E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palo “enciklopedi”

Ylber LILI 

Gjithnjë shqiptarët e Maqedonisë janë në dimensionin e pasojës. Edhe në rastin e lajthitjes së akademisë së shkencave maqedonase, të cilët kanë kurorëzuar një palo “enciklopedi”, zyrtarët dhe intelektualët shqiptarë pritën që të ndodhte gjëma dhe më pastaj të reagonin. Ç’është e vërtetë kjo “enciklopedi”, mostrum maqedonas nuk erdhi si rrufe në qiell të pastër.  Në një farë forme promovimi i kësaj paçavureje, ndodhi në fillim të muajt maj. Si të thuash maqedonasit para se ta zyrtarizonin testuan opinionin sidomos shqiptarët. Në këtë kontekst duhet potencuar se reagimi i qarqeve intelektuale shqiptare ishte sporadik.
Përveç disa historianëve kurajozë, të tjerët heshtën duke e marrë lehtë këtë punë. Të mos flasim për partinë që përfaqëson shqiptarët në institucionet e sistemit, sepse ata kanë dëshmuar vetëm një gjë: Të rrinë në pushtetin pa pushtet. Në gjithë këtë heshtje, akademikët shqiptarë ia mbathën dhe nuk bënë asnjë lloj rezistencë për të korrigjuar, apo parandaluar “enciklopedinë” më të shpifur të historisë moderne.
Pra, elitat shqiptare, sidomos partia shqiptare në pushtet, pat afro pesë muaj kohë në dispozicion që t’i paraprinte fenomenit. Në këtë kuptim maqedonasit shfrytëzuan maksimalisht heshtjen dhe topitjen e elitave shqiptare dhe tani promovuan pa u hyrë gjemb në këmbë një “enciklopedi” falsifikatore, që provokon dhe fyen rëndë shqiptarët etnikë si dhe atakon faktorin ndërkombëtar.
II
Gjithsesi, maqedonasit po tregohen qesharakë në çdo fushë, madje, shpesh krijojnë situata tragjikomike, duke falsifikuar dhe plaçkitur historinë e shqiptarëve përmes një palo “enciklopedie”. Kjo paçavure, për nga përmbajtja rrëfen se si pala maqedonase kërkon të përvetësojë gjithçka, përfshirë historinë dhe origjinën e shqiptarëve. Megjithë indiferencën e subjektit politik shqiptar në qeverisje (BDI), historianët shqiptarë kanë reaguar ashpër. Sipas tyre, dalja në qarkullim e botimit “Enciklopedia e përgjithshme dhe maqedonase” është një provokim dhe fyerje e radhës ndaj shqiptarëve. Thënë më fjalë të tjera shqiptarët injorohen dhe u shtrembërohet e vërteta historike e prejardhjes së tyre.
Përtej kësaj tragjikomedie, shqetësimi bëhet ende më i madh kur shikon sesi Qeveria e Maqedonisë, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, financon një enciklopedi që falsifikon dhe poshtëron historinë e tyre. Nuk janë pak, por katër vëllime me 2014 faqe. Në të janë publikuar 22 mijë zëra maqedonas nga fusha të ndryshme, si: personalitete, ngjarje historike, ekonomike, politike, gjeografike, kulturore, religjione botërore, flora e fauna etj., të cilët ngjajnë me piratë dhe hajdutë të historisë së shqiptarëve. Bie fjala, duke shfletuar marrëzinë e radhës së maqedonasve, emri Gjergj shkruhet Gjorgjia dhe se origjina e tij është sllave. Po kështu shtrembërohet edhe origjina e Nënë Terezës duke e quajtur vllahe. Përveç këtyre lajthitjeve, autorët maqedonas të enciklopedisë përmes fantazisë së tyre të shfrenuar i konsiderojnë shqiptarët ardhacakë, shpellarë dhe agresore duke mohuar kështu të vërtetat historike.
III
Shtrohet pyetja cilët janë shkaqet që i bëjnë maqedonasit falsifikatore të historisë së shqiptarëve? Pikësëpari ata tentojnë të shërojnë komplekset e tyre të prejardhjes dhe identitetit. Së dyti orvaten të relativizojnë maksimalisht të vërtetat historike që lidhet me shqiptarët. Së treti, maqedonasit marrin rolin e viktimës duke atakuar drejtpërdrejt SHBA-të dhe Britaninë e madhe që sipas “enciklopedisë”, paskëshin sponsorizuar dhe stërvitur ushtarët e UÇK-së. Dhe më kryesorja elitat maqedonase përmes falsifikimit, plaçkitjes, fyerjes, relativizmit dhe shpikjes së armiqve fantazmë rreken të arnojnë identitetin e tyre të munguar. Sidoqoftë paçavurja e ashtuquajtur “enciklopedi” zhvesh problemet e mëdha që e shoqërojnë identitetin maqedonas. Ata si duket nuk janë të vetëdijshëm, që po përcëllohen në flakët e realiteteve historike me duart e tyre. Analizuar thellë-thellë, shfletimi i kapitujve historikë është i njëjtë me hakërrimin ndaj gjeografisë së vendit. Në këtë kuptim, politika maqedonase nuk duhet të merret me historinë, ngaqë e vërteta historike nuk është në anën e trillit “enciklopedik” maqedonas .
