Burri rrahu për vdekje gruan, mbeten jetimë 3 fëmijët e mitur
Luan Kondi
VLORË - Krimi në familje trondit Vlorën. Një burrë ka masakruar duke e rrahur për vdekje gruan e tij 36-vjeçare, nënë e tre fëmijëve dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ngjarja e rëndë ndodhi duke u gdhirë e enjtja në fshatin Armen të rrethit të Vlorës kur në banesën e çiftit Maksim e Irma Hodaj nisi grindja.
Sherri
Dyshohet se sherri ka degjeneruar në dhunë kur burri i është sulur gruas dhe i ka vënë duart në fyt derisa kjo e fundit nuk ka marrë më frymë. Kanë qenë fëmijët ata që me britmat e tyre kanë zgjuar komshinjtë, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë.
Policia bëri të ditur se menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar nga banesa. Nga të dhënat e para mësohet se burri në momentin e kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur. Dyshohet që kjo ka qenë dhe arsyeja e lindjes së grindjes mes çiftit. Policia konstaton se Irma Hodo ka humbur jetën pasi është ushtruar dhunë e fortë mbi të nga bashkëshorti Maksim Hodo.
Nëna e tre fëmijëve ishte viktimë e radhës e krimit në familje, ku sërish protagonistë janë bashkëshortët e dehur. Mes dhimbjes dhe lotëve tre të miturit e familjes Hodaj do të përcjellin për në banesën e fundit nënën e tyre, ndërsa do të kenë shumë “përse” për t’ju drejtuar babait të tyre për këtë tragjedi që shkaktoi brenda në familje.
Raste
Rasti më i freskët i dhunës në familje është ai i 2 majit të këtij viti në kavajë kur dy gra të dhunuara nga bashkëshortët u morën në mbrojtje nga policia. Më 27 mars të këtij vitit policia e kryeqytetit ka marrë në mbrojtje të menjëhershme një 47-vjeçare, e cila rrihej sistematikisht nga i shoqi. Sipas burimeve, Sh. M. kishte denoncuar dhunën fizike dhe psikologjike që ushtrohej ndaj saj në Komisariatin numër 6 të Policisë në lagjen “Kombinat” të Tiranës. Policia këshilloi edhe të shoqin, F. H., 52 vjeç, për të mos u konfliktuar sërish me bashkëshorten.
Më 17 shtator 2008 një tjetër ngjarje u regjistrua kur një grua, edhe pse mbrohej nga policia, u keqtrajtua nga ish-bashkëshorti. Vetëm pas denoncimit të radhës në Komisariatin e Policisë së Durrësit, forcat e rendit janë vënë në kërkim të bashkëshortit 40-vjeçar, i cili ishte larguar nga banesa. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bënë me dije se shtetasja L. K. kishte bërë kallëzim ndaj bashkëshortit të saj F. K., lindur në Dibër dhe banues në Lagjen Nr. 14 në qytetin bregdetar. 40-vjeçari F. K. kishte shkelur vendimin e gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për gruan e tij. Po vitin e kaluar një rast pikant ishte ai kur një burrë keqtrajtoi gruan dhe vjehrrën pasi sipas tij nuk i kishin ndaluar takimin me vajzën, teksa burrë e grua ishin në një proces divorci.
5 Qershor 2009