“Gërdeci shpërtheu nga karrocat”
Armand BajramiKarrocat që këputeshin gjatë punës në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec saldoheshin tek shtëpia e Qemal Deliut, e cila ndodhej vetëm 30 metra larg punishtes. Dëshmia që mbështet versionin e Prokurorisë, se shpërthimi i 15 marsit 2008 erdhi nga një karrocë e salduar e paftohur mirë, u paraqit në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit. Dëshmitarja Drita Cani tha para trupës gjykuese se ndodhte shpesh që karrocat metalike të dorës, që ata i përdornin për transport brenda për brenda fabrikës, të prisheshin. Sipas dëshmitares, saldimi i tyre bëhej nga Qemal Deliu, një nga viktimat e shpërthimit. Saldimi i karrocave nga i ndjeri Qemal Deliu është pohuar edhe nga dëshmitarë të tjerë në seancat e mëparshme në këtë proces. Veç Canit, gjykata u njoh dje edhe me dëshmitë e disa ish punonjësve të fabrikës, shpërthimi i së cilës vrau 26 persona dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Rabie Gërdeci, Avni Kurti, Bihane Halili, Alketa Azizi, apo Zyra Hasa ishin të tjerë ish punonjës që treguan para togave të zeza për punën e tyre në fabrikën e demontimit të municioneve, si edhe tmerrin e përjetuar ditën e shpërthimit të saj. Dëshmitarët pranuan dje se çdo mëngjes në fabrikë merrnin instruksione për mënyrën e kryerjes së punës, por asnjëri nuk iu përgjigj pozitivisht pyetjes nëse kishin firmosur një kontratë punë, apo një rregullore të sigurimit teknik. Disa nga dëshmitarët pohuan se në fabrikë kishte ekspertë ushtarakë dhe se kishin vënë re praninë e disa amerikanëve në ambientet e fabrikës. Drita Cani“Karrocat prisheshin herë pas here. Shpesh herë ne i transportonim në krahë dërrasat e arkave. Karrocat që prisheshin i saldonim tek Qemal Deliu”, u shpreh dje dëshmitarja Drita Cani. Sipas saj, puna në fabrikë ishte me normë dhe norma ngrihej nga dita në ditë. “Normën na e ngrinin çdo ditë. Nëse e realizonim ditën e parë, ditën tjetër norma rritej sërish. Nëse kapnim normën merrnim 20 mijë lekë të rinj në ditë për person, por ne asnjëherë nuk e arrinim normën. Kur i ankoheshim përgjegjësit Vangjelit (Veiz Muça) për normën, ai na thoshte se e kishin të tjerë persona në dorë atë punë. Qëndronim me orar të zgjatur në fabrikë. Pushime nuk bënim, pasi ishim hallexhinj dhe donim të punonim”, rrëfeu dëshmitarja. Cani tregoi dje se një ditë ishte përjashtuar nga puna. “Më kanë pushuar njëherë nga puna ndërsa punoja tek demontimi i predhave. Më pushoi Vangjeli, për shkak se, kur punëtorët e tjerë ishin vendosur në rresht dhe po merrnin instruksionet, unë shkova dhe mora karrocën. Atë ditë më përzuri nga puna, por të nesërmen më pranuan sërish në punë”, tha dëshmitarja, të cilës shpërthimi në Gërdec i kishte vrarë bashkëshortin dhe i kishte plagosur rëndë dy fëmijët.Bihane Halili - Zjarri fikej me kovaIsh-punonjësja e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Bihane Halili, tha dje se veglat e punës ishin leva, çekiçi dhe pincat. Sipas dëshmitares, për fikjen e zjarreve në fabrikë përdoreshin kova me ujë, si edhe fikës zjarri. “Di një rast që një zjarr i vogël pranë makinerive të demontimit të fishekëve u fik me anë të fikësve”, u shpreh para treshes gjykuese dëshmitarja Halili.Rabie Gërdeci - Na rrëmbeu zjarriRabie Gërdeci kishte qenë vetëm pak metra larg grupit të familjes Deliu, kur në fabrikën e Gërdecit shpërthyen flakët. “Nuk pashë asgjë, por ndjeva avullin e nxehtë që na mbuloi. Vatra e zjarrit ka qenë 10 metër larg meje. U munduam të largoheshim por ishte e kotë. Na kapi flaka. Kam ikur në këmbë deri në spitalin e Maminasit. Jam djegur në kokë dhe në shumë pjesë të trupit. Qëndrova tek Nënë Tereza për 2 muaj e gjysmë”, u shpreh dëshmitarja.Avni Kurti - Firmosa rregullorenAvni Kurti tha dje në gjykatë, se kishte zbatuar rregulla sigurie gjatë punës së tij pranë makinerisë së demontimit të fishekëve të kalibrit 72.6 mm në Gërdec. “Nuk më lejohej të qëndroja tek makineritë pa syze, ose me shapka. Firmosnim një rregullore të sigurimit teknik ku thuhej që duhej të përdorim syze, që ndalonte përdorimin e shapkave dhe që duhet të mbanim një jelek me ngjyrë të caktuar”, tha dëshmitari, i mitur në kohën që punonte në fabrikë.Alketa Azizi - Vazhdoj të mjekohemDëshmitarja Alketa Azizi tha dje se askush në fabrikë nuk i kishte mësuar se ç’duhej të bënin në rast zjarri. Ditën e shpërthimit ajo kishte dëgjuar vetëm një të bërtitur “ç’na bëtë! Na dogjët të gjallë brenda!”, pa mundur të shquante se kush i tha këto fjalë dhe se vala e flakës i kishte zënë tek dera e fabrikës. Për shkak të plagëve të djegieve ende të pambyllura, dëshmitarja pohoi dje se aktualisht nuk ishte në gjendje të punonte.Minxolli - “Punëtorëve s‘u kërkohej llogari”Ish-drejtuesi i fabrikës së Gërdecit, aktualisht i pandehur i arrestuar, Dritan Minxolli reagoi dje në lidhje me pretendimet e dëshmitarëve se në fabrikën e Gërdecit nuk kishte ditë pushimi. “Në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec punohej ditë për ditë. Kjo si referencë e administratorit tjetër të fabrikës, amerikanit Patrik Henri. Kush mungonte nuk i paguhej dita, por as nuk i kërkohej llogari për mungesën”, deklaroi Minxolli nga kafazi i sallës së gjyqit. Prej disa seancash, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeci, paraqiten në seancën gjyqësore në ngarkim të tyre. Ndërkohë që dy të pandehurit e tjerë të arrestuar të këtij procesi, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji, nuk janë shfaqur në ndonjë nga seancat në Gjykatën e Tiranës.