Historia, qartë dhe në mënyrë precize, të ofron një tjetër pasqyrë, që bie ndesh me realitetin etnocentrik maqedonas dhe shuan epshin fantazist të antikitetit. Parë në këtë këndvështrim, të çudit fakti se si elita maqedonase nuk del dot nga zgafella e logjikës refraktare. Kjo logjikë nuk ka asnjë pikë kontakti më të vërtetat historike. Në këto kushte, duke ditur se bota virtuale dhe ajo reale pleksen me indiferencë semiologjike, duke ditur zbrazëtinë e licencës historike, politikanët maqedonas parapëlqejnë të luajnë me kartën e viktimizimit. Megjithëse kjo elitë tenton t’i fajësojë shqiptarët, qoftë edhe me kërkesat e tyre të mundshme për federalizim dhe kantonizëm, sërish i ikën forcës së argumenteve.
IV
Gjithsesi, ngjarjet dhe argumentet historike, politike dhe shoqërore formësojnë sistemin mbrojtës të shqiptarëve. Problemi i Maqedonisë janë vetë maqedonasit, është logjika maqedonase, e cila bie ndesh me shtetin multietnik, për të cilin as Gligorovi, Cërvenkovski, Gjeorgjevski, Gruevski, as Akademia e Shkencave, elitat, shoqëria civile apo analistët nuk po ndërgjegjësohen.
Në këtë kontekst, lind pyetja: përse elitat maqedonase druhen prej forcës së argumenteve dhe historisë? Për shkak se ato nuk kanë asnjë nishan për të ofruar argumente për ekskluzivitetin maqedonas, për shtetin dhe as për identitetin dhe kombin. Së këndejmi, rrënjët e problemeve me të cilat ndeshet sot Maqedonia, kryesisht ato me karakter ndëretnik dhe ndërfqinjësor, duhen kërkuar te projektet e gabuara, pasojat e të cilave tashmë kanë nxjerrë krye. Përderisa nuk merren në konsideratë dhe nuk analizohen me logjikë të ftohtë periudhat historike apo përplasjet, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë.
Detyrimisht, mungesa e ballafaqimit me realitetet politike, shkencore, sociologjike dhe historike krijon situata krizash që ngushëllohen me tekste të zbehta e  paçavure të ashtuquajtur “ecipkopedi”, asgjë më shumë. Kështu mund të kualifikohen edhe intervistat, deklaratat, prononcimet dhe qëndrimet e lidershipit politik maqedonas, i cili ofron një përkujdesje të theksuar për logjikën maqedonase, përmes artikulimeve të përcipta dhe të zbehta nga pikëpamja e argumenteve.
Sidoqoftë, Maqedonia është tepër e brishtë për ta gëlltitur gjithë atë ambicie që ka ndaj shqiptarëve, fqinjëve, ndaj historisë dhe të ardhmes, pikërisht për faktin se çdo lexim, i çfarëdo teksti të autorëve maqedonas, është humbje kohe.
Sado që të jemi dashamirës për kërkesat e tyre, megjithatë nuk kemi të drejtë historike, morale, politike e atdhetare që të shndërrohemi peng i një politike joreale, apo të jemi mazohistë dhe të kënaqemi me goditjet që ata na ofrojnë. Këtë duhet të kuptojmë njëherë e mirë, partia e z. Ahmeti që është ne qeveri me Nikolla Gruevskin. Sidoqoftë në këto rrethana , shtetarët dhe pushtetarët maqedonas vazhdojnë të mbeten robër të logjikës së tyre, ngaqë nuk marrin parasysh as faktorët globalë, që kanë forcë të vendosin për balancë dhe drejtpeshime në Ballkan. Së këndejmi, rrëfimi “enciklopedik” maqedonas është problem për ta, të cilët shpenzojnë energji të kota dhe bëhen qesharakë. Mirëpo kjo është njëra anë e medaljes, shqiptarët duhet të reagojnë fuqishëm dhe pa ekuivokë. Reagimi nuk duhet të njohë kufij!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›