E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, ofensivë kundër hajdutëve

Tetë grabitës kanë rënë dje në prangat e Policisë në Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër. Burimet policore bëjnë të ditur se bëhet fjalë për njerëz që për të kryer vjedhjet përdornin armët dhe maskimin. Në Shkodër dhe Vlorë janë për krime të kryera në bashkëpunim, ndërsa në Gjirokastër, dy të arrestuarit vepronin të vetëm dhe kishin në shënjestër dyqanet dhe lokalet.

Vlorë

Dje, Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona, të cilët kishin tentuar nën kërcënimin e armës të grabisnin një banesë në zonën e Nartës. Dritan Maçaj, 26 vjeç, i dënuar edhe më parë për armëmbajtje pa leje, dhe Gentian Luzaj, 35 vjeç, të dy banorë të qytetit të Vlorës, u arrestuan pas një tentative për të grabitur një shtëpi në fshatin Nartë. Sipas policisë, të martën, rreth orës 22:30, këta dy persona kanë shkuar në fshatin Nartë me automjetin e tyre dhe kanë hyrë në banesën e shtetasit Thanas Papa. Ata kanë hyrë në banesë të maskuar dhe të armatosur me një armë gjahu, e cila mbahej nga shtetasi Gentian Luzaj. Nën kërcënimin e armës, ata kanë kërkuar paratë që familja Papa dispononte. Por të zotët e shtëpisë janë përleshur me grabitësit, ata kanë marrë plagë, por kanë arritur të plagosin edhe njërin prej grabitësve. Pasi përleshjes, Maçaj dhe Luzaj janë larguar me mjetin e tipit "Rover" me targa VL 1906 A. Pas largimit të tyre, bashkëshortët Papa kanë lajmëruar policinë dhe kanë dhënë targën e mjetit. Menjëherë ka nisur operacioni për kapjen e grabitësve dhe në më pak se një orë, në afërsi të plazhit të vjetër në Vlorë, është gjetur automjeti i braktisur i grabitësve. Në makinë janë gjetur një armë gjahu, dy maska me ngjyrë të zezë, një thikë dhe tre fishekë. Sendet e gjetura dhe automjeti tip "Rover" në pronësi të Gentian Luzajt u sekuestruan nga blutë. Pas mesnatës, u bë e mundur edhe kapja e dy autorëve të ngjarjes.

Shkodër

Policia e Shkodrës ka prangosur një grup të rinjsh, të cilët prej dy muajsh ishin bërë shqetësim serioz për qytetarët. Ata dyshohet se kishin vjedhur një numër banesash në zona të ndryshme të qytetit. Në njoftimin e saj, Policia e Shkodrës bën të ditur se si rezultat i një operacioni të mirorganizuar nga efektivat e Komisariatit Shkodër, është bërë e mundur kapja e shtetasve: Elvedin Lami, 21 vjeç, Rafael Zefi, 20 vjeç, Grasiel Nika, 19 vjeç, dhe P.Çardhaku, 16 vjeç. Sipas policisë, këta persona, në bashkëpunim, në kohë dhe vende të ndryshme, kanë kryer një sërë vjedhjesh këtë vit. Ata akuzohen për vjedhjen e një banese në lagjen "Perlat Rexhepi" më 30 janar; për vjedhjen me dhunë të çantave të grave më 23 dhe 31 janar; për vjedhjen e një biçiklete në lagjen "Qemal Stafa" më 31 janar. Policia ka bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një çantë dore femrash, tri biçikleta, një kalorifer, të vjedhura nga personat e arrestuar. Burime nga policia bëjnë të ditur se po punohet për zbulimin dhe dokumentimin e provave të tjera ligjore, për veprimtarinë e këtij grupi, pasi dyshohet të ketë kryer edhe vjedhje të tjera.

Gjirokastër

Policia e Komisariateve të Gjirokastrës dhe Tepelenës ka arrestuar dje në flagrancë dy persona, njeri në lagjen "Zinxhira" të Gjirokastrës, ndërsa tjetri në fshatin Dhëmblan i Tepelenës, të cilët kishin grabitur dhe vjedhur me thyerje dyqane private të shitjes së artikujve të ndryshëm. Burime të policisë bënë të ditur se në Gjirokastër është arrestuar 19-vjeçari Senet Goxhaj, pasi mesnatën e datës 2 shkurt, ka vjedhur me thyerje lokalin e marrë me qira nga shtetasi I.M në lagjen "Zinxhira". Sipas policisë dyshohet se i arrestuari, më datën 27 janar 2009, ka vjedhur dyqanin në pronësi të shtetases M.SH po në këtë lagje. Në të njëjtën ditë, në Tepelenë, është arrestuar 20-vjeçari Aliosha Hasani nga fshati Dhëmblan. Ai akuzohet se ka kryer vjedhjen me thyerje të tri dyqaneve ushqimore të këtij fshati. Vjedhja e dyqaneve ishte kryer duke prerë drynat e dyerve. Gjatë ushtrimit të kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën një palë gërshërë për prerje hekuri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›