I besojnë Ferraras

Në mbrëmjen e së hënës, kanë përfunduar bisedimet ndërmjet Ciro Ferraras dhe zyrtarëve të Juventusit. Në fund të takimit, zyrtarët Bianconer kanë konsideruar se trajneri Ferrara nuk është fajtor për dështimet e Juventusit, duke e lënë atë trajner të ekipit edhe më tej. Ferrara ka dalë nga takimi i buzëqeshur.
“Ferrara buzëqeshte? Natyrisht, ky nuk ishte një mashtrim. Ne do të vazhdojmë me të në bankinë. Kryesia ka konsiderua se ai nuk është problemi”, ka thënë drejtori i Juventusit, Roberto Bettega. Po ashtu, ai ka konfirmuar se gjatë afatit kalimtar të janarit, “Zonja e Vjetër” nuk e ka ndërmend të përforcohet.
“Përforcimi ynë i janarit do të jetë Sissoko”, është shprehur Bettega, duke iu referuar rikthimit të mesfushorit Momo Sissoko, i cili me përfaqësuesen e Malit është eliminuar nga Kupa e Afrikës. Ndeshja e ardhshme e Juventusit do të jetë ajo kundër Romës, në Torino. Klubi Bianconer shpreson t’i rikthehet fitores, pas dështimeve të njëpasnjëshme në Serie A këtë sezon.