E Diel, 1 Nëntor 2026

“Si më kurseu vdekja, e fshehur nën këmbët tona”

 

Nga Poliçani Ferdinand Dervishi

Adriatik Hysenbelli, i plagosuri që i shpëtoi për një qime vdekjes gjatë shpërthimit të djeshëm në Kombinatin e Poliçanit, e quan veten një njeri me shumë fat. Edhe pse i plagosur në mjekër nga një cifël predhe, edhe pse i lodhur nga zhvillimet e ditës, ai përcjell pamjen e lumtur të një njeriu që sapo ka marrë në duar pasaportën për të vazhduar jetën. Vetëm pak orë më parë, herët në mëngjes, vdekja ishte shfaqur kërcënuese fare pranë tij, e kishte prekur madje me cepin e mantelit të zi, por këtë radhë fati nuk i kishte buzëqeshur një tjetër njeriu që gjendej fare pranë, pak centimetra në të djathtë. Ishte një grua, kolegia e tij e punës, ajo që e pagoi këtë radhë. Që ra e këputur në këmbët e tij me sytë hapur, por pa mundur të thotë më tej asnjë fjalë të fundit, asnjë amanet...
Adriatik, si ndodhi? Ku gjendeshit në kohën e shpërthimit? Ishit aty për punë, apo për të pastruar?
Shpërthimi ndodhi rreth orës 08:15. Ishim jashtë ambientit të poligonit ku punojmë. Jemi gjithsej 25-30 punëtorë që ende vazhdojnë të na mbajnë në punë në Kombinat. Këto ditë jemi marrë me demontimin e djegoreve të predhave të kalibrave të ndryshëm. Këtu bëhet demontim industrial i tyre, ka pajisje dhe masat e sigurisë janë të mira. Pra djegoret çmontohen, kapsollat, që janë të rrezikshme, grumbullohen në një vend të caktuar, kurse pjesët e tjera metalike në një tjetër vend. Ky ishte procesi i punës që bënim. Por dje ende nuk kishim nisur punën kur ndodhi shpërthimi. Ishte ftohtë dhe me të mbërritur në punë, mblodhëm disa mbeturina, arka të vjetra, letra, dhe bëmë një zjarr jashtë poligonit. Nuk ishte hera e parë. Kujtoj se ishim që të gjashtë punonjësit e grupit rreth atij zjarri. Bisedat kishin lidhje me motin, hallet e gjithsecilit, kryesisht për problemet e fëmijëve që shumica i kishin të rritur. Kujtoj se shpërthimi ndodhi teksa ishim duke u larguar për të nisur punën, aty nga ora 08:15. Edhe zjarri ishte dobësuar, kishin mbetur vetëm thëngjijtë.
U rrëzuat përtokë nga shpërthimi?
Jo. Ishte një shpërthim i thatë, që hodhi tej urët e zjarrit. Pashë vetëm që gruaja që ishte pranë meje, Zana Kapxhiu, u këput përtokë si ta kishin qëlluar më plumba. Ra te këmbët e mia. U përkula menjëherë dhe nisa ta shkundja për ta sjellë në vete. Por ajo nuk foli asnjë fjalë të vetme. Kishte një plagë të thellë në tëmth, nga ku plasi gjaku. Dhamë alarmin, afruam një makinë dhe e nisëm për në spital. Deri fare pranë tij ajo ishte me frymë. Më pas mbaroi. Fatkeqja, pak muaj më parë i kishte vdekur edhe i shoqi. Nuk e hiqte nga goja. Vetëm kur shkova në spital kontrollova veten. Plaga në nofull ishte më e thellë, ndërsa një tjetër në këmbë ishte më e lehtë.
Sipas jush, si u ndodh ajo djegore në mbeturinat që ju po digjnit?
Unë më shumë besoj se ajo gjendej nëntokë në vendin ku ne ndezëm zjarrin. Është e pamundur që sekush nga ne të marrë një arkë djegoresh dhe ta hedhë mbi zjarr pa e parë mirë nëse është e pastër. Pastaj djegoret nuk janë si gjilpërat, ato janë të dukshme, zënë një pjesë në arkë, të themi sa një vezë pule. Si mund të mos e shohësh? Për më tepër që ne kemi vite e vite që merremi me të tilla punë, pra kujdesemi e ruhemi që të mos ndodhin të tilla incidente. Kështu që për mua djegorja që shpërtheu duhet të ketë qenë nëntokë, e hedhur kohë më parë dhe e padukshme me sy të lirë.
Adriatik, sa paguheni për punën që bëni? A ja vlen që për këtë pagë të rrezikosh jetën?
Paga ime e kohëve të fundit ka qenë rreth 23 mijë lekë. Pra janë të ardhurat e vetme të familjes me gjashtë anëtarë. Kam pasur edhe një djalë në universitet, që tashmë është pa punë edhe pse ka mbaruar shkëlqyeshëm, shpenzimet e të cilit i ka mbuluar me të keq pikërisht kjo pagesë e vogël. Kuptohet se përgjigjja logjike është se jeta nuk duhet rrezikuar për një pagë të tillë, por halli mua më ka detyruar që të pranoj këtë punë, madje për vite me radhë e kam quajtur veten të privilegjuar, në një kohë që shumë të tjerë nuk e kishin këtë mundësi.
Sa vjet keni që punoni në Kombinat? A kanë ndodhur ngjarje të ngjashme?
Kam rreth 18 vjet. Pothuaj gjithë jeta më ka kaluar në kombinat. Ngjarje të tilla kanë qenë shumë të pakta. Kujtoj vdekjen e dy grave në fund të viteve ’80. Shkaku ishte se shkelën pa kujdes mbi barot. Më tej vdekje të tjera nuk ka pasur, por incidente të rrezikshme, sa të duash. Njëherë do të të ndodhë edhe ty. Sepse vdekja i rri shumë pranë kësaj pune. Edhe unë kalova 18 vjet të paqta, por sot në mëngjes e pashë atë të më kalonte para fytyrës. Nuk është e lehtë jeta këtyre anëve...

