E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetime mbi oqean, qëndrime ndryshe nga Brazili e Franca

 

Ndërsa skuadrat e hetimit janë ende mbi Atlantik në përpjekje për të zbuluar se çfarë e ka shkaktuar zhdukjen e avionit francez me 228 njerëz, ekspertët hamendësojnë mundësinë e shpërthimit të tij në ajër nga një gabim njerëzor. Ministri brazilian i Mbrojtjes, Nelson Zhobim tha se njollat e naftës të zbuluara në Oqeanin Atlantik tregojnë se ka shumë pak mundësi që avioni i fluturimit 447 të jetë shkatërruar nga ndonjë shpërthim. Sipas tij, njollat e naftës tregojnë se avioni nuk duhet të jetë djegur. Ndërkohë në Francë, ekspertët e pyetur nga “Le Monde” mendojnë ndryshe. Sipas tyre, “Airbus A330” që udhëtonte nga Rio de Zhaneiro drejt Parisit po fluturonte me shpejtësi shumë të madhe dhe ky ka qenë shkak për copëtimin e tij në ajër. “Ka shumë mundësi që për shkak të shpejtësisë tepër të madhe, avioni është copëtuar që në ajër. Mbetjet e shpërndara në një hapësire prej 300 kilometrash provojnë këtë hipotezë”, thuhet në artikullin e “Le Monde”. Qëndrime të ndryshme nga Franca dhe Brazili ka edhe për mundësinë e një akti terrorist. Zyrtarët në Brazil vlerësojnë se nuk shikojnë shenja të ndonjë akti terrorist, por kreu i hetimeve për palën franceze, Pol Lui Arslanian vazhdon të ketë dyshimet e tij. “Shkaku i saktë i fatkeqësisë mund të mos mësohet kurrë”, tha ai për mediat. Franca ka dërguar nëndetëse robot në përpjekje për të arritur në vendin ku ndodhet avioni dhe që mund të jetë rreth 6-7 mijë metra nën sipërfaqe. Anijet e flotës braziliane kanë nisur mbledhjen e copave të gjetura të avionit në oqean. Një zyrtar brazilian, Ramon Borges Cardoso tha për AFP se pjesët e mbledhura do të dërgohen në Francë, vendi që kryeson hetimin për këtë tragjedi ndërkombëtare. Kërkuesit kanë gjetur vetëm pjesë të avionit, por asnjë shenjë nga njerëzit që ishin brenda. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›