Shaska “ndahet” me senatin,studentët ende pa zgjidhje
VLORE/ QEMAL BIRAKU
“Përçahet” Universiteti i Vlorës. Pas përplasjeve që ky institucion arsimor pati me Ministrinë e Arsimit duket se këto përplasje kanë përfshirë dhe vetë stafin e tij. Shkak është bërë regjistrimi i studentëve fitues të konkursit, të cilët kanë mesataren nën 6. Ndonëse të shtunën, vetë rektori Tanush Shaska, nga Amerika është dorëzuar para MASH, duke pranuar që studentët të regjistrohen në universitet, ky vendim nuk është pranuar prej stafit akademik të Vlorës. Përballë këtyre mosmarrëveshjeve të radhës, të humbur ngelën studentët. Mësohet se me anë të një shkrese zyrtare, të nisur në drejtim të MASH-it më datë 3 tetor, pikërisht të shtunën, rektori Shaska ka kërkuar shtyrjen e afatit të regjistrimit të studentëve, pavarësisht mesatares së tyre. Ai ka kërkuar që deri në orën 17:00 të së dielës, një ditë pas mbylljes së afatit zyrtar, studentët e Vlorës të kishin mundësi regjistrimi. Në këtë mënyrë, Shaska ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Arsimit, për të mos lënë jashtë auditorëve asnjë prej të rinjve që kërkojnë të shkollohen si moshatarët e tyre në çdo universitet tjetër. Kjo, pasi ka marrë garancinë se do të respektohen të gjitha vendimet e UV-së vitin e ardhshëm. Deri tani mospranimi i studentëve me mesatare të ulët justifikohej me rritjen e kërkesave të cilësisë në universitetin “Ismail Qemali”. Kjo kërkesë, ndonëse është miratuar nga MASH, është kundërshtuar nga stafi akademik i Universitetit të Vlorës, duke e deklaruar këtë vendim si një shkelje të ligjit dhe fyerje të stafit, duke mos e pranuar atë. Dhe pse rektori dhe MASH kanë lejuar regjistrimin e studentëve nën notën 6 deri pasditen e së dielës, asnjë student nuk është regjistruar. Nuk dihet nëse ata kanë pasur dijeni apo jo për mundësinë që iu dha ditën e diel, por gjatë ditës së djeshme asnjë prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në ambientet e universitetit. Megjithatë, duket se ata nuk do të ishin pranuar, pas këmbënguljes së stafit akademik. Sipas 6 profesorëve, mes tyre dhe zv/rektorit, senati nuk mund të bëjë asnjë kompromis kundër vendimeve të marra në datën 23.09.2009 për mosregjistrimin e studentëve me mesataren nën notën 6. Stafi akademik i ka bërë thirrje të gjitha institucioneve akademike, intelektualëve, opinionit publik, përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare, që ta përkrahin kauzën e tyre duke mos zbatuar urdhrin e rektorit dhe të MASH. Ndërkohë, studentët mbeten ende pa zgjidhje për fatin e tyre.
deklarataT
Deklarata e Rektorit Shaska Të nderuar kolegë,
Dje i kam bërë një kërkesë MASH për shtyrjen e regjistrimeve për maturantët edhe për ditën e sotme, (e diel). Me aprovimin e Ministrit të Arsimit, ne sot kemi shtyrë regjistrimin e maturantëve deri në orën 17:00. Kjo është vetëm për ata maturantë me mesatare nën 6, të cilët nuk janë paraqitur për të shkruar emrat. Të gjithë të tjerët nuk ka nevojë që të vijnë më për t’u paraqitur sot. Për problemin e maturanteve me mesatare nën 6 ju njoftoj si më poshtë:
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Prof. M. Tafaj na ka dhënë garanci të plotë se të gjitha kushtet e vëna nga UV për pranimet do të respektohen me rigorozitet në vitin në vazhdim. Në frymën e bashkëpunimit me MASH unë kam dhënë urdhër që regjistrimet të vazhdojnë edhe sot për të gjithë ata maturantë që nuk janë paraqitur gjatë javës.
Mendoj se me garancinë e Ministrit zgjidhet problemi ynë kryesor mbi pranimet në UV. Ne do të regjistrojmë maturantët me mesatare më të vogël se 6 të këtij viti, të cilët bëhen gjithsej 161. Dua gjithashtu të theksoj se në këtë proces UV ka ndjekur me përpikëri ligjin dhe të gjitha afatet dhe unë në asnjë mënyrë nuk po pranoj se ky ishte një problem i krijuar nga UV. Shpresoj që në këtë zgjidhje të problemit të kem mbështetjen e gjithë stafit akademik të UV-së. Unë ju garantoj se si Rektor i UV-së do të vazhdoj të luftoj për autonominë akademike të UV-së, si edhe për problemin kryesor të hapjes së programeve të reja që është bllokuar nga MASH.
Besoj se do të kemi mbështetjen e Ministrit për zgjidhjen e gjithë problemeve të mbartura me MASH, veçanërisht atë të programeve të reja.
Deklarata e stafit pedagogjik të UV “Ismail Qemali
Kjo deklaratë bëhet për të kundërshtuar vendimin e rektorit për zgjatjen e afatit të regjistrimeve të maturantëve deri në ditën e diel, në datën 4 tetor 2009.
Ne si kolektiv pedagogjik i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës e konsiderojmë këtë një shkelje të rëndë të autonomisë së Universitetit dhe nëpërkëmbje të autoritetit dhe dinjitetit të Senatit të UV, i cili është organi më i lartë vendimmarrës i Universitetit të Vlorës.
Ritheksojmë qëndrimin tonë të mëparshëm, të deklaruar në datën 23/09/2009, që nuk mund të bëhet asnjë kompromis me MASH në kundërshtim me vendimin e Senatit të UV të maj 2008.
U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve akademike, intelektualëve, opinionit publik, përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare që ta përkrahin kauzën tonë.
Stafi pedagogjik
Eustrat Zhupa, Ervin Ruçi, Jorgo Mandili, Dorjan Tozaj, Lulëzim Hajnaj, Petrit Taraj, etj.