E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i gazit, vdes në spital kryefamiljari

Shtëpia e shkrumbuar e familjes Qefalia

Vdes në spital Ilir Qefalia, 37-vjeçari që u dogj dy ditë më parë nga shpërthimi i bombolës së gazit në banesën e tij në Farkë të Tiranës. Kryefamiljari nuk ka mundur të mbijetojë duke ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ai u plagos rëndë pasditen e së mërkurës, pasi pësoi djegie në të gjithë trupin, dhe mjekët i dhanë vetëm disa orë jetë, pasi kishte kaluar në gjendje të karbonizuar. Bashkë me 37-vjeçarin u plagos rëndë edhe e shoqja, Dorina Qefalia, 29 vjeç, të cilën presioni i shpërthimit të gazit e nxori nga dritarja duke e hedhur nga kati i tretë. Ajo vazhdon të mbahet në terapi intensive në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet në gjendje kome. E plagosura e tretë, vajza e çiftit Qefalia, 8-vjeçarja Armela, edhe pse me djegie të shumta në trup, sipas mjekëve, është në gjendje më të mirë shëndetësore.
Tragjedia e shkaktuar nga zjarri ndodhi në shtëpinë 4-katëshe ku banojnë edhe familjarët e tjerë të të plagosurve, por në katin e tretë, aty ku ndodhi shpërthimi, jetonte çifti Ilir e Dorina Qefalia, bashkë me vajzën e plagosur dhe djalin 3 vjeçm që fatmirësisht ka shpëtuar pa pasoja. Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës dyshohet se bombola 15-litërshe që ka shpërthyer ka qenë e vjetër dhe e amortizuar. Bombola dyshohet të jetë përdorur që prej vitit 2001 dhe një nga valvolat e saj nuk funksiononte, duke sjellë rrjedhjen e gazit. Sipas burimeve nga Policia, gazi i përhapur në të gjithë dhomën kur Ilir Qefalia po e montonte në sobën e gatimit, ka marrë flakë në momentin kur kanë ardhur dritat, pasi deri në atë moment në shtëpi nuk ka pasur energji elektrike. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke sjellë shpërthimin e sasisë së gazit që ndodhej brenda bombolës dhe ka shkaktuar tragjedinë.
DESHMIA E NENES
Xhemile Qefalia, nëna e 37-vjeçarit që ndërroi jetë dje, banon në të njëjtën shtëpi ku ndodhi shpërthimi i gazit, por në katin e parë të vilës katërkatëshe. Ajo e ka dëgjuar shpërthimin e fortë dhe thirrjet për ndihmë të të birit, por tregon se asnjë nga familjarët nuk ka arritur të depërtojë për t’u ardhur në ndihmë për shkak të flakëve dhe tymit që ishte përhapur në të gjithë ndërtesën. “Iliri e kishte ndërruar bombolën dy ditë para ngjarjes. Tha që do shkonte ta ndërronte dhe të merrte një tjetër të re, pasi kjo që kishte po e rridhte gazin dhe nuk ishte e sigurt. Dje (të mërkurën) ai e kishte mbushur, nuk e di se ku, dhe erdhi që ta montonte në shtëpi. Në kohën që po e lidhte me sobën, ajo mund të ketë shpërthyer. Unë nuk e kam parë, pasi nuk kam qenë lart në kat të tretë, por dëgjova shpërthimin poshtë. Pastaj pashë që nusja dhe djali i vogël ishin jashtë. Dorina kishte rënë nga dritarja, nuk e di, është hedhur vetë për të shpëtuar apo e ka shtyrë presioni i gazit, por ajo është shumë rëndë dhe mjekët akoma nuk na kanë dhënë një lajm të mirë as për atë”, tregoi dje për gazetën nëna e viktimës, Xhemile Qefalia. Ajo ka shpjeguar se Iliri është djali i dytë i saj që humb jetën, pasi pak vite më parë i ka vdekur edhe një djalë tjetër. “Para katër vitesh ma vranë një djalë. Tani më vdiq djali tjetër. Vetëm një djalë më ka mbetur. A ka ndonjë tragjedi më të rëndë se kaq?”, na drejtohet e moshuara, teksa përpiqemi ta pyesim për atë që ndodhi dy ditë më parë. Ajo tregon se djalin e saj 29 vjeç, Xhevdetin, ia kanë vrarë në vitin 2008 për çështje pronash.
Dje, në orën 12:00, Ilir Qefalia është përcjellë për në banesën e fundit, ndërsa disa nga të afërmit nuk kanë mundur të marrin pjesë në varrim, pasi disa prej tyre ndodhen në Spitalin Ushtarak pranë Dorinës, dhe disa te Djegiet Plastike, pranë vajzës 8 vjeçe.

ETLEVA DELIA

Tiranë, flakë në poliklinikë
Një qark i shkurtër elektrik ka sjellë shpërthimin në kasetën (automatin) e Poliklinikës Nr. 10 në Tiranë, duke përfshirë nga flakët tri katet e ndërtesës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:10, ndërsa tymi i shkaktuar nga djegia e kabllove elektrikë ka sjellë kaos në korridorin e katit të parë. Situata është vënë shumë shpejt në kontroll prej zjarrfikësve, të cilët kanë shuar flakët dhe nxjerrë jashtë personelin dhe personat që ndodheshin në poliklinikë. Burime nga Policia e Tiranës thanë se në orët e pasdites ishte shkëputur energjia elektrike për poliklinikën, ndërsa specialistët pritej të nisnin punën për të rregulluar defektet elektrike dhe kthyer energjinë. Në kohën kur elektricistët po përpiqeshin të lidhnin energjinë, ka ndodhur edhe shpërthimi në kasetën e katit të parë.

Fier, digjet banesa e invalidëve
Fier – Digjet banesa e invalidëve nga pakujdesia me pajisjet elektroshtëpiake. Ngjarja ka ndodhur dje në Fier, ku një person është lënduar lehtë gjatë përpjekjeve të para për shuarjen e flakëve. Zjarri ka përfshirë banesën e një çifti të verbërish në Fier. E dëmtuar nga ngjarja është banesa e familjes Manaj, ndërsa mbeten ende të paqarta shkaqet e rënies së zjarrit. Në momentin e ngjarjes, në banesë kanë qenë 6 persona, të cilët fatmirësisht kanë mundur të dalin menjëherë nga ndërtesa. Nga zjarri Qamil Manaj ka pësuar disa djegie të lehta dhe është transportuar menjëherë në spital, prej ku mësohet se është në gjendje të mirë. Flakët janë shfaqur në një nga dhomat e gjumit, duke u përhapur më pas në të gjithë apartamentin. Policia e rendit dhe efektivët zjarrfikës mbërritën në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi u njoftuan nga banorët e pallatit. Efektivët e policisë po hetojnë se bashku me ekspertët për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›