I burgosuri i Burrelit,Enverit: Të fyem pa të drejtë për miqësinë me Hrushovin
AFRIM IMAJ
Divorci me Moskën në dimrin e ‘60-ës i zuri në befasi të burgosurit e Burrelit. E papritura kishte ndodhur pa u shuar jehona e vizitës së Hrushovit në vendin tonë. Krisja e madhe kishte pushtuar kreun e lajmeve të Tiranës dhe ishte ngjitur deri te qelitë e tyre. Enver Hoxha kishte vendosur prerazi. Ai nuk e njihte kthimin mbrapsht. Kjo ishte e padiskutueshme për ta. Çfarë do të ndodhte më tej? Horoskopi i zhvillimeve të pritshme parashikonte situata të paqarta. Dilema shfaqej me shumë të panjohura. Mjaft syresh shquanin ogurin e keq tek aventura e radhës, që do pasonte me pështjellime negative e gati vrastare. Një pjesë shpresonte për ndryshimin e kursit, për një kthim të mundshëm nga Perëndimi. Nga aq sa lexohej në fillimet e veta divorci me Moskën, i dënuari për atentatin ndaj Hrushovit, vërtitej sa nga njëri variant te tjetri. Ishte shansi për të fituar lirinë tani që kreu i Kremlinit ishte shpallur tradhtar! “E çova një moment në mëndje, po kush ta falte”, kujton Namik Zeneli që gjithsesi e ka përjetuar me një rreze shprese divorcin me Moskën e Hrushovit. Kur mundohej të kapte rrjedhën e zhvillimeve të pritshme është befasuar nga reagimi i njërit prej më të moshuarve të burgut, i cili aty për aty u ul dhe i bëri një letër autokritike Enver Hoxhës...
Autokritika
e Foto Balës
“Iku Moska me Hrushovin, po Enverit çfarë i mbeti”. Kërshëria e të burgosurve të Burrelit i jepte rrugë fantazive të ndryshme për fatin e vendit pas divorcit të madh. Namik Zeneli që gjendej aty pas një historie të trilluar për armiqësi me Bashkimin Sovjetik, kishte arsye t’i ndiqte me vëmendje opsionet e tyre. Kreu i Kremlinit për të cilin ishte kryqëzuar vetëm pak muaj më parë, tani kishte thyer qafën. Nuk do të ishte më miku i dashur i Enverit, por armiku i madh i tij. Një dritë shprese për atë që mund të përfitonte nga situata e krijuar, aty i ndizej e aty i shuhej. Pjesa më e madhe e të dënuarve nuk shikonte ndonjë rrethanë lehtësuese për të. I vetmi që e bënte optimist, ishte më i moshuari i tyre, i cili pretendonte se kishte qenë ndër miqtë e afërt të diktatorit në moshën e rinisë. Kur i kthehet këtij momenti, Namik Zeneli ka dëshirë ta përshkruajë gjatë historinë e Foto Balës, ish-shokut të ngushtë të Enverit.
