I burgosuri nis agjërimin i lirë, e përfundon në qeli
BURREL/ HASAN PASHA
Nga emri dhe mbiemri duket katolik, por Gjin Nika është një besimtar i devotshëm mysliman. Gjysmën e muajit të madhërueshëm të Ramazanit e ka kaluar në liri, ndërkohë gjysmën tjetër në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Ai është një ndër 30 të burgosurit që agjërojnë, ndonëse janë izoluar për vepra të ndryshme penale. Gjatë një iftari të shtruar nga Drejtoria e Burgut mëson pse ai ndodhet pas hekurave, me se merrej para burgosjes, cilat janë shkaqet pse prokuroria kërkon dënimin e tij dhe pendesën e tij për aktin e kryer.
Gjin, cilat janë shkaqet që ju aktualisht jeni izoluar në Burgun e Burrelit?
Tre muaj më parë, tre vëllezër me mbiemrin Shehu, nga fshati Dragu i Bulqizës, më sulmuan me mjete të forta, sëpata, hunj, thika etj. Atëherë kur e pashë se jeta ime ishte në rrezik vendosa të nxjerr armën që mbaja dhe qëllova për t’i larguar agresorët që gati po më merrnin shpirtin. Fillimisht policia më shoqëroi dhe më pastaj Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër kërkoi masën e dënimit “arrest shtëpie”. Por këtë masë të gjykatës, unë nuk e zbatova.
Cilat ishin arsyet që ju nuk zbatuat vendimin e organeve të drejtësisë?
Së bashku me disa shokë të mi kemi nisur punën prej vitesh në një minierë kromi, të cilën e kemi privatizuar me dokumente të rregullt. Më duhej të dilja nga “izolimi shtëpiak” për të menaxhuar punët e minierës, pasi siç dihet çmimi i kromit ka rënë, ndërkohë punëtorët kërkonin pagat çdo muaj. Nuk mendova që prokuroria do të kërkonte me fanatizëm zbatimin e vendimit të gjykatës. U kërkua ndëshkim tjetër pse kisha lënë shtëpinë dhe kështu ndodhi. Më arrestuan me urdhër të prokurorit të çështjes dhe më sollën në Burgun e Burrelit.
Çfarë kanë pësuar vëllezërit Shehu nga të shtënat e tua?
Unë fillimisht desha t’i tremb, në mënyrë që ata të largohen. Ata jo vetëm nuk u larguan, por më kishin vënë poshtë dhe gati po më prisnin kokën me mjetet që mbanin në duar. Për fatin tim të keq, aty nuk u ndodh asnjë njeri që mund të më ndihmonte. Arrita t’u shmangem dhe qëllova njërin prej tyre, i cili me sa jam i informuar ka mbetur i paralizuar.
A jeni bërë pishman për aktin që keni kryer?
Si një besimtar i devotshëm prej shumë vitesh, më vjen vërtet keq pse më ndodhi mua kjo ngjarje, por ua kam thënë edhe prokurorëve nuk kishte rrugë tjetër shpëtimi. Çështjen e kam dërguar në Apel dhe pres të lirohem pa u dënuar. Askush nuk kërkon të vrasë a plagosë dikë pa pasur një arsye të fortë. Unë jam lutur gjatë që këta njerëz që më sulmuan mua të tërhiqeshin. Nëse nuk do t’i kisha plagosur unë, një tjetër do t’i kishte ndëshkuar, sepse atë rrugë kishin nisur tre vëllezërit Shehu. Zoti “urdhëroi” që një ngjarje e tillë të më ndodhte mua. Tani lutem të zbardhet e vërteta dhe të kthehem pranë fëmijëve, minierës dhe kolegëve besimtarë në Bulqizë.
Ka kushte për agjërim në Burgun e Burrelit?
Gjysmën e agjërimit e kam kryer në liri, pasi isha në arrest shtëpie, ndërkohë prej 10 ditësh jam këtu në Burgun e Burrelit. Kushtet për agjërim këtu në burg janë shumë më të mira se sa në liri. Në Bulqizë, në minierë apo në shtëpi, nuk kisha mundësi të isha kaq korrekt sa në burg. Këtu i kam të gjitha mundësitë të kryej të gjitha ritet fetare me korrektësinë më të madhe. Drejtoria e burgut është treguar mjaft dashamirëse me të dënuarit që agjërojnë. Kuzhina shërben për ne në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje, kur bie nata. Ndërkohë familjarët janë informuar se ne agjërojmë dhe na sjellin më shumë ushqime.