Banorët: Incidenti, sepse nuk u zbatuan rregullat

Në Poliçan që të gjithë, të rinj e pleq, shfaqen si ekspertë nëse biseda i vërdalliset Kombinatit të Prodhimit të Municioneve Luftarake. Një grumbull të moshuarësh, që kanë zgjedhur të komentojnë ngjarjen e fundit në rrugën që gjendet përmbi kombinat, e kanë më dëshirë të thonë opinionet e tyre. “Gjithçka ka ardhur si pasojë e moszbatimit të rregullave të sigurisë në punë”, thotë Hazis Ibro, një 66-vjeçar, që ka punuar në kombinat që nga viti 1967 deri më 2002. “Në afërsi të poligonit ka qenë e ndaluar të ndizej cigarja, ndërsa sot na thonë se kanë ndezur zjarr”, shpjegon ish-normisti që në rininë e vet ka qenë një nga të parët që nisën ndërtimin e kompleksit gjigant ushtarak. Një ndërmarrje që më pas do të prodhonte të gjitha llojet e fishekëve e predhave luftarake, duke bërë që fshati shumë shpejt të merrte pamjen e një qyteze. Por lavdia e Poliçanit që prodhonte me cilësi të lartë që të gjitha llojet e predhave të armëve ushtarake të ish-Lindjes Komuniste mbaron bashkë me rrëzimin e sistemit. “Kanë qenë rreth 700 specialistë të mirëfilltë. Tashmë që të gjithë janë nxjerrë para kohe në pension. Ndërsa ato gratë e ca pak burra që vazhdojnë të punojnë, një mendim i mirë i ka ndihmuar. Pasi janë zgjedhur njerëzit që kanë më shumë nevojë, dikujt i ka vdekur bashkëshorti, dikujt bashkëshortja dhe kanë familje për të mbajtur dhe fëmijë për të rritur. Por e mira do ishte që në vend të tyre në Kombinat të punonin specialistët e vjetër, ata që njohin rregullat. Kurse këta njerëz në nevojë le të ndihmoheshin me anë të asistencës, apo ndihmës ekonomike”, shpjegon ish-normisti Ibro, që praktikisht e ka kaluar të gjithë jetën në këtë ndërmarrje ushtarake.

