian Chiriac, editor për Rumani i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), shpjegon për Express se kjo deklaratë nuk ka mundur të jetë e vërtetë për disa arsye.
“Ne jemi interesuar të kuptojmë burimin fillestar të informacionit, por nuk e kemi gjetur”, thotë Chiriac, duke dhënë edhe shpjegime të tjera.
“Kemi kontrolluar agjendën e Presidentit dhe nuk kemi gjetur ndonjë takim, mbledhje apo diçka të ngjashme që ka ndonjë lidhje me Kosovën”, është shprehur gazetari rumun, i cili pranon se presidenti aktual i vendit të tij është shumë i drejtpërdrejtë në deklarata.
“Ai është shumë direkt dhe nuk është fare diplomatik. Atë që mendon, edhe e thotë. Dihet se ai nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, por nuk besoj kurrë se ai do të thoshte diçka të keqe për popullin e Kosovës”.
Të kontaktuar nga Express, institucionet shtetërore të Rumanisë gjatë tërë ditës së martë kanë qenë shumë të paqarta për të dhënë një shpjegim të saktë në lidhje me këtë çështje.
Presidenca e Rumanisë, pasi ka marrë pyetjet në lidhje me këtë çështje, i ka proceduar ato te Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi.
Por deklarata të tilla, disa orë më vonë, janë hedhur kategorikisht poshtë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, zyrtarët e së cilës kanë kërkuar sqarime nga Ministria e Jashtme e Rumanisë.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, homologët e tyre nga Rumania i kanë siguruar se manipulime të tilla mediatike janë vetëm fryt i punës së hakerave kompjuterikë.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i habitur dhe nuk ka dashur të besojë që presidenti rumun i ka fyer shqiptarët dhe shtetin e Kosovës, siç është cituar në media të ndryshme.
“E para, nuk dëshiroj të besoj. E dyta, nëse ka ndodhur një gjë e tillë, është një gabim i madh, është fyerje, por ne jemi të përcaktuar për bashkëpunim dhe kemi respekt për popullin rumunë... Deklaratat individuale nuk do të ndikojnë në asnjë rrethanë në relacionet miqësore në mes të popullit shqiptar dhe popullit rumun”, tha kryeministri Thaçi, pas takimit të radhës së Grupit Drejtues Ndërkombëtar.
Express ka mësuar se edhe Presidenca e Kosovës, gjatë ditës së martë, është vënë në lëvizje për të vërtetuar nëse këto deklarime janë të sakta. Nëse këto do të dilnin si të vërteta, Presidenca do të lëshonte një deklaratë për media në formë reagimi, por meqë është vërtetuar se kjo nuk është e saktë, ky institucion ka heshtur.
Express ka tentuar të kontaktojë edhe portalin italian të lajmeve, por një gjë e tillë ishte e pamundur.