E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdec, nis fushata "15 Mars - Shqipëria nuk Harron"

Grupi 15 Mars nisi dje në Gërdec fushatën për drejtësi dhe përgjegjësi për të këtë tragjedi të detonuar nga politika shqiptare rreth një vit më parë. Kjo fushatë do të ushtrojë presion mbi mungesën e përgjegjësisë institucionale dhe politike mbi tragjedinë e Gërdecit, në një kohë që po bëhet një vit nga ky rezultat makabër i politikës shqiptare të tranzicionit. Në lançimin e fushatës ishin të pranishëm familjarë të viktimave, përfaqësues ligjorë të këtyre familjeve, banorë të Gërdecit, studentë, përfaqësues të shoqërisë civile, sindikalistë etj. Feruzan Durda, një nga përfaqësuesit e këtij grupimi qytetar, njëherësh kryetar i Shoqatës së Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, duke folur për dhimbjen dhe humbjen personale, vuri theksin te harresa dhe keqtrajtimi që u bëhet familjarëve te viktimave. "Ne thjesht vazhdonim jetën normalisht, duke dhënë kontributin tonë për këtë shtet që duhet të na mbronte, por që në fakt na vrau", tha Durda. Feruzani, i cili ka humbur djalin e tij 6 vjeç në shpërthimin tragjik të 15 Marsit 2008 theksoi se pengesa e procesit për zbardhjen e shkaktarëve të "skëterrës" dhe papërgjegjshmëria dhe harresa nga institucionet shtetërore dhe politika është një vazhdim i dhunimit që komuniteti i Gërdecit ka pësuar. "Ne kërkojmë drejtësi dhe në qoftë se shteti dhe politika na kanë harruar, kërkojmë që shqiptarët të mos na harrojnë", theksoi ai. "Shqiptarët pritën një vit që të vendosej drejtësia, pritën një vit nga institucionet e shtetit shqiptar që përgjegjësit të dënoheshin dhe klasa qeverisëse të merrte përgjegjësitë morale dhe ligjore. Asnjë nga këto të dyja nuk ndodhi në harkun kohor të një viti. Sot jemi të gjithë këtu që të kërkojmë drejtësi", tha Leart Kola, një nga përfaqësuesit e Grupit 15 Mars. Kola vërejti se tragjedia e Gërdecit shënoi shfrytëzim të punëtorëve dhe të të miturve, shkelje të të drejtave te njeriut dhe dështim pothuaj të të gjithë institucioneve shtetërore dhe politikës në detyrën kryesore, garantimin e jetës së shqiptarëve. Ndërkaq gjatë vitit që pasoi, ai tha kujtoi se të gjithë aktorët institucionalë e politikë dështuan ta përdorin këtë tragjedi kombëtare si një moment reflektimi dhe përgjegjshmërie. Fushata "15 Mars - Shqipëria Nuk Harron!" ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe presionin ndaj politikës dhe institucioneve të tjera ligjvënëse mbi tragjedinë e Gërdecit, një vit pas shpërthimit fatal që mori 26 jetë njerëzish. Për këtë arsye është krijuar një front qytetar që kërkon drejtësi dhe përgjegjësi për Gërdecin, si dhe do të ushtrojë presion mbi klasën politike, duke qenë se ka kaluar një vit dhe politika shqiptare nuk ka dhënë as kontributin minimal për zbardhjen apo përgjegjësinë mbi këtë krim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›