Bllokohen në Kapshticë 2 kile heroinë, arrestohet 32-vjeçari
KORÇE - Bllokohen dy kilogramë heroinë në tentativë për ta trafikuar në Greqi. Poseduesi i lëndës, 32-vjeçari Sejtur Geto nga Korça, u arrestua në kushtet e flagrancës për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas burimeve të policisë, i riu nga lagjja nr.3 e Korçës mbahej në survejim prej dy muajsh pasi kishin siguruar informacione në rrugë operative për veprimtarinë e tij të trafikut. Dje në mesditë, ai u bllokua në doganën e Kapshticës ndërsa në mjet kishte 2 kilogram heroinë. Mësohet se Geto e kishte fshehur drogën në sediljet e mjetit. “Sejtur Geto po tentonte të kalonte pikën e kufirit e të çonte mallin që kishte me vete në Greqi. Ne kishim informacione për përfshirjen e tij në një rrjet të trafikut të drogës, ndaj u mbajt nën survejimin e punonjësve të zyrës së luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike” bënë të ditur burime nga policia. Arrestimi i 32-vjeçarit u bë nga punonjësit e policisë kufitare e të migracionit. Ata ishin sinjalizuar më parë nga kolegët e tyre të antitrafiqeve, që në mjetin e tij tip “Benz” me targë KO 8107 B, të bënin një kontroll të imtësishëm. Pasi ndaluan makinën në doganë, blutë zbuluan se në sediljen prapa drejtuesit të mjetit ishin fshehur dy qeska të mbështjella me letër ngjitës bezhë, të cilat brenda kishin pluhur të bardhë. Menjëherë pas këtij konstatimi, ata shoqëruan të riun në mjediset e Komisariatit të policisë në Devoll. Ekspertët kryen ekzaminimin e përmbajtjes së lëndës së bardhë, e cila rezultoi se në qeset me pluhurin e bardhë ishte heroinë. Policia nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit në hetim me palën greke pasi dyshohet se një pjesë e këtij rrjeti të trafikut të jetë pikërisht në Greqi. j.gj