E Diel, 1 Nëntor 2026

Për hatër të klubit

Skuadra e Kosovës së Vushtrrisë të martën i ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror.

Në fakt, bardhekaltrit planifikonin t’i nisnin përgatitjet për gjysmësezonin e dytë me 15 janar, por një gjë e tillë nuk pat ndodhur, për arsye se futbollistët nuk pranonin t’i nisnin stërvitjet, pa i marrë rrogat për muajin dhjetor.

Zyrtarët e klubit ende nuk ua kanë dhënë rrogën e muajit dhjetor futbollistëve, por megjithatë, lojtarët kanë ndryshuar mendjen, duke vendosur që t’i kthehen fushës së blertë.

Kapiteni i kësaj skuadre, Mensur Maxhuni, tha se të gjithë futbollistët e kanë marrë këtë vendim për hir të klubit, i cili gjendet në situatë të vështirë financiare, e veçmas në radhitjen tabelore, ndonëse ende nuk i kanë marrë pagat për muajin e shkuar.

“Të hënën e kemi mbajtur një mbledhje vetëm ne futbollistët, ku morëm vendimin t’i nisim përgatitjet për stinorin pranveror, edhe pse nuk i kemi marr pagat për muajin dhjetor. Pra, e kemi pasur në plan të mos i fillojmë përgatitjet pa e marrë rrogën e dhjetorit, por megjithatë e ndryshuam vendimin”, deklaroi Maxhuni për Express.

“E morëm këtë vendim për hir të klubit, i cili gjendet në situatë të vështirë në tabelë. Ne duam t’i mbesim besnikë klubit dhe tifozëve në këtë kohë të vështirë, dhe do ta japim maksimumin që ta shpëtojmë klubin, ta paktën për të mos rënë nga Superliga”, theksoi ai.

Maxhuni tha se zyrtarët e klubit u kanë premtuar futbollistëve se do t’ua kryejnë borxhet e muajit dhjetor pas datës 22 janar, edhe pse pak ditë më parë drejtuesit e Kosovës (V) kanë thënë se lojtarët nuk do të paguhen për atë muaj në të cilin kishin pushim.

“Zyrtarët e klubit na kanë premtuar se pas 22 janarit, do të na japin rrogën e muajit dhjetor. Pra, atëherë kur dihet blerësi i aksioneve të klubit. Por, edhe nëse nuk na japin atë rrogë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë klubin. Edhe para disa vitesh klubi ka qenë në situatë të vështirë, por ne futbollistët edhe pse nuk paguheshim, patëm arritur që përveç ia siguruam mbijetesën, patëm zënë një vend në mes të tabelës”, vazhdoi Maxhuni.

Kosova (V) në kërkim të trajnerit
Kosova (V) i nisi të martën përgatitjet për stinorin e ri, por pa trajnerin e emëruar kohë më parë, Besnik Kollari.

Kollari tash e një kohë të gjatë po heziton ta nisë punën me ekip, pa ia siguruar kryesia shërbimet e disa përforcime, për të cilat Kollari mendon se klubi ka nevojë të madhe.

Por, drejtori i Kosovës (V), Besim Halili, tha se zyrtarët e klubit kanë filluar të mendojnë ta gjejnë ndonjë trajner tjetër, sepse është e pamundshme për Kosovën (V) të plotësohen kërkesat e Kollarit, kur dihet se klubi po përjeton krizë financiare.

“Ne i patëm premtuar Kollarit se do të bëjmë përforcime dhe se do të shkojmë jashtë për përgatitje. Mirëpo, situata ka ndryshuar dhe klubi është në krizë financiare. Andaj ne nuk po mundemi t’i realizojmë ato premtime. Prandaj Kollari po heziton ta marrë ekipin në dorë. Këto janë disa nga faktorët kryesorë që Kollari po heziton”, deklaroi Halili për Express.

“Të premten pritet të dihet se a po shiten aksionet e klubit. Atëherë do të qartësohet puna edhe me Kollarin. Ne duhet shikuar ta gjejmë një trajner tjetër, meqenëse Kollari po heziton. Nuk kemi kohë për të humbur, sepse Kosova është në pozitë jo të mirë tabelare, dhe duhet të punojmë shumë për ta nxjerrë nga kriza”, theksoi Halili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›