I dënuar i përjetshëm, pranga 70-vjeçarit
TEPELENE - Vihet në pranga 16 vjet pas kryerjes së një vrasjeje. Latif Xholi, 70-vjeçari nga Progonati i Tepelenës, i dënuar me burgim të përjetshëm, ka rënë në prangat e policisë lokale. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Tepelenë, kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama" se i moshuari është arrestuar gjatë orëve të para të së dielës, në bashkëpunim me komisariatin e Sarandës. Xholi ka qenë person i shpallur në kërkim pas vitit 1997, kur u arratis nga burgu i Burrelit, ku vuante dënimin e përjetshëm. Në korrik të 1994 Xholi ka qëlluar për vdekje me çifte kushëririn e tij, Adhurim Xholin, atëherë 25 vjeç për motive banale. Një debat mjaft i fortë lindur mes kushërinjve ka degjeneruar me vrasje ndaj të riut nga ana e Latif Xholit. Kullotat e bagëtive kanë qenë objekti i sherrit mes dy personave çka degjeneroi me rrëmbimin e armës nga ana e Latifit dhe më pas goditjen një herë të vetme në trupin e viktimës. Për këtë veprim, Xholi u arrestua atëherë nga uniformat blu dhe u dënua nga gjyqësori me vendim të formës së prerë me burgim të përjetshëm. Latifi vuante dënimin në Burgun e Burrelit deri në mars të 1997 dhe pas hapjes së burgjeve, ai u arratis në drejtim të Italisë ku dhe ka qëndruar i fshehur për 12 vjet me radhë. Bëhet e ditur se kohët e fundit, ai ishte kthyer në Shqipëri dhe qëndronte në fshehtësi të plotë në banesën e djalit të tij në qytetin e Sarandës. Por, policia e ka pikasur, duke e arrestuar të moshuarin. p.n