Fullani, gjimnazeve: Besoni te bankat
Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, bisedoi dje me nxënës dhe mësues në gjimnazin "Petro Nini Luarasi" të Tiranës, rreth temës "Edukimi kushton, por nuk ka çmim!". Biseda me nxënësit u përqendrua në rëndësinë e edukimit ekonomik e financiar për brezin e ri; në rolin konkret të njohurive financiare në jetën e secilit; në vendin që zë shkolla dhe mësuesit në krijimin e dijeve të kësaj fushe. "Njohuritë financiare janë si një çelës, jo për të hyrë në botën e të pasurve, siç mund të kujtojnë disa prej jush, por për të jetuar me dinjitet në jetën e përditshme të të gjithëve ne!", u shpreh Fullani. Në përfundim, guvernatori i njohu nxënësit edhe me projektin më të ri të Bankës së Shqipërisë, për të rritur besimin publik ndaj sistemit bankar shqiptar.