E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dehuri dhunon zyrat e Kadastrës

Zyra e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut të Fierit, është sulmuar dje nga një person, që sipas policisë ishte i dehur. Një burrë, 45 vjeç, pas marrjes së takimit me titullarin e Kadastrës së Fierit, Leonard Feleqi, ka dhunuar zyrën e tij, duke thyer disa xhama të dollapëve ku mbaheshin dokumentet, si dhe disa sirtarë. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se personi që ka dhunuar Kadastrën e Fierit është Abaz Lilo. Ai kishte shkuar për të marrë vërtetimin e njohjes së pronësisë së tokës së tij dhe përgjigjja negative e dhënë nga kreu Leonard Feleqi ka shkaktuar irritimin e tij. Një furgon i grupit të gatshëm të Policisë së Fierit ka shkuar menjëherë në zyrat e Kadastrës, ku ka bërë ndalimin e Lilos. Por pas marrjes në pyetje dhe konstatimit se ai ishte nën efektin e alkoolit, policia ka vendosur ta lërë të lirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›