E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora bllokon rrugën, shiu hekurudhën

Zonat malore në Veri të vendit janë përfshirë sërish nga reshjet e dëborës, duke rikthyer problemet e lëvizjes në aksin problematik të Qafës së Malit në Kukës. Ndërkohë, shiu i rrëmbyer që ka rënë gjatë natës, duke u gdhirë e hëna, ka shkaktuar probleme në Librazhd, ku është bllokuar qarkullimi rrugor dhe ai hekurudhor.

Kukës

Gjatë orëve të natës së të dielës, reshjet e dëborës kanë risjellë problematikën e qarkullimit rrugor në akset kombëtare në verilindje. Kështu, në segmentin Qafë-Shllak - Qafë-Mali reshjet e dëborës që kanë vazhduar gjatë pasdites dhe në orët e natës kanë bllokuar për disa orë qarkullimin e mjeteve. Një drejtues autobusi i linjës së natës Prishtinë-Tiranë, tha për gazetën "Shqip", se mbi 10 autobusë, si dhe qindra mjete të tjera mbetën të bllokuara në dëborë, për shkak se shkëmbimi në kthesa ishte pothuajse i pamundur. Trashësia e dëborës ka qenë më pak se 20 cm, por të ftohtit dhe rruga e ngushtë e me kthesa të forta ka bërë që dy maune që transportonin mallra drejt Kosovës janë kryqëzuar në kthesë, duke rrezikuar seriozisht të bien në humnerë. Vetëm aty nga ora 02.00 e natës, siç bëhet e ditur nga burime të terrenit, është bërë e mundur hapja e rrugës, duke çliruar nga ankthi qindra drejtues mjetesh dhe udhëtarët në dy kahet e linjës. Në janar të këtij viti, segmenti i Qafës së Malit u bllokua nga dëbora dhe akulli dhe për gati tre javë kamionët e tonazhit të rëndë e kanë pasur të pamundur të kalojnë.

Librazhd

Si pasojë e reshjeve të shiut, gjatë natës së të dielës dhe paradites së djeshme është bllokuar traseja hekurudhore në rrethin e Librazhdit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, në afërsi të fshatit Dragostunjë të rrethit të Librazhdit, një masiv i madh dherash dhe gurësh kanë rrëshqitur nga kodrat, duke bllokuar linjën hekurudhore në një gjatësi prej afro 40 metrash. Rënia e masivit të dheut për pak sa nuk ka shënuar një tragjedi njerëzore, pasi makinistët e trenit të linjës Elbasan-Pogradec nuk kanë pasur dijeni për problemin në hekurudhë. Fatmirësisht, makinistët e kanë parë nga larg masivin e dheut dhe kanë arritur ta ndalojnë trenin pa shkaktuar dëme. Burime zyrtare nga nënprefektura e Librazhdit, bëjnë të ditur se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar punëtorë të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale, si edhe policia, të cilët kanë bërë zhbllokimin e trasesë dhe pastrimin e saj nga dherat dhe inertet në një gjatësi prej rreth 30-40 metrash. Vetëm pas disa orësh pritjeje është bërë e mundur lëvizja nëpër trase e trenit të udhëtarëve drejt Pogradecit. Sipas informacioneve, qarkullimi i automjeteve në këtë aks rrugor është lehtësisht i kalueshëm, me gjithë rëndimin e situatës nga reshjet e dy ditëve të fundit. Ndërsa Drejtoria Rajonale e Hekurudhave në Elbasan ka dyfishuar rojat e linjës hekurudhore, si dhe numrin e punëtorëve që merren me mirëmbajtjen e këtij aksi hekurudhor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›