E Diel, 1 Nëntor 2026

Blihet West Ham

Tërmeti ka përfunduar: West Ham United e ka ndërruar pronarin dhe nga e hëna, Sullivan e Gold, e kanë marrë nën kontroll 50 për qindëshin e aksioneve të klubit (duke i fshirë të gjitha borxhet) për 120 milionë euro.

Sipas të përditshmes britanike, Daily Mail, e cila e kishte dhënë këtë lajm në uebfaqen e vet, marrëveshja është arritur të hënën mbrëma, pas bisedimeve të zhvilluara gjatë tërë ditës.

Tash e tutje, president i Hammers do të jetë Sullivan, ndërsa Karren Brady (ish zyrtar i Birmingham), është emëruar zëvendës president, derisa Gold do të hyjë në këshillin administrativ.

“Jam munduar ta marr nën kontroll West Hamin qe 20 vjet, ndërsa tash mezi pres ta nis punën”, ka thënë Sullivan, i cili së bashku me Gold, deri vitin e kaluar ishin pronar të Birmingham City, tjetër skuadër e Premierligës. “Më ka pëlqyer ta udhëhiqja Birminghamin për 16 vjet e gjysmë, por të gjithë e dinin se dashuria ime e vërtet ishte West Ham”, shtoi Sullivan.

Ai ka premtuar se do të blejë futbollistë, për ta pasuruar ekipin që ka në dispozicion Gianfranco Zola. “Pasi të bisedojmë me trajnerin, do të sjellim këtu futbollistë që i nevojiten ekipit. Prioritet yni është që ta garantojmë mbetjen e West Hamit në Premierligë”, tha Sullivan.

Në fakt, sipas tabloidit britanik, Sun, këtu ka marrë fund eksperienca e drejtorit teknik, Gianluca Nani, largimi i së cilit është paraparë për orët e ardhshme, ndërsa mbetet të vendoset për të ardhmen e administratorit delegat, Scott Duxbury dhe e drejtorit financiar, Nick Igoe, të cilët ky tabloid i sheh në largim. Kurse, e përditshmja Daily Telegraph i sheh ata si bashkëpunëtor të Brady.

Sa i përket menaxherit Gianfranco Zola, e ardhmja e tij mbetet të vendoset, edhe pse për Daily Mirror e Daily Sport, trajneri italian është pranë largimit, ndërsa atë mund ta zëvendësojë Mark Hughes.

Nuk është sekrete se pronari i ri, Sullivan e kishte takuar dy herë ish menaxherin e Cityt, por Hughes kishte kërkuar kohë, për ta kuptuar më mirë objektivin e pronarëve të rinj, në aspektin e blerjeve të futbollistëve.

“Për mua flet fusha, dhe nëse kjo që po e bëj nuk konsiderohet e mjaftueshme, atëherë do të ishte e drejt të më zëvendësonin. Nëse më shkarkojnë, nuk trembem”, theksoi trajneri italian, Gianfranco Zola.

West Ham United gjendet në pozitën e 16-të në Premierligën angleze dhe pozita e Zolas dhe zëvendësit të tij, Steve Clarke, nuk është e sigurt.

Ndërsa, futbollistët, duke e përfshirë këtu edhe mesfushorin kosovar, Valon Behrami, tash e tutje mund të jenë të qetë, pas problemeve financiare me të cilat u përball klubi londinez kohëve të fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›