E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhytje të mbarë me "Google Ocean"!

Gjatë tri viteve të fundit, "Google
Earth" i ka dhënë qindra milionë
përdoruesve të saj një mënyrë
shumë të efektshme eksplorimi, identifikimi
dhe zbulimi të sipërfaqes së planetit
tonë, ose të paktën pjesës tokësore
të tij. Që nga dita e djeshme, tabloja e
mundësive të eksplorimit plotësohet
edhe me botën ujore, përmes plotësimit
të "Google Earth" me "Google Ocean", që
mbulon 70% të sipërfaqes së planetit.
Ocean në "Google Earth" do t‘u japë
mundësi përdoruesve që të zhyten thellë
nën sipërfaqen e ujërave, e të "prekin me
dorë" faunën dhe florën e hapësirave blu,
si dhe relievin e mrekullueshëm të fundit
të deteve e oqeaneve e gjithçka që
mund të gjendet aty, përfshi anijet e
mbytura, apo të zhdukura prej kohësh.
Për t‘u ardhur në ndihmë përdoruesve,
në mënyrë që ta kenë më të qartë se çfarë
janë duke parë, "Google" ka bërë bashkë
një grup prej mbi 80 organizatash, përfshi
shoqërinë "National Geographic",
BBC, apo Shoqërinë e Ruajtjes së Deteve.
Informacionet e marra prej tyre konsistojnë
në fotografi, video dhe analiza të
ndryshme, që përditësohen vazhdimisht
dhe që janë në dispozicion të plotë të
eksploruesve të botës nënujore. Ata,
madje, kanë mundësi që të gjurmojnë
lëvizjen e peshqve të detit, të shohin
zonat e mbrojtura detare e madje edhe
të informohen se cilat janë llojet më të
shijshme të peshqve në zona të ndryshme
të globit. "Me versionin e fundit të
‘Google‘, ju jo vetëm mund të fokusoheni
në çdo lloj cepi të sipërfaqes së planetit
tonë, por tani mund të zhyteni edhe
thellë në detet e oqeanet, që mbulojnë
thuajse tre të katërtat e Tokës dhe kështu
të zbuloni mrekullitë e panjohura, të
cilat nuk keni mundur t‘i shihni në versionet
e deritanishme. Kjo do të jetë për
të gjithë një përvojë e jashtëzakonshme,
një përvojë magjike", ka deklaruar ishzëvendëspresidenti
amerikan, Al Gore,
në përurimin e versionit të ri të "Google
Earth". Ndërsa Erik Shmid, shefi ekzekutiv
i "Google", tha: "Në debatet për
ndryshimet klimatike, oqeanet dhe detet
shpesh anashkalohen, edhe pse janë
pjesë përbërëse dhe shumë e rëndësishme
e planetit. Rreth një e treta e dioksidit
të karbonit që emetojmë në atmosferë
përfundon në oqeane. Për më
tepër, pakësimi i vazhdueshëm i biodiversitetit
në ujërat e planetit do të bëjë
që gjatë 20-30 viteve të ardhshme dëmet
të jenë shumë të mëdha, por këtë pakkush
e di, sepse informacioni për hapësirat
e mëdha ujore të planetit ka qenë i
cunguar deri më tani. Ja përse pikërisht
sot, lançimi i ‘Google Earth‘ 5.0 është kaq
i rëndësishëm, sepse na jep një mundësi
më shumë të ndryshojmë dijet tona për
botën nënujore". Në perfeksionimin e
versionit të fundit kanë kontribuar edhe
shumë shkencëtarë, sidomos për sa u
përket të dhënave biometrike, të temperaturave
të shtresave të ndryshme
nënujore etj. Për herë të parë, të gjithë,
që nga shkencëtarët e deri te fëmijët e
vegjël, mund ta shohin të plotë planetin
e tyre dhe në një këndvështrim tërësisht
të ri.
Për vetë "Google", kjo është një arritje
shumë e madhe. Motori i famshëm i
kërkimit e nisi veprimtarinë e tij me
kërkimet në internet, më pas me "Google
Earth" në vitin 2006, që u dha
mundësinë njerëzve të eksploronin çdo
cep të Tokës dhe më së fundi edhe ujërat
e planetit. Peizazhet nënujore janë modeluar
përmes përdorimit të teknologjive
shumë të përparuara, si ajo sonare, ose
tingullore, vendosur në nëndetëse. Në
sajtin ekzistues në internet kanë akses
rreth 400 milionë njerëz dhe me futjen e
hapësirave nënujore ai pritet që të
frekuentohet nga një numër më i madh
personash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›