Familja fatkeqe, në 6 muaj vdekja mori dy kryefamiljarët

Pas ngjarjes së djeshme në Poliçan, në atë qytetthin e largët të mbledhur grusht prej acarit, tashmë ka dy fëmijë krejt jetimë në një shtëpi, dyert e së cilës duhet të mbyllen. Kjo sepse Zana Kapxhiu, viktima e shpërthimit, vetëm 6 muaj më parë kishte humbur të shoqin. Me profesion mësues, Ali Kapxhiu kishte humbur jetën më maj 2008, nga një atak kardiak, krejt papritur. Vdekja e tij, sipas rrëfimeve të kolegëve të Zanës, por edhe të afërmve të familjes, e kishte rrënuar të shoqen. “Për gjashtë muaj me radhë e kemi parë të përlotur, nuk kishte asnjë mundësi që ta qetësoje. Përsëriste me zë të lartë një dëshirë. I lutej Zotit që ta merrte edhe atë. Askush nuk mundej që ta bindte se jeta vazhdon, se tashmë duhet t’u përkushtohej fëmijëve. Duket e kishte dashur shumë të shoqin dhe nuk e kishte imagjinuar asnjë ditë të jetës pa të..”, tregon një i afërm i familjes. Tashmë në shtëpi kanë mbetur vetëm dy fëmijët e çiftit, djali, Desareti, që është student në Tiranë dhe vajza, Anjeza, gjimnaziste.
Fatmirësisht Kryebashkiaku i qytetit, Adriatik Zotka, i ka kushtuar rëndësi kësaj ngjarjeje dhe bashkë me kolegët kanë menduar zgjidhje për dy fëmijët jetimë. 

Vdes punëtorja e demontimit të predhave

POLIÇAN/ Dilaver Xhelili

Zjarri i ndezur për ngrohje në kombinatin ushtarak të Poliçanit i merr jetën nënës së 2 fëmijëve. Mes arkave prej dërrase, që shërbenin si dru zjarri ndodhej një djegoreje predhe, e mbetur si trofe e viteve të kaluara.  Pikërisht atëherë kur mendohej se rreziku i madh kaloi në këtë kombinat, pas asgjësimit të një sasie të madhe lëndësh helmuese, pakujdesia shkaktoi viktimën e radhës. Suzana Kapxhiu, 45 vjeçe mbeti e vdekur nga shpërthimi, ndërsa dy kolegët e saj, Krenar Hysi dhe Adriatik Hysenbelliu morën plagë djegiesh. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm, pranë një prej reparteve të demontimit të djegoreve të predhave. Rreth 30 punëtorët e kombinatit merreshin me demontimin e djegoreve, duke iu hequr pjesën e rrezikshme e më pas vendosur pjesët e tyre në arka të veçanta. Të gjithë punëtorët ishin shpërndarë në ambiente të ndryshme, reparte, poligone qitjeje etj. Pjesë e tyre ishte dhe grupi prej 6 personash, të cilët ishin caktuar për të vepruar në një prej poligoneve të qitjes në këtë kombinat. Në orët e para të mëngjesit, pas ndarjes së punës, gjashtë prej punëtorëve, mes tyre Hysi, Kapxhiu dhe Hysenbelliu kishin ndaluar në pjesën e jashtme të poligonit. Temperaturat e ulëta i kanë detyruar ata të mendonin për të sajuar një zjarr, ndonëse kjo është tërësisht e ndaluar jo vetëm brenda ambienteve të brendshme, por në të gjithë territorin e kombinatit ushtarak. Për të krijuar zjarrin ata kishin mbledhur disa kartonë dhe arka druri të shpërndara nëpër poligon. Dhe pse prej vitesh punonin në këtë repart dhe e dinin rrezikun që mbart krijimi i vatrave të zjarrit, askush nga punëtorët nuk ka qenë i vëmendshëm për të parë ç’ndodhej brenda arkave. Sapo është nxehur nga flakët, një djegore e mbetur brenda njërës prej arkave të drurit ka shpërthyer fuqishëm. Tani ishte tepër vonë për të ndërhyrë. Gruaja ndodhej më pranë flakëve dhe një copë e djegores e ka goditur fuqishëm në kokë. Vdekja ka qenë e pashmangshme për 45-vjeçaren, pasi copa e predhës i kishte dëmtuar trurin. Punëtorët e tjerë dhanë alarmin, duke mundur të transportojnë në spital dy të plagosurit, Hysenbelliun me plagë më të mëdha dhe Hysin, i lënduar më lehtë. Alarmi që erdhi nga Poliçani tronditi të gjithë zonën, pasi menjëherë u soll në kujtesë tragjedia e Gërdecit në marsin e kaluar. Por, ndonëse shpërthimi ishte vetëm një dhe i shkëputur nga procesi i demontimit, sërish ai shkaktoi viktimë.
Menjëherë në vendngjarje janë mbledhur grupe hetimore të policisë së rendit, të asaj ushtarake dhe nga Prokuroria e Beratit. Nga hetimet e këqyrja e vendngjarjes rezultoi se shkak i shpërthimit ishte bërë një djegore e mbetur në një prej cepave të poligonit. Ngjarja u cilësua aksidentale nga veprimet e para, si pasojë e pakujdesisë së punëtorëve të kombinatit. Drejtues të kombinatit i kanë quajtur të pamundura shpërthime të ngjashme brenda territorit të kombinatit, pasi janë marrë të gjitha masat dhe çdo veprim kryhet me metoda teknologjike. Dëshmitë e punëtorëve të tjerë kanë hedhur dritë mbi momentet e ngjarjes së rëndë, e cila mund të kishte pasoja dhe më tragjike. Në këtë kombinat do të nisë shpejti çmontimi i predhave të mbledhura nga i gjithë vendi. Për këtë arsye muajin e kaluar u asgjësuan dhe qindra kg lëndë të rrezikshme, të cilat do të provokonin një katastrofë nëse do të ndodhte një incident i ngjashëm. Në ditët e ardhshme pritet të zbardhet nga hetimet dhe arsyeja pse një prej djegoreve, e pademontuar ndodhej e vetme në një prej arkave që u përkisnin poligoneve.

