Psikiatriku i Shkodrës kthen në shtëpi motrat e lidhura me zinxhirë
PESHKOPI - Janë rikthyer në banesën e tyre në fshatin Bllatë e Poshtme dy vajzat që qëndruan të lidhura për shumë kohë më zinxhirë nga babai i tyre, Dine Keshi. Burime pranë policisë lokale thanë për "Panorama" se ditët e fundit spitali i të sëmurëve mendorë ka vendosur që Thëllënxa dhe Fidane Keshi, 38 e 45 vjeçe të kthehen pranë babait dhe vëllait të tyre në këtë fshat të Maqellarës. Megjithëse gjendja e tyre shëndetësore nuk ka shënuar ndonjë përmirësim të dukshëm spitali ka transportuar me një ambulancë nga Shkodra për në Peshkopi dy vajzat e sëmura mendërisht. Po burime pranë policisë Dibër, efektivët e të cilës janë të interesuar gati çdo ditë për dy vajzat, thonë se aktualisht vajzat trajtohen me barna nga infermierja e fshatit, mirëpo dy ditë më parë për shkak të agresivitetit të njërës prej tyre, infermierja ka kërkuar të shoqërohet sa herë që i duhet të kurojë dy vajzat Keshi. Dy vajzat janë nxjerrë nga izolimi më datë 26 tetor të vitit të kaluar, pasi mediat e shkruara dhe vizive bënë të ditur skandalin e lidhjes së dy vajzave me zinxhirë nga babai i tyre. Bëhet e ditur se momentalisht vajzat duken më të qeta se më parë, kjo për shkak të kurimit që kanë pasur për 70 ditë në spitalin psikiatrik në Shkodër. Drejtues të komunës Maqellarë, të policisë vendore dhe të afërm të vajzave të keqtrajtuara gjatë nga babai i tyre, sqarojnë se është shtuar kujdesi për dy vajzat dhe se aktualisht ato nuk mbahen të lidhura nga Dine Keshi. Për babanë e tyre nisi hetimi me akuzën e "heqjes së lirisë së tjetrit pa vendim gjykate", por mesa kuptohet gjithçka i është lënë spontanitetit. Thuhet se inspektori i policisë së zonës ndjek çdo ditë gjendjen e dy vajzave dhe problemet që krijohen në këtë familje. Pas dërgimit të dy vajzave në Shkodër, babai i tyre reagoi ndaj degës së sigurimeve shoqërore Dibër dhe komunës Maqellarë për pensionin e vajzave që ishte bllokuar. h.p