“Foto Bala ishte profesor, intelektual me emër. Kishte bërë shkollën me Enverin. Na kishte treguar për aventurat, për anët perverse të tij për orë e orë të tëra. Ai ishte i bindur, se Enveri do ta mbyllte me Moskën e Hrushovin. Sa u shpall divorci me ta, Foto Bala kaloi në ekstrem, gati në depresion euforik. Ti do shpëtosh i pari, më tha mua dhe shtoi se këtej e tutje do shpëtonte dhe Shqipëria. Pastaj u ul e i shkroi një letër Enver Hoxhës. Një letër të gjatë në formë autokritike. Të më falësh zoti Enver, i thoshte që të kam fyer. Gjithnjë kam menduar se në trupin tënd nuk rrjedh asnjë gram gjak shqiptari, po ti paskeshe qenë një shqiptar shumë i mençur. Ja bëre mirë që i theve hundën kreut të sllavëve. Hrushovi të marrtë të keqen! Jam krenar që kam qenë shoku e bashkatdhetari yt. Ishte një letër e gjatë me ndjesën e çuditshme të Foto Balës. U nis letra, vajti në Tiranë, e mori Enveri. E mori dhe e përdori për punët e tij. Ua çoi intelektualëve, strukturave të partisë, e qarkulloi në të gjitha institucionet shtetërore. “Ja, u shkruante, edhe nga burgu i Burrelit po na përshëndesin për vendimet historike që kemi marrë”. Pa na i sollën edhe aty, ku vuanim dënimin me autorin e saj. Shikoni, shpreheshin tellallët e burgut, asnjëherë nuk është vonë për pendesën ndaj drejtësisë së vijës së partisë. Foto Bala diçka kuptoi për dinakërinë e Enverit, po nuk pati kohë për ta riparuar. Ish-miku i dikurshëm cinik e djallëzor, së fundi po e përdorte si lëndë të parë për propagandën e tij. Nuk i kishin mjaftuar vitet e shumtë të dënimit, po duhej të luante me ndjenjat e Foto Balës. Gjithsesi, e keqja nuk do mbyllej këtu. Pas ndjesës së bujshme, Enveri u kujtua për të pushuar nga puna të shoqen e tij, që ishte arsimtare në Tiranë, duke e degdisur në internim në një nga fshatrat e Fierit. Kur u fashit disi kjo meseleja e autokritikës, më kapi një ditë Foto Bala e më tha se kishte gabuar rëndë. Bile më tha se nuk duhej të shpresoja për të fituar lirinë. Se e keqja e këtij vendi nuk kishte qenë Hrushovi për të cilin më kishin akuzuar, po Enveri. Sa kohë ishte gjallë ai do të treteshim në Burrel...”
Metamorfoza e Bedri Spahiut
Bedri Spahiu, i njohur si tmerri i të dënuarve politikë të viteve të para të sundimit komunizmit, një ditë do të bashkohej me viktimat e tij. Namik Zeneli e ka njohur në të dyja pozicionet ish-prokurorin e Përgjithshëm, që përfundoi në kaluarin e burgjeve famëkeqe. E ka takuar për herë të parë në inaugurimin e shkollës së Vajzës, ku ndodhej si i deleguar i Byrosë Politike. Që atëherë me të nuk ishte përballur më. E solli rasti ta takojë pas shumë vitesh në qelinë e të dënuarve politikë. Ironia e fatit e kishte shpërfytyruar tërësisht ish-krahun e djathtë të Enver Hoxhës. Bëmat dhe lavdia e dikurshme kishin mbetur prapa. Tashmë i duhej stërmundim i jashtëzakonshëm për t’u integruar në shoqërinë e atyre që kishte kryqëzuar me firmën e tij. Namik Zenelit i ka mbetur në kujtesë mënyra shpërfillëse me të cilën e pritën të dënuarit e tjerë ish-kreun e inkuizicionit komunist...