Dy pistat e hetimit për shpërthimin

Një grup hetimor ka nisur punën për të zbardhur rrethanat pse djegorja ishte hedhur shkujdesur në një territor me masa të larta sigurie. Sipas dëshmisë së dhënë nga një prej të plagosurve, djegorja e predhës mund të ketë qenë e ngulur nëntokë, pikërisht në zonën ku u ndez zjarri. Ndërsa një tjetër dyshim është ai se punëtorët kanë marrë arkat nga poligoni ose jashtë tij, pa parë brenda tyre, nëse ishin bosh apo jo. Gjatë procesit të punës së demontimit, ata hiqnin pjesën e barutit nga djegorja, për ta bërë atë të parrezikshme dhe më pas i vendosnin në arka të veçanta. Materialet kanë kaluar në Prokurorinë e Beratit për të dhënë konkluzionin mbi këtë ngjarje.

Kryebashkiaku Zotka: Bursë dhe rrogë mujore dy jetimëve

POLIÇAN - Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotka zhvilloi dje një mbledhje urgjente me Këshillin Bashkiak, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në kombinatin e armëve në këtë qytet. Sipas Zotkës, bashkë me anëtarët e këtij këshilli u vendos që dy fëmijëve të viktimës, Suzana Kapxhiu t’u akordohet një rrogë mujore e vazhdueshme, me qëllim ndihmën sadopak nga ana financiare të tyre. Të njëjtin vendim Këshilli Bashkiak mori edhe për të plagosurin tjetër, Adriatik Hysenbelliu. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme bashkia vendosi t’i akordojë bursë të plotë djalit të madh të viktimës, Tesaret Kapxhiu. Mësohet se ai është student në vitin e dytë në degën e Informatikës në Universitetin e Tiranës. Ndërsa motra e tij më e vogël është nxënëse në vitin e tretë në gjimnazin e qytetit. Gjithashtu, bashkia vendosi t’u akordojë familjes së viktimës Kapxhiu dhe të plagosurit Hysenbelliu një shumë prej 500 mijë lekë të reja për secilën. Në fund të mbledhjes Këshilli Bashkiak vendosi të marrë përsipër edhe shpenzimet e ceremonisë mortore për viktimën. Kryebashkiaku Adriatik Zotka ka shkuar dje në banesën e dy jetimëve, ku ka ngushëlluar për humbjen e nënës së tyre. Pak muaj më parë edhe babai i tyre me profesion mësues kishte vdekur nga një infarkt. Më pas Zotka vizitoi edhe Adriatik Hysenbelliun. Të dyja familjeve ai u komunikoi edhe vendimin e bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›