E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, një i vdekur dhe dhjetë të plagosur në 48 orë

Një person ka humbur jetën, ndërsa dhjetë të tjerë janë plagosur në aksidente rrugore në 48 orë. Aksidenti me pasoja më të rënda ndodhi në Tiranë mbrëmjen e së dielës. Policia njoftoi se 70-vjeçari Hamdi Xhabafti gjeti vdekjen në spital, pasi u përplas nga një veturë në Rrugën e Kavajës, në afërsi të Urës Teknologjike. Aksidenti ndodhi rreth orës 22.10, kur 70-vjeçari kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën dhe u përplas nga një veturë tip "Volkswagen", që drejtohej prej 23-vjeçarit Julian Hamollari. Disa orë pas aksidentit, policia arriti të identifikonte makinën që u largua nga vendi i ngjarjes dhe të arrestonte shoferin dhe një tjetër person që ndodhej me të në makinë. Shoferi 23-vjeçar do të akuzohet për "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor", "largim nga vendi i aksidentit", "drejtim të automjetit në gjendje të dehur, apo pa dëshmi aftësie", ndërsa shoku i tij për "moskallëzim të krimit" dhe "kundërshtimit të punonjësit të policisë". Të dielën në Tiranë ndodhën edhe katër aksidente të tjera, si pasojë e të cilëve u plagosën katër persona.

Ndërkohë, në rrethin e Krujës janë regjistruar dy aksidente të rënda në aksin rrugor Fushë-Krujë - Milot. Ngjarjet kanë ndodhur natën e vonë të së dielës dhe si rezultat tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Bujar Lisi, 49 vjeç, së bashku me të ëmën Pashe, 70 vjeçe, ka mbetur i plagosur, kur automjeti me të cilin udhëtonin është përplasur nga një triçikël pa targa. Autori i aksidentit është Dervish Rexhepi, 51 vjeç nga Thumana, i cili u arrestua rreth orës 22.30 të ditës së diel. Rreth orës 22.45 u arrestua në flagrancë Bledar Kuraj 23 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamzë të Tiranës, pasi duke udhëtuar me automjetin e vet tip "Opel" me targa TR5205M ka aksidentuar 24-vjeçarin Gentjan Nikolla, që në atë moment po udhëtonte me një motoçikletë pa targa. Të tre të aksidentuarit në afërsi të Fushë-Krujës janë dërguar në gjendje të rëndë në spital, ku dhe po marrin ndihmën mjekësore.

Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur dje në rrethin e Matit. Një furgon mallrash ka dalë nga rruga duke rënë 20 metra poshtë një ure dhe si pasojë janë plagosur tre persona të një familjeje. Ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Burrel-Klos, vetëm një kilometër larg qytetit të Burrelit, në fshatin Shoshaj. Makina me targa DR 8019D ka "fluturuar" mbi urë, duke rënë nga një lartësi prej 20 metrash. Si pasojë janë plagosur drejtuesi i mjetit, bashkëshortja dhe djali i tyre katërvjeçar. Fatmirësisht ata kanë marrë plagë të lehta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›