“Kur u hap fjala në kampin e Elbasanit se do vinte Bedri Spahiu, gati të gjithë shpërthyen në urrejtje. Mbërritja e tij u prit ftohtë, bile rebelueshëm. U harrua këtë herë tradita e mirë me të cilën prisnim të dënuarit e rinj dhe u kalua në ekstrem. Sa herë që shkëmbehej me të tjerët në mjediset e kampit, duhej të dëgjonte rrebeshin e fyerjeve “kriminel”, “sadist”, “vrasës”, “në burg të kalbesh”. E kuptonte mirë arsyen e kësaj sjellje dhe aty për aty nuk reagonte. Ishte i kaluar në moshë dhe e caktuan t’u çonte ujë të dënuarve, që punonin në objekt. “Hajde, ç’u bëre? Ujë, na sillë ujë!” Mjaft nga të burgosurit ja derdhnin dhe sa largohej e thërrisnin përsëri. I duhej të vraponte sa tek njëri tek tjetri me bidon në dorë. Bënte të paditurin dhe u përgjigjej pa folur. Për orë të tëra kështu, në këmbë me bidon në dorë. Pa pikë mëshire për të, gati të gjithë e stwrmundonin haptazi. “Ti, që do na sillje qumësht me rubinet drekë për drekë, nuk na sjellë as ujë me skatoletë”. Ky avaz i tyre e ndiqte ngado që kalonte brenda mureve të kampit. U përball një ditë te cisterna, ku mbushte ujë me njërin nga të dënuarit, që i kishte vrarë vëllain. Ndenjën pak çaste sy më sy. Pastaj viktima e qetësoi: Mos u tremb Bedri Spahiu, hakmarrjen ia kemi lënë Zotit”. Ndjehej keq, shumë keq Bedri Spahiu, po nuk kishte nga t’ia mbante. Shumë herë komunikimi me bashkëvuajtësit do t’i risillte ngjarje të së kaluarës dhe do ta mbulonte një lloj pendese. U ul një pasdite në bisedë me Ethem Hitën, të dënuarin nga Kurveleshi. “Rron ai Shehu i Salarisë, e pyeti. Ka qenë burrë i mrekullueshëm e atdhetar”. “Se ishte i tillë prandaj e qwruat ju komunistët e pa fe”, iu përgjigj Ethemi duke i shpjeguar rrethanat monstruoze në të cilat ishte ekzekutuar kleriku i zonës së largët. Ishte e çuditshme me Bedri Spahiun. Me tërë këtë metamorfozë, që e gërryente nga brenda asnjëherë nuk ia hodhi fajin sistemit. Nuk është faji i tij, thoshte i bindur, por i njerëzve që e zbatojnë...”
vijon nesër...
Namik Zeneli, shqiptari që deshi të vriste Hrushovin në Pashaliman
Në fillim e dënuan për Hrushovin. E akuzuan se do ta qëllonte kur do vinte në Pashaliman. Thanë se i gjetën bombë, revole e thikë. Me pushkatim, vendosi prokurori. Me 25 vjet Gjykata Ushtarake. Pastaj e akuzuan për terror ndaj krerëve të pushtetit popullor. Këtë herë Hrushovi ishte larguar dhe ishim divorcuar me Moskën.
E veçantë në llojin e vet historia e Namik Zenelit, 70-vjeçarit nga Vajza e Vlorës, i ngjan një drame të çuditshme, nga ato ku jeta rezervon fate të pamëshirshme e herë-herë fatale për njerëzit. Gjithsesi, “atentatori” i panjohur i Hrushovit, ka mundur të mbijetojë dhe pas gjithë atij kalvari, është ringritur në këmbë për t’ia destinuar harresës fantazmën, që i vrau ëndrrat dhe i mori rininë. Madje, i duket absurde t’i kthehet një ngjarje të një epoke tjetër, ca më tepër kur motivi mbi bazën e të cilit ishte ngritur skema e saj, tingëllon arkaik e vulgar në ditët e sotme. I lënduar nga sindromi i të përvuajturit dhe viktimës, Namik Zeneli, preferon të qëndrojë në përshkrimin telegrafik të kontekstit dhe rrethanave, në të cilat u gjend përballë sfidës më të rëndë të jetës. “Do vija dorë mbi Hrushovin?! Gjepura. As ata që më prangosën nuk e besonin. Nuk ishte halli te mua. Duhej një alibi dhe e gjetën. Një alibi për të luajtur. Bile për të luajtur gjatë. Emri i madh i Hrushovit ishte fantastik për idenë e tyre. Po gjërat nuk shkuan vaj. Sa iku djalli i Kremlinit nga Tirana, u prishëm me Moskën. Loja mbeti në mes të rrugës. Unë mbeta sërish në Burrel. U shpik një vjegë tjetër. Nga Hrushovi që do qëlloja, më akuzuan për terror mbi udhëheqësit tanë...”
Prokurori: Namik Zeneli në emër të popullit dënohet me vdekje
Të pandehurit Namik Zeneli e Mustafa Iliazi kanë grumbulluar armë për të kryer akte terroriste kundër udhëheqësve të pushtetit popullor, para se të arratiseshin në Greqi.
Gjykata pasi shqyrtoi çështjen, mbasi dëgjoi prokurorin, i cili kërkoi që të pandehurit të deklarohen fajtorë dhe të dënohen respektivisht i pandehuri Namik Zeneli, me vdekje me pushkatim dhe konfiskim pasurie dhe i pandehuri Mustafa Iliazi përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.
VEREN:
Gjatë shqyrtimit të gjykimit rezultoi plotësisht e vërtetuar, që të pandehurit Mustafa Demo Iliazi dhe Namik Hasan Zenelaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë përgatitje për të kryer krimin e tradhtisë ndaj atdheut me anën e arratisjes jashtë shtetit për në Greqi, krim ky që parashikohet e ndëshkohet nga nenet 64-10-14 të K.P. Gjithashtu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë vepra përgatitore për të kryer akte terroriste kundër përfaqësuesve të pushtetit popullor.
Krimet, të pandehurit i kanë kryer në këto rrethana: Si i pandehuri Mustafa, ashtu dhe i pandehuri Namik janë prej një katundi dhe si të tillë ata e njihnin njëri-tjetrin, mbasi si njëri dhe tjetri janë të prekur dhe të pakënaqur nga ana e pushtetit popullor, mbasi secili prej tyre kanë të afërm të arratisur dhe të dënuar për krime kundër popullit dhe shtetit. Në muajin shkurt-mars të vitit 1959. kur ishin në pyllin e Gruemirës i pandehuri Namik i propozon të pandehurit Mustafa që të dy së bashku të arratiseshin në Greqi. I pandehuri Mustafa e pranoi menjëherë propozimin. Që të dy të pandehurit lidhur me çështjen e arratisjes kanë bërë takime dhe biseda të panumërta dhe arratisjen kishin vendosur ta bënin nga ana e Bistricës. Gjatë të njëjtës periudhë, nga urrejtja që kishin ndaj pushtetit popullor, kishin vendosur. që më parë se të arratiseshin të vrisnin ndonjë nga përfaqësuesit e pushtetit popullor...
Rreth çështjes së vrasjes kanë biseduar përmbi 4-5 herë. Ata për qëllimin e vrasjes kishin siguruar edhe armë, sikurse është bomba dhe thikat që dispononin, të cilat qenë në gjendje të mirë, si dhe revolja që dispononte i pandehuri Namik, të cilën e shpunë ta ndreqnin te një teknik....
Vrasjen ata vendosën ta bënin kur të gjenin rastin më të volitshëm në rrugë ose në ndonjë nga festat, që do bëheshin në rrethin tonë dhe pastaj sikurse pohuan do të arratiseshin jashtë shtetit në Greqi, se vetëm pas kryerjes të një misioni të tillë ata do të siguronin përkrahjen më të mirë atje ku do vinin. Mirëpo qëllimit të tyre armiqësor nuk mundën t’ia mbërrinim, mbasi jashtë çdo dëshire të tyre u diktuan dhe u kapën gjatë kohës që përgatiteshin për kryerjen e veprës armiqësore..
PËR KËTO ARSYE
Trupi gjykues në mbështetje të neneve 277, 278 e 284 të K.P.P., trupi gjykues
VENDOSI:
Të shpallë fajtor të pandehurin Namik Zeneli të birin e Hasanit, se ka bërë vepra përgatitore për të kryer akte terroriste kundrejt përfaqësuesve të pushtetit popullor dhe e dënon me 20 vjet heqje lirie.
Gjithashtu, e deklaron fajtor se ka bërë vepra përgatitore për të tradhtuar atdheun me anën e arratisjes jashtë shtetit për në Greqi dhe e dënon me 10 vjet heqje lirie me konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe me humbjen e të drejtës elektorale për tre vite.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e krimeve konform ligjit e dënon me 30 vjet heqjen e lirisë dhe meqenëse krimet e kryera janë të një natyre të rëndë 5 vjet të dënimit t’i vuaj në burg...
Data e paraburgimit fillon nga 11.9.1959.
U shpall sot më datën 10. II. 1960
Gjyqtar Kolonel Lazi Polena, ndihmës gjyqtar Kapiten i I-rë Nane Bakalli dhe kapiten Rrahman Kumbaro